E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hendeku që po bëhet humnerë

Blendi Kajsiu 

Bëhet fjalë për hendekun mes qytetarëve dhe procesit politik.  Është një hendek që sikurse tregojnë zhvillimet e fundit politike po thellohet me shpejtësi duke u shndërruar në një humnerë ku mund të humbasë vetë procesi i demokratizimit. Këtë nuk e fshehin dot as turet e Ramës dhe të Berishës që po zhvillojnë një dialog pa të drejtë vote. Qytetarët mund të dëgjojnë, madje edhe të flasin për NATO-n, pataten apo trangullin, por ata nuk kanë të drejtë të shprehen kur ndryshon 70% e Kushtetutës, sikurse deklaroi me krenari vetë Kryeministri Berisha. Për t’u siguruar që referendumi nuk do të ndodhë të dy partitë, PS dhe PD, nëpërmjet KQZ-së bllokuan edhe procesin e mbledhjes së firmave. Mënyra është shumë e shëmtuar; KQZ nuk lëshon formularin. Logjika është shumë banale; mbledhja e firmave është jo kushtetuese. Pra, qytetarët jo vetëm nuk kanë të drejtën të shprehen në mënyrë institucionale për Kushtetutën. Institucionalisht ata nuk kanë të drejtë as të pyesin bashkëqytetarët e tyre nëse duan apo jo të shprehen për Kushtetutën. 
Në këtë pikë, KQZ-ja që për të garantuar shprehjen e vullnetit të PD dhe PS duhet të bllokojnë shprehjen e vullnetit të qytetarëve. Përplasje më të pastër dhe më shqetësuese mes vullnetit politik dhe vullnetit qytetar zor se gjen. Të dy partitë kryesore i tremben kaq shumë vullnetit qytetar, saqë kanë frikë ta lejojnë atë të formësohet dhe jo më të institucionalizohet me një referendum. Sikurse treguan edhe ndryshimet e thella të Kushtetutës, në thelb të aksionit të tyre politik është krijimi i një sistemi tërësisht të imunizuar nga opinioni publik dhe elektorati në përgjithësi. Një sistem që për katër vjet rresht nuk mund të tronditet nga gafat, skandalet apo dështimet e ekzekutivit. Por kuptohet që në mungesë të presionit publik dhe elektoral procesi politik veçse degjeneron, duke e thelluar hendekun me qytetarët.
Askund nuk është kjo më e qartë sesa te sjellja aktuale e PD-së dhe e PS-së, që gjithnjë e më tepër po u neveritet qytetarëve shqiptarë. PD-ja nga njëra anë flet për anti-korrupsionin, nga ana tjetër sulmon Prokurorinë për mënyrën se si po heton Gërdecin, një krim i pastër shtetëror që buroi nga korrupsioni qeveritar i niveleve më të larta. Nga njëra anë Kryeministri sulmon Presidentin se nuk po merr pëlqimin e Parlamentit për emërimet në Gjykatën e Lartë, nga ana tjetër Parlamenti nuk lejohet të japë pëlqimin e tij nëpërmjet votës.  Dhe kjo thjesht, sepse Presidenti nuk emëron në Gjykatën e Lartë individët që i shkojnë për shtat Kryeministrit. Nga njëra anë PD-ja deklaron se për të luftuar anti-korrupsionin është gati të heqë dorë nga imuniteti, nga ana tjetër zvarrit heqjen e imunitetit të Mediut që akuzohet për përfshirje në korrupsion nga e njëjta prokurore që vetë kryeministri e quajti Silvia Kontin shqiptare.
Përballë një ekzekutivi të çorientuar dhe pa kredibilitet, kemi opozitën e Partisë Socialiste, që thellon deformimet e sotme me shpresën se nesër do maksimizojë pushtetin e saj. Nga njëra anë eksponentët e PS-së dalin dhe akuzojnë Berishën për përfshirje në krimin e Gërdecit, në korrupsion apo për deformimin e demokracisë. Nga ana tjetër po këta eksponentë bashkë me kryetarin Rama jo vetëm që nuk kërkojnë dorëheqjen e Berishës, por votojnë ndryshime thelbësore të Kushtetutës që forcojnë pozitat e tij. Nga njëra anë PS-ja flet për një politikë të re që do të vendosë në qendër të saj qytetarin. Nga ana tjetër eksponentët e saj djersijnë përpara kamerave, duke argumentuar se qytetarët nuk kanë të drejtë të shprehen në referendum për ndryshimet thelbësore në Kushtetutë.
Në të dyja rastet kemi të bëjmë me një artikulim politik që ofendon inteligjencën minimale të qytetarit shqiptar, duke ia bërë atij politikën të neveritshme. Diçka të tillë e kanë kuptuar të dy forcat kryesore politike, ndaj po përpiqen të ndërtojnë një sistem politik që u siguron pushtetin jo nëpërmjet, por pavarësisht qytetarëve. Një sistem politik ku ekzekutivin nuk ka skandal që e lëviz prej vendit, ku qytetari ka gjithnjë e më tepër pakënaqësi, por gjithnjë e më pak zë dhe zgjedhje.   Vendimi i KQZ-së për të bllokuar referendumin popullor nuk është veçse një nga aktet e shumta që po e kthejnë në humnerë hendekun mes qytetarëve dhe procesit politik. Kjo është një humnerë që PS dhe PD po e thellojnë, me shpresën se një ditë do degdisin aty palën tjetër. Por nuk është çudi që herët a vonë të gremisen aty të dyja. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›