E Shtunë, 31 Tetor 2026

Manipulimi i opinionit me ‘emër’

Sa është reale fushata e Ahmetit për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe a ka fuqi BDI’ja që si partner i koalicionit t’i imponojë zgjidhje të kësaj çështjeje dy dekadëshe VMRO-DPMNE’së? Analistët shqiptarë vlerësojnë se qëndrimet, që në mënyrë të vazhdueshme prezantohen para opinionit, dhe realizimi i tyre dallojnë diametralisht. Nga Express më 10 janar 2011 në ora 21:44

VMRO-DPMNE dhe BDI vlerësohet të kenë filluar një fushatë të koordinuar, me ç’rast nga njëra anë partia e Nikola Gruevskit do të parashtronte para maqedonasve pyetjen e stilit “o emrin, o integrimet”, përderisa partia e Ali Ahmetit do të krijonte përshtypjen te shqiptarët se “është duke bërë presion” për zgjidhjen e emrit, ngase është pengesë e integrimit të vendit në NATO dhe BE.

“Sot jemi në shekullin e integrimeve, dhe rruga jonë është integrimi”, theksoi lideri i BDI’së në një tubim me banorët e Kumanovës.

Por, sa është reale fushata e Ahmetit për zgjidhjen e çështjes së emrit, dhe a ka BDI’ja fuqi që, si partner i koalicionit, të imponojë zgjidhje të kësaj çështjeje dy dekadëshe te VMRO-DPMNE?

"Ne jemi përcaktuar për integrimin e shqiptarëve në këtë shtet, dhe në Evropë. Disa integrimin e shohin si asimilim, por mes sa duket nuk e kuptojnë se integrimi paraqet moment të rëndësishëm - jo vetëm për shqiptarët por edhe për të gjithë në këtë vend - drejt proceseve eurointegruese", thekson Ahmeti.

Analisti politik, Mersel Bilalli, vlerëson se takimet e partive politike me opinionin dhe poentimi politik në ato takime nuk është gjë e keqe, por problemi është nëse procesi i debllokimit të euro-integrimeve është realisht afër zgjidhjes.

“Këto janë qëndrime që ata i prezantojnë në mënyrë të vazhdueshme para opinionit, por prezantimi dhe realizimi i tyre dallojnë diametralisht.

Objektivisht, VMRO DPMNE dhe kryeministri, me sa duket nuk kanë interes që procesin e euro-integrimeve ta avancojnë, andaj jam i bindur se një gjë e tillë nuk do të ndodhë sivjet. Ndoshta edhe këtë vit do të ndeshemi me një dështim në planin e eurointegrimeve. Nuk ekzistojnë parametra real dhe të realizueshme të ambientit politik për përfarim në këto procese. Kjo është evidente”, thotë Bilalli.

Ndërkaq, edhe ndikimi që partia e Ahmetit mund ta ushtrojë tek partneri i koalicionit, VMRO-DPMNE, për ta “detyruar” atë që ta zgjidhë problemin e emrit, Bilalli mendon se është zbehur kohëve të fundit.

“Ndikimi i BDI’së ka ekzistuar në muajt e kaluar, por ai tani po dobësohet. Nëse kësaj i shtohet ndikimi i VMRO’së, ata vërtet mund të shkojnë në zgjedhje në muajin maj, ngase edhe ka indikacione që kjo nuk është joreale. Dhe nëse shtohet presioni, ata sërish do të gjejnë shkak për zgjedhje dhe gjatë fushatës zgjedhore në fokus do të jetë eksploatimi i çështjes së emrit. Jam i bindur se edhe gjatë këtyre zgjedhjeve VMRO do ta ndajë popullin në tradhtarë dhe patriotë, dhe se çështjen do ta parashtrojë si një zgjedhje ndërmjet emrit dhe integrimeve”, sqaroi Bilalli.

Analisti, Albert Musliu, ndërkaq, situatën e vlerëson si paradoksale, ngase nga njëra anë BDI dhe VMRO janë në partneritet, e nga ana tjetër Ahmeti del para opinionit me pohimin se ai nuk është partneri i Gruevskit.

“Situata është paradoksale. BDI është në partneritet me VMRO’në, e cila objektivisht është shumë larg orientimit të proceseve të integrimit në strukturat euroatlantike. Me këto deklarata, partia e Ahmetit dëshiron të riafirmojë pozitat e veta, dhe të ringjallet në skenën politike, me tendencë që të tregojë seriozitetin e partisë. Ahmeti e sheh të rrugës që të tregojë se ai nuk është partneri i koalicionit, e nga ana tjetër bashkëqeverisë me VMRo’në. Këtu pra është paradoksi. Ahmeti del në terren që të tregojë se ai nuk është zmbrapsur nga eurointegrimet, ndërkaq partneri i tij i koalicionit edhe pse jo deklarativisht, objektivisht është kundër. Nëse s’ka ndonjë marrëveshje të prerë mes Ahmetit dhe Gruevskit atëherë e tërë kjo situatë është humbje kohe”, thotë Musliu, sipas të cilit, edhe më tragjik është fakti që BDI është palë e dëmtuar e kësaj bashkëqeverisjeje.

“Kredibiliteti dhe baza janë të dëmtuara,gjë që e dëshmojnë dhe anketat. Me këto dalje në skenë, ata vetëm duan ta rikthejnë votën e tyre në rast zgjedhjesh eventuale. Përderisa VMRO është duke vazhdimisht duke bërë fushatë, vlerësoj se BDI tani e ka parë të udhës që të fillojë me minimizimin e dëmit të pësuar nga partneri”, thekson Musliu. Sipas tij, BDI nuk ka fuqi të detyrojë ose bindë VMRO’në që ta zgjidh çështjen e emrit, sepse VMRO tërë fushatën zgjedhore e ka bazuar në kontestin e emrit dhe në rritjen e nivelit të nacionalizmit.

“Prandaj, nuk besoj që BDI ka fuqi për ta larguar partnerin e vet nga rruga,prej së cilës VMRO fundja e merr fuqinë”, përfundon Musliu. (Koha e Re)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›