Asnjë ndëshkim për mësuesit mbetës
Asnjë ndëshkim nuk është parashikuar për mësuesit që nuk arrijnë të marrin shumën minimale të pikëve në provimin e atestimit ose të kategorizimit që organizon Ministria e Arsimit. Këtë fundjavë në Tiranë do të mblidhen të gjithë mësuesit, të cilët pas disa viteve pune kërkojnë që të rriten në kategori, e po kështu të shtojnë edhe pagesën e tyre mujore. Por një gjë të tillë ata mund ta realizojnë vetëm nëse arrijnë të fitojnë kreditet e përcaktuara nga ana e MASH-it gjatë provimit që do të kryejnë. Në të kundërt nuk do të kualifikohen mes fituesve dhe nuk do të përfitojnë rritjen në kategori apo shtesën në pagë. Megjithatë ata do të vazhdojnë të ushtrojnë profesionin e mësuesit, pavarësisht se kanë qenë të paaftë që të kapërcejnë provën e testimit të njohurive të tyre në fushën e mësimdhënies dhe të metodikës së saj. Një rregullore e veçantë e punuar posaçërisht për këtë testim është hartuar nga specialistët e Ministrisë së Arsimit, por përveç rregullave të mbajtjes së provimit që është krejt i ngjashëm me atë të Maturës Shtetërore, si dhe mënyrës së vlerësimit të mësuesve, apo përfitimeve që ata kanë, asgjëkundi nuk duket ndonjë penalizim lidhur me mësuesit që do të tregohen aq të paaftë sa të mos mund të marrin aq kredite sa për të kaluar këtë testim. Në rregullore thuhet se mësuesi i cili nuk “kalon” këtë provim, nuk kualifikohet për nivelin përkatës që ka kërkuar, por ka mundësi të aplikojë sërish vitin e ardhshëm.
Këtë vit rregullorja e atestimit të mësuesve pësoi disa ndryshime të tjera. Kështu, të gjithë arsimtarët e sistemit parauniversitar që do t’i nënshtrohen këtij provimi, do të mblidhen në Tiranë. Ky provim nuk do të jepet më nëpër rrethet përkatëse. Po kështu, vlerësimi i mësuesve do të bëhet me pikë dhe kredite. Mes arsimtarëve ka pasur edhe ankesa, pasi provimi do të jetë vetëm me shkrim dhe njëlloj si ai i maturantëve, nxënës të tyre. Në sallat e provimit nuk do të mungojnë as administratorët që do të pengojnë çdo tentativë të kolegëve të tyre për të kopjuar.
çdo vit këtij provimi i nënshtrohen mbi një mijë mësues. Testi unik për lëndën dhe kategorinë hartohet dhe vlerësohet nga Qendra e Trajnimit Kombëtar të Kualifikimit (QTKA) në Tiranë.
Ata mësues që do të kualifikohen fitues, do të sigurojnë ngritjen në kategori dhe shtesën përkatëse në pagë. Ky provim mundëson njohjen e nivelit profesional real të mësuesve, zotërimin e programit lëndor dhe anën shkencore të lëndës.
Në provimin e kualifikimit mësuesit do të vlerësohen për: zotërimin e programeve lëndore, zotërimin e anës shkencore të lëndës shkollore, zotërimin e anës metodike të lëndës.
Provimeve të kualifikimit i nënshtrohen vetëm punonjësit, të cilët deri më datën 31 dhjetor 2009, plotësojnë vjetërsinë e mëposhtme të punës në arsim: nga 5 deri në 9 vjet, për shkallën e tretë të kualifikimit; nga 10 deri në 19 vjet, për shkallën e dytë të kualifikimit; 20 e më shumë vjet për shkallën e parë të kualifikimit. Në bazë të këtij kategorizimi, mësuesi përfiton shtesë në pagë, që për kategorinë e tretë është plus 10%, për të dytën plus 10% dhe për të parën plus 20%.
#