Dueti italian “Nei suoni del lughi 09”, sjell këngët e Minës
Këngët më të mira të repertorit të këngëtarës së famshme italiane Mina, kanë ardhur mbëmjen e kaluar në mjediset e një prej bar-lulishteve më të njohura të qytetit bregdetar nën interpretimin e një dueti të muzikës xhaz nga vendi fqinj. Koncerti i zhvilluar në kuadër të turit të njohur artistik "Nei suoni dei luoghi-Në tingujt e vendeve", prezantoi në Durrës solisten Lorena Favot dhe tastieristin Rydy Fantin. Të dy artistët e ardhur nga rajoni i Friulit (Itali) intepretuan disa nga pjesët më të mira muzikore të këngëtares më të njohur italianë të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të. Anna Maria Mazzini, e njohur në art me emrin Mina ka nisur të këndojë në vitin 1958, duke u bërë shumë shpejt zëri më përfaqësues i Italisë në botën artistike. Vokali potent dhe komunikimi mjaft i mirë interpretativ i solistes Favot dhe njohja shumë e mirë e muzikës xhaz nga tastieristi Fantin sollën një vizion të ri për këngët e Minës, ndërsa herë pas here programi ndërthurej me muzikën xhaz amerikan. Artistët italianë që vinin për herë të parë në Shqipëri pavarsisht nga formimi muzikori individual kanë nisur të bashkëpunojnë 10 vjet më parë. Muzika xhaz përbën një eksperiment interesant në këtë edicion të veprimtarisë "Nei suoni dei luoghi". Pas koncertit në Durrës, Favot dhe Fantin do të paraqiten këto ditë para publikut në qytetet e Fierit, Lushnjes dhe në Tiranë.
...