Zbardhen të gjitha enigmat e grupeve
Nuk ka më asnjë enigmë për 16 ekipet e kualifikuara në raundin e “vdekjes”. Roma, Çelsi, Inter, Panathinaikos, Barcelona, Sporting, Liverpul, Atletiko, Mançester, Villareal, Lion, Bajern, Arsenal, Porto, Juventus, Real Madrid. Këto janë të kualifikuarat. Një mbrëmje e madhe e Romës në “Olimpiko”, duke marrë përfundimisht edhe vendin e parë në Grupin A, e duke lënë pas Çelsin. Roma shkatërroi Bordonë, duke fituar me rezultatin 2-0. Bordo vazhdon aventurën në Kupën UEFA. Po në grupin A, Çelsi fitoi në “Stamford Brixh” me rezultatin e ngushtë 2-1 kundër rumunëve të Kluzh. Në grupin B, Panathinaikos u bashkua me 16 ekipet më të mira të Europës falë golit të Karagunis (69’) në fitoren 1-0 kundër Anorthosis Famagusta. Me këtë humbje Anorthosis i dha lamtumirën me dinjitet Ligës së Kampioneve, duke vazhduar aventurën në Kupën UEFA. Interi vazhdoi “surprizat” në Ligën e Kampioneve, teksa zikaltërit humbën në Gjermani me Verder Bremenin me rezultatin 2-1. Në Grupin C, Barcelona e kualifikuar luajti me një formacion të dorës së dytë i “dhuroi” një fitore historike Shahktar Donjeckut. Ukrainasit fituan 3-2 falë dy golave të Gladkit dhe një të Fernandinjos. Sportingu i Lisbonës fitoi në Zvicër 1-0 me Bazelin, duke i dhënë kështu mundësi Shahktarit të vazhdojë aventurën në Kupën UEFA. Liverpuli me fitoren 3-1 në Holandë kundër PSV Eindhovenit i bëri dhuratë Kupën UEFA, Olimpikut të Marsejës. Skuadra franceze e kapitenit shqiptar Lorik Cana barazoi pa gola në “Velodrome” kundër Atletikos së Madridit, duke zënë përfundimisht vendin e tretë.