E Shtunë, 31 Tetor 2026

J-20’shi i padukshëm kinez

Nga Express më 10 janar 2011 në ora 21:13

Kina po i zhvillon me shpejtësi të madhe kapacitetet e saj mbrojtëse, e kjo po i shqetëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.

Gates po qëndron për vizitë katërditore në Pekin, vetëm disa ditë pasi që Kina publikoi fotografitë zyrtare, në bazë të të cilave do të mund të përfundohej se ajo tashmë posedon prototipin për ndërtimin e aeroplanit të padukshëm (stealth) ushtarak J-20.

Gjithashtu SHBA janë të shqetësuara edhe me projektimin e ri balistik kinez, i cili – të paktën teorikisht – do të mund të shkatërronte cilëndo aeroplanbartëse amerikane edhe kur kjo e fundit ndodhet në det, në një largësi prej rreth 3,200 kilometrash.

Gates fluturoi drejt Pekinit për të biseduar me liderët kinezë për këtë lloj të armatimit, por edhe për çështje të tjera ushtarake.

"Është e qartë se ata posedojnë potenciale që do të mund t’i rrezikonin disa nga kapacitetet tona. Kësaj gjëje duhet t’i kushtojmë një vëmendje të posaçme, por edhe të përgjigjemi në mënyrë adekuate përmes programeve tona”, u tha Gates gazetarëve në rrugëtim e sipër për në Pekin.

Sipas Gates, SHBA ka kohë që e dinë se Kina po synon të prodhojë një ‘stealth’ aeroplan luftarak, megjithëse progresi i saj në këtë drejtim i ka tejkaluar parashikimet e shërbimeve amerikane të sigurimit, njoftuan agjencitë.

Deri më tani SHBA ishin shteti i vetëm në botë që posedonte një aeroplan ‘stealth’ plotësisht operativ, dhe të padukshëm për radar - Lockheed Martin F-22 Raptor.

Në një raport të muajit gusht të vitit të kaluar, Pentagoni pohonte se Kina po e zgjeron arsenalin e saj nuklear dhe forcat e saj detare, ndërkohë që nga ana tjetër po i modernizon edhe projektilet e saj të stacionuara në tokë.

Avio-industria kineze, qoftë kjo civile apo ushtarake, ka shënuar një përparim të madh gjatë viteve të fundit, megjithëse ajo ende mbështetet në teknologjinë që e importon. Problem të veçantë paraqet teknologjia e propulsionimit, andaj për aeroplanët kinezë edhe më tej vazhdojnë të përdoren motorët rusë. Një lëvizje të ndjeshme përpara Kina e ka shënuar në prodhimin e aeroplanëve të padukshëm, gjë kjo që e vënë në pikëpyetje saktësinë e vendimit të Gates për kufizimin e prodhimit të ‘stealth’ aeroplanit ushtarak amerikan F-22 Raptor, në vetëm 187 fluturake, përkujton agjencia AP.

Dhe, përderisa SHBA dhe Japonia janë të shqetësuara për shkak të zhvillimit të përshpejtuar ushtarak të Kinës, qeveria e Pekinit insiston në qëndrimin se modernizimi ushtarak i tij nuk paraqet kërcënim për askënd. (Nga agjencitë)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›