E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë rast në vend me H1N1

Në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar të prekur nga virusi A (H1N1), bëri të ditur zv/ministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj. Ndërkohë, institucionet shëndetësore në të gjithë vendin kanë rritur vigjilencën. Marrja e monstrave për analizimin e rasteve tashmë është shtrirë jo vetëm në spitale, por dhe tek mjekët e familjes. Ditët e fundit, mjekët e familjes janë trajnuar dhe për marrjen e monstrave  të virusit A (H1N1) dhe vendosjen e tyre në kushte laboratorike të konservuara. Në Qendrën Spitalore Univesritare "Nënë Tereza" në Tiranë janë siguruar ambjentet e veçanta në Spitalin Infektiv. Ndërkohë që gjatë kësaj jave në çdo pavion do të sigurohet një dhomë të veçantë për izolimin e përkohshëm nëse ka raste të veçanta, siguroi nëndrejtori i QSUT-së, Xheladin Draçini.  Ai tha se "QSUT ka sasinë e nevojshme të tamiflusë, njëkohësisht të gjithë preparatet e tjera ndihmëse për veprim në rrugët respiratore, apo që janë pjesë e medikimit të përgjithshëm të pacientëve". Përgatitja e QSUT-së në këtë drejtim ka filluar që në kohën e gripit  të shpendëve, kur dhe janë përgatitur jo vetëm stafet përkatëse, por njëkohësisht drejt përfundimit është dhe projekti për rikonstruksionin e reanimacionit të spitalit infektiv, për pajisjen e tij dhe rritjen e nivelit cilësor të shërbimit që do të ofrohet aty. "Ka qenë një interesim nga qeveria, por dhe vetë QSUT ka marrë të gjitha masat dhe është përgatitur për trajtimin e rasteve të mundshme", theksoi Draçini. Ndërkohë, Instituti i Shëndetit Publik vazhdon të bëjë survejancën (mbikëqyerjen) e rasteve me grip, qoftë dhe rasteve të lehta dhe të atij të zakonshëm. Ivanaj tha se, bazuar në udhëzimet e OBSH, specialistët analizojnë 10-15 raste  në javë. Udhëzimet e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë kërkojnë të rritet vigjilenca lidhur me rastet e dyshuara me grip në përgjithësi, si dhe për gripin A (H1N1), që njihet ndryshe edhe si "gripi i derrave". Tashmë, virusi nuk mund të ndalohet në kufij, ndaj edhe gjatë sezonit të verës, specialistët e ISHP-së po bëjnë survejancën e gripit. Shërbimi epidemiologjik në pikat kufitare funksionon normalisht, por, nisur nga situata e fundit e përhapjes së virusit në botë, nuk është më prioritet kapja në kufij, por rritja e vigjilencës, nënvizoi zv.ministri i Shëndetësisë, Ivanaj. Krahas rritjes së vigjilencës, në sistemin shëndetësor janë siguruar deri tani dhe sasia e tamiflusë për trajtimin e 4500 personave. Antivirali gjendet në Institutin e Shëndetit Publik, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, si dhe është shpërndarë në spitalet rajonalë për çdo rast të konstatuar se është prekur nga virusi. Nga ana tjetër, specialistët e shëndetit publik bëjnë apel për qytetarët të mos shqetësohen, por dhe të mos neglizhojnë rekomandimet e mjekëve. Në rast të shfaqjes së shenjave gripale, specialistët thonë se qytetarët duhet të drejtohen menjëherë tek mjeku.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›