Asnjë marrëveshje mes serbëve të veriut dhe presidentit Tadiç

Presidenti serb Boris Tadiç dhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, nuk kanë arritur një marrëveshje për largimin e barrikadave dhe mundësimin e kalimit të lirë të EULEX-it dhe KFOR-it në veri të Kosovës.
Sipas kryetarit ilegal i Zubin Potokut, Slavisa Ristiç me presidentin Tadiç nuk është arritur asnjë marrëveshje e rëndësishme dhe se barrikadat në veri të Kosovës do të qëndrojnë.
Sipas Ristiç, Tadiç u ka kërkuar që të lejojnë kalimin e EULEX-it dhe KFOR-it, por për të ashtuquajturit kryetarë të komunave “është e papranueshme që EULEX-i të transportojë doganierët kosovarë dhe të zbatojë planin e Ahtisaarit”.
“Për këtë kërkesë të presidentit Tadiç duhet të pyesim popullin”, ka thënë Ristiç pas takimit që ka zgjatur më shumë se katër orë e gjysmë.
Ndërkohë kryetarët ilegalë të komunave nga veriu i Kosovës dhe Radenko Nedeljkovic (kryetar i të ashtuquajturit Qarku i Mitrovicës) kanë biseduar në Beograd me presidentin e Serbisë, Boris Tadic, për mundësinë e zgjidhjes së situatës në veri të Kosovës.
Mediat serbe njoftojnë se në takim ka marrë pjesë edhe shefi i ekipit negociues në bisedimet me Prishtinën, Borislav Stefanovic dhe i ashtuquajturi ministër për Kosovën, Goran Bogdanoviç.
Pas takimit të të shtunës me përfaqësuesit e EULEX-it dhe KFOR-it, përfaqësuesit serbë deklaruan se dëshirojnë të dëgjojnë mendimin e presidentit Boris Tadiç.