Shërbimet kirurgjikale në QSUT funksionojnë plotësisht

Shërbimet kirurgjikale në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë funksionojnë plotësisht edhe gjatë muajve të verës, ndërkohë që janë marrë të gjitha masat që t’u përgjigjen në kohë të gjitha nevojave të pacientëve. Shërbimi i Urgjencës në QSUT, gjatë kësaj periudhe, ka rritur aktivitetin dhe gatishmërinë, por dhe të gjitha shërbimet kirurgjikale funksionojnë në shërbim të çdo rasti urgjent, përfshi dhe ato që paraqiten nga rrethet e tjera. Gjatë një prononcimi për mediat, nëndrejtori i QSUT-së, Xheladin Draçini, tha se "reduktimi i operacioneve në QSUT gjatë stinës së verës është i zakonshëm, për shkak të një traditë të përvitshme tashmë". Ai sqaroi se reduktimi i operacioneve nuk bëhet me një urdhër, apo vendim nga Ministria e Shëndetësisë, apo drejtoria e QSUT-së. Draçini siguroi se gjatë muajve të verës në QSUT, shërbimi shëndetësor funksionon normalisht si në të gjithë periudhën tjetër të vitit. "Shërbimi i urgjencës gjatë kësaj periudhe të vitit jo vetëm që nuk ka rënie, por përkundrazi ka një shtim të aktivitetit, duke marrë parasysh që dhe stafet e spitaleve të tjera të rretheve, për shkak të pushimeve verore, janë të reduktuara dhe shumë raste që janë problematike i drejtojnë në QSUT", theksoi ai. Gjithashtu, sipas tij, aktiviteti i planifikuar i shërbimeve në QSUT vazhdon normalisht, edhe pse është i reduktuar për disa faktorë.
Ndër këta faktorë është dhe largimi me leje gjatë muajit gusht i një pjesë të stafit kirurgjikal në QSUT, që janë dhe pjesë e Fakultetit të Mjekësisë, por pa prekur performancën e shërbimeve. Njëkohësisht dhe vetë qytetarët janë me pushime, të cilët, në rastet kur kanë mundësi për shtyrje të një operacioni, që varet dhe nga dëshira e tij, parapëlqejnë periudhën e shtatorit. Gjithashtu, sipas Draçinit, ka dhe paragjykim që në periudhën e verës ndërlikimet infeksioze janë më të mëdha, gjë që nuk është e përcaktuar nga studime të mirëfillta, por më shumë është një psikologji sociale popullore. Për këtë, nëndrejtori i QSUT-së siguroi se "sallat e operacionit janë të kondicionuara dhe nuk ekziston problemi i nxehtësisë, po kështu dhe dhomat ku qëndrojnë të sëmurët”.
...