‘Baka’ i ka të numëruara ditët në krye të Tiranës
Në të vërtetë kjo nuk është një deklaratë zyrtare e klubit dhe nuk konfirmohet nga drejtuesit, por burime pranë kampit theksojnë se trajneri tashmë i ka ditët të numëruar në krye të Tiranës. Ai e ka ndjerë këtë prej disa javësh dhe me siguri që takimi ndaj Apolonisë (në rast të një zhgënjimi tjetër) mund të jetë shkak përfundimtar që “Baka” t’i thotë “lamtumirë” Tiranës. Zërat që vijnë nga kampi bardheblu janë të qarta dhe i referohen në përgjithësi lojtarëve, që po i kurdisin planet me përpikmëri, duke qenë hapur kundër trajnerit dhe praktikave të tij. Ndërkohë, edhe nga jashtë kontributi ka qenë i madh, pasi tekniku është kritikuar se nuk ka drejtuar me profesionalizëm në aspektin taktik, duke mos pasur një skuadër fikse në fushë, por vetëm eksperimente pa fund dhe në javët e fundit zhgënjime të mëdha. Ndërkohë, edhe pse kryedonatori Halili e ka votëbesuar më se një herë trajnerin, situata ka arritur në një pikë të tillë sa është më e lehtë të largosh trajnerin se sa të gjithë lojtarët që ke blerë në merkato. Në fund të fundit, po ndodh që ligjin te bardheblutë e bëjnë si gjithmonë futbollistët, të cilët nga do që të merren, sapo vishen bardheblu bëhen ‘gjeneralë’. Diku gjetkë ishin ‘mercenarë’, por me bluzën e Tiranës bëhen të gjithë ‘gjeneralë’.
Heshtja
Është krejtësisht i vendosur për të mos dhënë asnjë deklaratë apo të informojë shtypin sportiv mbi gjendjen e skuadrës, planet e tij për të ardhmen dhe shkaqet që sollën këtë situatë të vështirë në kampin bardhebu. Bëhet fjalë për trajnerin Blaze Slishkoviç, i cili dje rikonfirmoi edhe një herë se nuk ka ndërmend të flasë as vetë dhe për më tepër, nuk do të lejojë asnjë lojtar të prononcohet në media, duke i qëndruar stoik bindjes së tij për të qenë kundër të gjithëve (në një farë soji). Por dje trajneri ka shkuar edhe më tej, duke i “qepur” gojën edhe njërës prej emblemave të futbollit bardheblu, Indrit Fortuzit, që është aktualisht nd/trajner i Tiranës. Fortuzi ka kërkuar leje te trajneri për të dhënë mendimet e tij për gjendjen e skuadrës dhe situatën shqetësuese që ajo po kalon, por më pas është deklaruar para gazetarëve se trajneri ka vendosur heshtje shtypi dhe se ai ishte i detyruar të respektonte vendimin tij.