Lufta që veçsa është mundur
Diktatura komuniste, e porsaardhur në fuqi, qysh në Kongresin e Përmetit, më 24 maj 1944, sipas shembullit urdhërues të AVNOJ-it, të Jugosllavisë së Titos, ndër vendimet bazë pati ndalimin e kthimit të Mbretit Zog dhe familjes mbretërore, në Shqipëri. Këtë hap politik të shpejtë, e shoqëroi me një veprim çnjerëzor, të menjëhershëm: hodhi në erë Memorialin e Nënës Mbretëreshë, Sadie. Ai shërthim makabër përurues pati nisur luftën me të vdekurit, për të ngatërruar historinë me varre të përdhosur, vendvarre të merituar e vendvarre të pamerituar. Ku nuk kishte çmimin e vërtetë vlera kombëtare në jetë, nuk kishte nderim zyrtar në vdekje.
Pa u vonuar, Sigurimi i Shtetit mbërriti te mbreti i letrave shqipe, Gjergj Fishta. E zhvarrosi natën dhe, eshtrat e rrasura në thes, i hodhi në lumë, me urrejtje të pashoqe.
Përmasa u zgjerua: revolucioni po hante edhe bijtë e vetë. Shpirtin e Nako Spiru, të vetvrarë, e detyruan të endej si fantazmë, me arkivolin e eshtrave mbi sup, nëpër disa zhvarrimvarrime, sa herë që ndërrohej sezoni i politikës dhe kahja e drejtimit të saj. Pas tij pati plot të tjerë, gati në panumërim, me fat të ngjashëm si Koçi Xoxe i plotfuqishëm, anëtarja e Byrosë Liri Gega, ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu, kryeministri Mehmet Shehu. Faik Konica i madh, që në gjallje, la porosi për zhvarrimvarrimin e tij, kur të vinte dita. Edhe Mbreti Zog është varrosur për t’u zhvarrosur dikur. Mendësia e vjetër e politika hakëmarrëse veproi e, vetëm sa s’u shpreh: Ju që na zhvendosët “Babën” për në Sharrë, “Nënën Mbretëreshë” në Sharrë do t’ua çojmë. Nëna Mbretërershë Geraldinë, gjithashtu, u varros për t’u zhvarrosur, doemos. Mjaft shpirtëra përtej - në Jetën e Pasosun, përkëtej në Jetën e Rrejshme - i kanë eshtrat në humbjen e përjetëshme.
Atij procesi jetësimi (zhvarrimi!) dhe tjetërsimi (varrhumbja!), për fatalitetin e vet, nuk i shpëtoi as ideatori - Diktatori. Si drejtësi e ndëshkim i zbritur nga Qielli dhe fati i kërkuar (lypsi - gjetësi), edhe ai u zhvarros një natë, në të aguar, nga vendvarri i gjykuar i pamerituar, për t’u varrosur tjetërkund.
Diktatura komuniste në Shqipëri shpërflli, kreu të kundërtën dhe, përdhosi kumtin e shenjtë hyjnor: “Eshtrat e të vdekurit nuk luhen!” Pritet që, në këtë tokë, të mbarojë Nata e Gjatë, për të ardhur Shpëtimi i të Vdekurve. Panteoni ynë do të bëhet kur të varroset një luftë që veçsa është mundur.