Minimizohet fenomeni i braktisjes së shkollës në Kukës

Bashkëpunimi me komunitetin, strukturat e pushtetit vendor si dhe rritja cilësore e mësimdhënies janë shkaqet që kanë çuar në minimizimin e fenomenit të braktisjes së shkollës në qarkun e Kukësit. "Një nga arritjet e këtij viti shkollor që sapo është mbyllur është minimizimi i fëmijëve që braktisin arsimin 9 vjeçar",- thotë drejtori i drejtorisë rajonale të arsimit Ibsen Elezi. Sipas tij gjatë këtij viti shkollor e kanë braktisur arsimin 9 vjecar vetëm 84 nxënës, kur vetëm pak vite më parë ky numër arrinte në mbi 800 nxënës. Ndërkohë, për eliminimin e plotë të fenomenit janë ngritur struktura të përbashkëta shkollë - komunitet, me synimin e eliminimit të plotë të tij që takohen periodikisht të paktën një herë në muaj. "Është një organ konsultativ përmes të cilit evidentohen problemet e shqetësimet që ka komuniteti për ecurinë e arsimit në çdo njësi vendore",- thotë Elezi. Braktisja e shkollës vetëm pak vite më parë ishte një nga fenemonet më negative të sistemit arsimor parauniversitar me një tregues braktisjeje deri në 8 për qind të numrit të nxënësve. Por edhe pse fenomeni është drejt minimizimit, pranohet fakti se një nga shkaqet kryesore janë vështirësitë ekonomike të banorëve të zonës që i detyrojnë fëmijët të dalin në rrugë për të ushtruar tregtinë e vogël.
...