Assange garon në zgjedhje

Themeluesi i faqes elektronike WikiLeaks, Julian Assange ka në plan të kandidojë për një post politik në Australi. Ai thotë se synon të kandidojë për një vend në Senat, në dhomën e lartë të parlamentit të Australisë gjatë zgjedhjeve të përgjithshme që mbahen këtë vit, njofton Zëri i Amerikës.
Wikileaks ka tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar, madje ka shkaktuar shumë debate me publikimin e sekreteve të qeverive dhe korporatave të ndryshme.
Tani, Partia WikiLeaks do të shpallë kandidatët e saj në shtetet me popullsinë më të madhe të Australisë, në Viktoria dhe New South Wales si dhe Australinë perëndimore. Emrat e kandidatëve do të njoftohen muajin e ardhshëm. Ata do të kandidojnë për vende në Senatin federal, Dhoma e Lartë e parlamentit të Australisë.
Themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange do të kandidojë për një vend në senat, që përfaqëson shtetin e Viktorias. Një zëdhënës tha se partia e re është e angazhuar për lirinë e shprehjes, të drejtat e njeriut, vetëvendosjen e banorëve indigjenë të Australisë dhe për “të vërtetën dhe transparencën” e qeverive dhe korporatave.
Sipas anketave të opinionit të zhvilluara vitin e kaluar, 25 për qind e australianëve ka të ngjarë të votojnë për zotin Assange, i cili gëzon mbështetje më të madhe mes votuesve të rinj dhe ambientalistëve. Andrew Fowler, autor i një biografie të themeluesit të WikiLeaks, beson se Assange është bërë një folës më i aftë publik me kapacitetin për të turpëruar qeveritë dhe politikanët.
Analistë të tjerë mendojnë se WikiLeaks po kapërcen një vijë të rëndësishme, duke u përpjekur të bashkohet në një proces politik në vend që të qëndrojë mënjanë si një medium thuajse gazetaresk.
Themeluesi i WikiLeaks është bllokuar në Ambasadën e Ekuadorit në Londër që prej qershorit të vitit të kaluar për të shmangur ekstradimin në Suedi, ku përballet me akuzat për sulm seksual, akuza që ai i ka hedhur poshtë si politikisht të motivuara.
Analisti Antony Green thotë se edhe nëse fiton zgjedhjet, Julian Assange nuk do të lejohet të kthehet në Australi. “Sapo të dalë nga Ambasada e Ekuadorit, ai do të arrestohet nga qeveria britanike dhe ekstradohet në Suedi për t’u marrë në pyetje. Nëse do të zgjidhej, ai nuk mund të bëjë betimin, që do të thotë se pas një farë kohe vendi i tij do të shpallej bosh dhe do të mbushej nga një person tjetër”