Assange sot del para gjykatës në Londër

Gati katër javë pas lirimit me kusht, themeluesi i faqes së internetit Wikileaks, Julian Assange, duhet të dalë sërish para gjykatës.
39 vjeçari me origjinë nga Australia akuzohet nga autoritetet suedeze për përdhunim. Gjykata londineze do të caktojë një afat për shqyrtimin e procedurës së dorëzimit të tij eventual në Suedi.
Assange jeton aktualisht nën masën “arrest shtëpie” në Britaninë e Madhe por ai frikësohet se në fund do të dërgohet në SHBA.
Wikileaks ka botuar muajt e fundit dokumente të shumta sekrete për luftën në Irak, Afganistan dhe aktivitetet e diplomacisë amerikane në rreth 300 ambasada në mbarë botën. Kjo ka shkaktuar zemërimin e autoriteteve në Uashington.