E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asociacione apo aluçinacione?

është folur shumë për autostradën e quajtur, me të drejtë, “E Kombit”. U fol se do të fillonte në kohën e qeverisjes socialiste, por projekti mbeti në letra, ndonëse u mblodh edhe një fond, i cili s’dihet se ku përfundoi. Nisi me ardhjen në pushtet të PD-së dhe eci për bukuri, derisa filloi të vihej pjesë-pjesë në shërbim të automjeteve që udhëtonin drejt veri-lindjes së vendit e, më tej, në Republikën e Kosovës. U përuruan tunele dhe u mbyllën përkohësisht, për shkaqe që, tashmë, i kanë shpjeguar specialistët gjeologë dhe ndërtuesit me përvojë të tuneleve. Pas shumë thashethemesh për koston e saj dhe për shpërdorime fondesh, pas një mori pikëpyetjesh për një mori të vërtetash e të pavërtetash, më në fund, gjithçka rrodhi në shtratin e vet. Që të gjitha çka përmenda, si edhe shumë të tjera që nuk është rasti t’i rendis në një artikull gazete, për mua, nuk përbënin dhe nuk përbëjnë ndonjë çudi, sepse nuk ka ndërmarrje të përmasave kaq madhore që të mos lakohen mbarë e mbrapsht, që të mos lavdërohen me dashamirësi ose të mos përgojohen me dashakeqësi. Tashmë, ferrat e hedhura mbi rrugë me qëllim a pa qëllim, janë murosur në shtyllat me betonarme të urave ose i ka mbuluar asfalti. çdokush që udhëton drejt Kukësit e, më tej, drejt viseve shqiptare, në Prizren, Prishtinë, Gjakovë, Gjilan a, po deshe, në Mitrovicë, nuk është i detyruar t’u qepet të përpjetave të Shën Palit dhe t’u futet grykave të frikshme shkëmbore për të zbritur në Fushë Arës që, pastaj, të marrë Qafën e Malit, për të dalë në Kalimash e, më tej, në Kukës e në pikën kufitare të Morinës... Një ditë e lodhshme udhëtimi pambarim në male, mbase, të lakmuara prej turistësh kureshtarë (ironi e qëmtuar keq, sepse në ato rrugë të shkreta turisti, shqiptar a i huaj, ka rënë sa e sa herë pre e keqbërësve), tashmë është reduktuar në më pak se dy orë.
“Luks absurd” apo domosdoshmëri për të afruar dy pjesë të Kombit tonë, ndarë përdhunshëm me një kufi sa të panevojshëm, aq edhe të pakuptimtë? Pyetjen nuk e shtroj unë. E kam hasur në shtypin e ditëve të fundit, ndërsa dikush rreh të gërvishtë sadopak betonin ose asfaltin, për të zbuluar ndonjë ferrë. Secili ka të drejtën e vet ta konsiderojë autostradën si t’ia ketë ënda e si t’ia dojë oreksi. Unë kam bindjen se shqiptarët andej dhe këtej kufijve shtetërorë e konsiderojnë në mënyrë masive si një ogur që ua fali koha dhe, pa dyshim, liderët politikë që ecin me kohën.
Personalisht, e përsëris dhe nuk bëj gabim ta them me zë të lartë qindra, mijëra, një pambarim herësh, ndoshta edhe në mënyrë patetike: Arteria që bashkon dy pjesët e Kombit Shqiptar të ndara përdhunshëm, nuk është “luks”, as “absurd”. Nëse ndokush nuk e sheh dot a nuk dëshiron ta shohë në sy realitetin historik që po përjetojmë dhe, për kë të shkak, nacionalizmin e quan “streha e fundit e horrave”, do të thosha se horra janë dhe do të mbeten përjetësisht ata që “nuk kanë atdhe”, siç e ka shkruar, e zeza mbi të bardhë, Marksi në Manifestin e famshëm, falë të cilit e pësoi edhe ndonjë mjeran që i besoi, me vetëdije a pa vetëdije. Për ne, shqiptarët, historia ka provuar se komunizmi dhe zhbërja e atdhetarisë ka kushtuar mijëra e mijëra jetë bashkatdhetarësh, qindra-mijëra ngjarje të dhimbshme që kullojnë gjak sot e gjithë ditën.
Një çështje tjetër – edhe këtë nuk e shtroj unë, por e gjej të shtruar në mediat vizive e të shkruara - është kostoja e autostradës e shprehur në para. E pata ndeshur, në mos gaboj, para një viti e ca, në një ekran televizioni të Tiranës. Gazetarja, me mikrofon në dorë, u drejtohej kryeqytetasve të shprehnin mendimin për autostradën - asohere të papërfunduar, por të përgojuar deri në tejskaj nga opozita e majtë. Dikush, një kinse intelektual (po të gjykoje nga kostumi, nga çanta dhe nga kravata), tha pak a shumë se nuk donte t’ia dinte fare për “kosovarët” (thua se ata ishin alienë) dhe se qeveria, me ato para, do të bënte mirë të ngrinte rrogat e pensionet (!). Nuk di se si mendon ti, i nderuar lexues, por unë do të doja ta pyesja qoftë atë, me demek, intelektualin, qoftë ndonjë tjetër më të dijshëm, që sot e shtrin problemin në alternativa të tjera, përtej rrogave e pensioneve, si, fjala vjen, te rregullimi i rrugëve ekzistuese, te ngritja e shkollave, e kopshteve etj. Nuk them se s’ka nevoja të tilla. Mirëpo, sa buxhete rrogash e pensionesh do të mbulonte kostoja e autostradës? Po, kur të mbaronte “thesi me miell”, rrogëtarët e pensionistët do t’i luteshin qiellit për një vepër tjetër të parealizuar? Sa rrugë, sa shkolla, kopshte etj. do të ndërtoheshin me ato para “të thata”? Sepse, sado që të jenë, ato mbarohen një ditë. Nga ky këndvështrim, investimet në dobi të Kombit, të menduara me tru në kokë, mbeten për jetë e mot, edhe nëse sot për sot, për shkak të qarkullimit të kufizuar të mallrave, ndokujt do t’i binte në sy “kotësia e autostradës nga pikëpamja e funksionalitetit”. Në të kundërtën, opinionet e mbledhura rastësisht rrugëve të kryeqytetit shkrihen si vesa e mëngjesit. Edhe më e rrezikshme është kur gazetarët i paraqesin ato si “shprehje të vullnetit të masave”, ndërsa dihet mirëfilli se masat e shprehin vullnetin e tyre me votën e lirë, një herë në katër vjet.
Sërish tek ata që shprehen kundër autostradës, sërish tek çështjet e ngritura në shtypin e kohëve të fundit. Thuhet sikur ndërtimi i arteries mbarëkombëtare, paska dëmtuar mjedisin. Madje përrallisin sikur njerëz - si pikë reference, merren ca “perëndimorë shumë të shëtitur”, në mos gaboj edhe një artiste - qenkan befasuar me “katastrofën ekologjike” që paska shkaktuar ndërtimi i autostradës. Mesa duket artistes i paskan shpëtuar pa shkelur (rouler – thotë frëngu), autostradat malore të Austrisë, të Zvicrës ose, po deshi zonja artiste, të Abrucies, në Itali. Shqip, kësaj i thonë “ha bukë e mos bëj thërrime”.
Megjithatë, gjithkush që e ka njohur rrugën, së paku gjer në Reps, atje ku merr kthesën e ngjitesh përpjetë për në Spaçin famëkeq, edhe pa e shkelur krejt autostradën, e merr me mend se faqet e maleve nuk ka sesi të zhvishen në atë farë feje sa të të duket se po udhëton në planetin Mars. Nuk është faji i mjedisit “të dëmtuar”, nëse udhëtari s’i heq syzet e errëta ndërsa përshkon “disa segmente” të autostradës Rrëshen - Kalimash dhe i ngjan vetja kozmonaut që ka shkelur Marsin, sepse “natyrshëm” i vjen ky asociacion!... Unë dyshoj se, në këtë rast, më shumë sesa me asociacione, kemi të bëjmë me aluçinacione. Hane Marsi, hane Mirdita, Luma, Kukësi, Hasi, Shistaveci a trojet etnike shqiptare, të cilat, tashmë, i ka lidhur autostrada e quajtur mbarëkombëtarisht “E Kombit”...

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›