Stina e dimrit,kujdes nga shytat
AIDA MALAJ
Dimri dhe qëndrime në kolektiva janë ndër shkaqet që ndikojnë në shtimin e rasteve me shyta. Për mjekët, arsyeja kryesore e rritjes së numrit të rasteve në këtë periudhë, favorizohet dhe nga dobësimi i sistemit imunitar dhe kushtet atmosferike. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja infeksioniste Alma Hoxhaj, shpjegon se si përhapet kjo sëmundje virale dhe si mund të parandalohet shfaqja e saj:
Doktoreshë, është e vërtetë që gjatë kësaj periudhe shtohet numri i rasteve me shyta, dhe nëse po pse ndodh kjo gjë?
Gjatë kësaj periudhe mund të ketë një rritje të lehtë të numrit të rasteve, gjithsesi nuk mund të flasim për epidemi, sepse zakonisht rastet janë të lokalizuara. Më tepër se me arsye të mirëfillta stinore, përhapja e sëmundjes shpjegohet me qëndrimin në kolektiva gjatë kësaj periudhe, gjë që favorizon përhapjen e virusit që shkakton sëmundjen. Gjithsesi dhe kushtet atmosferike, i ftohti, ndikon në uljen e mbrojtjes së sistemit imunitar dhe për pasojë prekjen më lehtë nga viruse që qarkullojnë në ajër, shumë prej të cilëve patogjenë.
Është e vërtetë që shytat prekin më shumë fëmijët?
Dihet që zakonisht sëmundja prek fëmijët dhe mosha 5-9 vjeç është më e prekur. Gjithsesi nuk përjashtohen dhe të rriturit. Kjo është një sëmundje që kalohet një herë gjatë jetës dhe jep imunitet. Veçse mund të përsëritet në rastet kur sëmundja ka qenë e njëanshme, që do të thotë se parotiti ka prekur vetëm një nga gjëndrat e pështymës dhe më vonë shfaqet në anën tjetër.
Si ndodh infektimi nga ky virus?
Infeksioni transmetohet nëpërmjet spërklave të pështymës, si të gjitha sëmundjet virale. Personi i infektuar është ngjitës një javë para dhe dy javë pas shfaqjes së sëmundjes. Kjo është arsyeja që shkollat apo në familje, janë vendet “ideale” për përhapjen e sëmundjes.
Është e vështirë të diagnostifikohet në kohë sëmundja?
Në disa raste, kur ka një epidemi, diagnoza është e qartë. Në përgjithësi shenjat klinike që e shoqërojnë: dhimbje që shtrihet nga veshi deri te pjesa e poshtme e nofullës, ënjtje e zmadhim të gjëndrave parote, duke spostuar veshin nga sipër dhe jashtë. Temperaturë 38-39 gradë, lëkura që mbulon gjëndrën është e kuqe dhe e tendosur. Shenja këto që ndikojnë në vendosjen e saktë të diagnozës. Por ka raste kur sëmundja mund të jetë “e fshehtë”, që do të thotë që fëmija mund të ketë pak temperaturë, dhe mos të ketë ënjtjen tipike të shytave dhe ta kalojë lehtë, aq sa prindi nuk e kupton se shenjat dhe ankesat që shfaq fëmija janë shenja të parotiti.
A mund të parandalohet kjo sëmundje?
Parandalim të mirëfilltë nuk ka, të gjithë mund të kalojnë shytat. Imunizimi me anë të vaksinës, nuk mbron përfundimisht. Vaksina ka efekt 10-vjeçar dhe bëhet bashkë me vaksinën e fruthit dhe rubeolës. Doza e parë bëhet kur fëmija është 15-muajsh, e dyta në moshën 5-6 vjeç dhe doza e tretë kur fëmija është 3-12 vjeç. Gjithsesi profilaksia më e mirë është shmangia e kontaktit me personat e sëmurë, veçimi dhe mos prekja e sendeve që përdor dhe konsumon i sëmuri.