“Kolegji s’mund të japë dy vendime kontradiktore”

Rezultati për bashkinë e Tiranës, flet ish-kryetari i KQZ-së, Çlirim Gjata
Ish kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Çlirim Gjata thotë se Kolegji Zgjedhor ka dhënë një vendim të formës së prerë në 3 qershor lidhur me ankimimin e Partisë Socialiste dhe si i tillë, ky institucion s’mund të japë një vendim tjetër në 13 qershor, në kundërshtim me argumentin që dha dy javë më parë.
Sipas Gjatës, në të kundërt do të ishte një nga shkeljet më të rënda ndaj Kushtetutës. “Kolegji Zgjedhor nuk mund të japë vendime që bien në kundërshtim me argumentin që dha gjatë shqyrtimit të parë të ankimimit të Partisë Socialiste. Nëse do të bënte të kundërtën do të shkelë në parimet kushtetuese me të cilat argumentoi vendimin e 3 qershorit”, u shpreh Gjata.
Dhe në këto kushte thotë Gjata, i bie që të mbetet në fuqi vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili shpall fitues për garën e Tiranës kandidatin demokrat Lulzim Basha.
Sa i përket ekspertizës së Komisionit të Venecias, Çlirim Gjata tha se ky komision nuk mund të ndryshojë asnjë vendim të Kolegjit Zgjedhor, ai thjesht ka mision këshillimor dhe mbi të gjitha do të ishte një humbje kohe për politikën shqiptare. Kolegji Zgjedhor shqyrton nesër ankimimin e radhës të Partisë Socialiste, para se institucionet ligjore të certifikojnë fitoren e kandidatit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.