Zbulohen dy ilaçet e reja për të luftuar kancerin
Një kurë e re kundër tumoreve ka qenë tepër e suksesshme gjatë provave klinike, veçanërisht ndaj kancerit të zorrës së trashë, kur ai ndodhet në një fazë të avancuar. Të paktën në këtë përfundim kanë arritur disa mjekë në Amerikë gjatë një studimi. Kanceri në zorrën e trashë shkakton rreth 57 mijë viktima në vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u renditur i dyti, vetëm pas kancerit të mushkërive, që shkakton 157 mijë viktima në vit. Mirëpo kjo sëmundje natyrisht nuk ka prekur vetëm banorët e SHBA-ve. Studimi u krye me pacientë të prekur rëndë nga kanceri i zorrës së trashë, që u ishte përhapur më tej në organizëm. Pas mbarimit të studimit mjekët thanë se dy ilaçet e reja janë shpresëdhënëse për të kuruar këtë sëmundje vdekjeprurëse.
Ilaçet
Një prej ilaçeve, i quajtur Avastin, bllokon enët e gjakut që ushqejnë tumoret me oksigjen, kështu qelizat kancerogjene vdesin. Sipas mjekëve, deri tani kjo metodë nëpër provat klinike kishte dalë pa rezultat. Por këtë herë mjekët e kombinuan ilaçin e ri Avastin me kimioterapinë. Si rezultat, jeta e pacientëve u zgjat me 20 muaj, nga 15 muaj që zgjatej ajo vetëm me kimioterapi. Ilaçi tjetër i quajtur Erbituks po ashtu pengon rritjen e tumoreve. Erbitux i kombinuar me kimioterapinë arriti t’i zvogëlojë tumoret në 23 për qind të pacientëve. Ndërkohë studiuesit kanë bërë të ditur se nëse dy ilaçet Avastin dhe Erbituks do të miratohen nga Agjencia e Kontrollit të Barnave, këto ilaçe të reja mund të dalin në treg që vitin e ardhshëm.
Tumoret fibroide te femrat
Mjekët kanadezë kanë arritur të zbulojnë një mënyrë të re për trajtimin e tumoreve fibroide te femrat. Xhill Mekuini ndjehet e fortë, krejt ndryshe nga dy vjet më parë, kur menstruacionet e bënin të ndjehej tejet e lodhur dhe plot dhimbje. Simptomat kryesore që ajo ndeshte ishin stërzgjatja e periodave ose hemorragjia e vazhdueshme, si dhe dhimbje të forta. Pas vizitave mjekët i thanë se çrregullimet i shkaktoheshin nga fibroidiet, tumore jokanceroze në mitër, dhe se e vetmja mënyrë kurimi ishte heqja e mitrës me operacion apo histeroktomi. Por Xhill Mekuini zgjodhi një rrugë tjetër, ajo vendosi të merrte pjesë në një eksperiment të mjekëve kanadezë për trajtimin e fibroideve pa operacion. Kjo mënyrë synon zvogëlimin deri në zhdukje të tumoreve jokanceroze në mitër duke bllokuar arteriet që i ushqejnë këto tumore.
Studimi
Gjatë një studimi të rreth 500 pacientëve, mjekët panë se kjo metodë e re e zvogëlonte masën e fibroideve në 40 për qind dhe mbi 80 për qind e grave pjesëmarrëse në studim treguan shenja të dukshme përmirësimi. Mjekët thonë se përparësia më e rëndësishme e kësaj mënyre të re trajtimi është se me mënyrën kirurgjike të trajtimit të fibroideve, shanset e femrës për të lindur fëmijë zhduken plotësisht. Ndërsa të dhënat kanë treguar se një numër grash që janë trajtuar pa operacion, kanë mundur të lindin fëmijë. Firma Novartis AG siguroi miratimin nga Agjencia federale e ilaçeve për nxjerrjen në treg të ilaçit Lescol dhe Lescol XL. Këto dy ilaçe ndihmojnë në uljen e nivelit të kolesterinës duke parandaluar ngushtimin e venave tek pacientet që vuajnë nga sëmundjet koronare të zemrës. Ilaçi i ri shitet në Amerikë vetëm me recetë nga mjeku.
Aparati ri për zemrën
Një aparat i ri mund të zëvendësojë procedurën e transplantimit të zemrës. Mjekët e përdorin këtë pajisje për të mbajtur gjallë zemrën e pacientit deri në kohën e transplantimit me një zemër të shëndoshë. Por shkencëtarët thonë se ky aparat mund të shpëtojë jetën e pacientit, pa qenë nevoja e një transplantimi. Aparati zëvendëson punën e zemrës vetëm përkohësisht dhe kjo i jep rast zemrës që të pushojë e çlodhet. Shkencëtarët e shohin këtë si arsye që gjendja e zemrës së sëmurë përmirësohet pas heqjes së aparatit. Ndërkohë gjatë kohës së vendosjes së aparatit, shkencëtarët përdorin mikroprocesor gjenetik për të analizuar mostrat e mara nga zemra e pacientit. Në studimin e tyre shkencëtarët thonë se aparati i ri ndryshon veprimtarinë e gjeneve në qelizat e zemrës. Ata mendojnë se këto ndryshime zhvillohen në një formë të veçantë tek ata pacientë zemra e të cilëve ishte forcuar në sajë të aparatit. Studimi është paraprak, por me kërkesat e shumta për transplantim organesh, shkencëtarët shpresojnë që studimi i tyre do të çojë në përqasje të reja për trajtimin e sëmundjeve të zemrës.
Ushqimet që parandalojnë kancerin
Kanceri është një nga sëmundjet më të rënda që rrezikon jetën e njeriut. Përveç operacioneve dhe kimioterapisë, një ndihmesë të dukshme në moszhvillimin e kësaj sëmundjeje japin kurat e përgatitura me metoda popullore.
Brokoli
Një kurë që ka dhënë rezultate në ngadalësimin e përhapjes së sëmundjes është përzierja me alkoolin e bimës së brokolit. Një litër alkool 60 gradë ose raki e fortë rrushi hidhet në 100 gramë kalendule. Kjo masë hidhet në një shishe, e cila mbyllet mirë dhe lihet në një vend të ngrohtë, por që të mos e zërë dielli. Pas 10 ditësh kjo masë kullohet. Merren 50 deri në 60 pika nga kjo përzierje dhe hidhen në 200 mililitra ujë. Ky lëng pihet nga pak gjatë gjithë ditës. Gjatë kohës që përdoret kjo kurë rekomandohet dhe ngrënia e tre karotave çdo ditë.
Rrënjët e brokolit
Gjithashtu mund të përdoren rrënjët e brokolit, të cilat, pasi të thahen, duhet të bluhen dhe pluhuri i përftuar hidhet në një gotë me lëng frutash ose çaj. Kura me pluhurin e brokolit përdoret tri herë në ditë.
Aloe vera
Po për këtë qëllim përdoret edhe bima e Aloe Verës. Lëngu i nxjerrë nga kjo bimë përzihet me mjaltë. Ky mjekim ka dhënë efekte të përkryera në përmirësimin e të sëmurëve.
Spinaqi
Spinaqi është një nga ushqimet më të rëndësishme në luftën kundër kancerit, si dhe të sëmundjeve të tjera të rënda.
Të sëmurët që vuajnë nga sëmundja e kancerit duhet të hanë spinaq me oriz dhe vaj ulliri, duke i shtuar dhe lëng limoni. Prandaj, për parandalimin e kancerit ky ushqim duhet të konsumohet sa më shpesh.
Kokë-lakra
Edhe kokë-lakra është vërtetuar se ka dhënë efekte pozitive në parandalimin e kancerit. Përqendrimi i lartë i indolit te lakra bën që sëmundja të mos përparojë më tej. Një studim i kryer nga shkencëtarë amerikanë ka treguar se te personat që konsumonin më tepër lakër, të paktën 2 deri 3 herë në javë, zhvillimi i sëmundjes ka qenë më i ngadaltë se te ata që nuk e përdorin këtë ushqim.
Salca e domates
Edhe salca e domates ka dhënë rezultate mjaft të mira në sëmundjen e kancerit. Konsumimi i shpeshtë i salcës e frenon atë deri në një farë mase. Të sëmurëve me kancer mjeku u këshillon të pinë sa më tepër qumësht.
Qumështi
Qumështi në përbërje të tij ka vitaminën D, armikun numër një ndaj kësaj sëmundjeje. Studimet kanë treguar se njerëzit që konsumojnë çdo ditë qumësht kanë më pak mundësi për t’u prekur nga kanceri. Gjithashtu, të sëmurëve me kancer mjeku u këshillon konsumimin sa më të shpeshtë të frutave dhe perimeve, në veçanti të frutave që mbështillen me lëkurë të trashë si portokalli, limoni, shega.
Përgatiti: JONIDA TASHI
Të rejat nga shkenca
Ndryshimet e klimës dhe të drejtat e njeriut
Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut thotë se ndryshimet e klimës mund të dëmtojnë të drejtat e njerëzve që banojnë në rajonet bregdetare në shtetet ishuj dhe në zonat që preken nga thatësira dhe përmbytjet. Në një rezolutë të publikuar të premten, Këshilli prej 47 vendesh me qendër në Gjenevë, thoshte se ngrohja globale rrezikon jetesën dhe mirëqenien e një pjese të njerëzve më të kërcënuar të botës. Rezoluta, e propozuar nga Maldivet, është e para që njeh zyrtarisht ndryshimet e klimës si çështje të të drejtave të njeriut. Duke paraqitur rezolutën, përfaqësuesi i Maldiveve në Gjenevë tha se debati për këtë çështje deri tani është përqendruar tek efektet fizike. Ai tha se ka ardhur koha për të studiuar efektet e ngrohjes globale mbi qeniet njerëzore. Rezoluta i bën thirrje Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut që të ndërmarrë një studim të hollësishëm analitik mbi marrëdhëniet mes ndryshimeve të klimës dhe të drejtave të njeriut.
31 Mars 2008