Astma shton riskun për t’u prekur nga infeksionet e pneumokokut
Personat astmatikë janë më të ekspozuar ndaj infeksioneve pneumokoksike dhe ndaj ndërlikimeve që mund të shfaqin ata. Të paktën ky është konkluzioni i një studimi të kryer nga Young J. Juhn i “Mayo Clinic” i Minesotës, që kohët e fundit ka kryer një studim, ku ka përfshirë gati 4.000 persona nga mosha 2 deri 63 vjeç, të cilët për gati një periudhë prej 20 vitesh, ishin ekzaminuar për infeksion pneumokoku të dyshuar.
Në 174 rastet e konfirmuara janë nënshtruar një grup kontrolli dhe kështu ka rezultuar se personat që kishin infeksione të pneumokokut, ishin dyfish të riskuar të vuanin edhe nga astma; ky risk ishte 6.7 herë më i lartë nëse bëhej fjalë për persona të rritur. Studiuesit amerikanë nënvizojnë se kampioni i përbërë nga fëmijët me infeksion nga pneumokoku ishin vërtet jo fort të prirur për t’u përfshirë në përfundimet e studimit: “Mund të konkludojmë me siguri se të rriturit që vuajnë nga astma kanë një risk më të lartë për t’u prekur nga infeksionet e pneumokokut”, ka shpjeguar shkencëtari në “Journal of Allergy and Clinical Immunology”.