Ndotja nga konsumi, sfida e së ardhmes

Ndotja nga konsumi i produkteve, është sfida e së ardhmes për mjedisin, deklaron Qendra Rajonale Mjedisore (REC), pasi sipas saj, problem mbetet fakti që informacioni rreth kujdesit për mbetjet është ende i pakët, ndërsa vetë konsumatori nuk paraqit shumë interes, si rezultat i nivelit ende të ulët kulturor dhe etik. Sipas specialistëve të qëndrës mbetjet e rrezikshme të kimikateve shtëpiake janë lëndë me veti toksike, gërryese, ngacmuese, shpërthyese, të përflakshme, infektive, radioaktive dhe kancerogjene, që kanë veti të ndryshojnë gjendjen natyrore të mjedisit rrethues, tokës, ujit, ajrit, me pasoja në ekosistemet natyrore dhe në shëndetin e njeriut. Mbetjet e rrezikshme mund të jenë të ngurta, të lëngta, ose përzierje në raporte të ndryshme. Sasia më e madhe e mbetjeve të rrezikshme vjen nga sektorë të ndryshëm të prodhimit industrial sikurse janë prodhimet kimike, metalurgjike, farmaceutike, tekstile, ushtarake, etj. Për të shmangur rrezikun e mbetjeve të rrezikshme në shtëpi, specialistët e mjedisit këshillojnë largimin e mbetjeve shtëpiake në vendet e grumbullimit të mbeturinave; vaksinimin e rregullt të kafshëve; ambalazhet e produkteve që konsumojmë të mos i lënë për të lozur fëmijët në shtëpi, etj. Nërsa në blerjen e pesticideve duhen marë parasysh që të shoqërohen me instruksionet përkatëse (ambalazhin origjinal në gjuhën shqipe, të mos jenë të riambalazhuara etj.) Për rritjen e kërkesave të konsumatorit shqiptar mbi cilësinë e produkteve, ipas të dhënave të Shoqatave të Konsumatorëve, gama e produkteve që konsumohen ka ardhur gjithnjë e në rritje dhe në zonat urbane dhe rurale është përhapur në masë të gjerë kultura e blerjes dhe konservimit të produkteve ushqimore. Megjithatë në blerjen e produkteve industriale (veshmbathje, tualet, etj.), ekziston një tendencë përzgjedhjeje më e kujdesshme të markës dhe cilësisë nga produktet ushqimore. Shumica e qytetarëve i blejnë këto të fundit në tregun e rrugës, nisur sa nga arsye ekonomike, ashtu dhe nga mungesa e informacionit. Kërkesat e konsumatorit në lidhje me kushtet higjeno-sanitare në mjediset familjare dhe shoqërore janë rritur, por sipas REC-it, për mjedisin e jashtëm kujdesi i plotë ende mungon. Ky diferencim ka ardhur si rezultat i lëvizjes mekanike të qytetarëve dhe koncepteve të ndryshme mbi mjedisin. Normat mjedisore orientojnë drejt nevojës për një menaxhim më të mirë të konsumit, me synim eleminimin e ndotjes. Sipas specialistëve të REC-it, ambalazhi keqpërdoret në mënyrë të veçantë. Për këtë lloj ambalazhi është i nevojshëm ndarja mes atyre të butë dhe të fortë sikurse janë: ambalazhi plastik, qelqi, metalet dhe lëndët inerte(të ngurta). Specialistët pohojnë se është vërtetuar që mbetjet plastike e kanë procesin e riciklimit të paktën 50-vjeçar.
...