E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opozitarizmi anti-globalist

Grid Rroji 

Që nga fitorja e duarve të  pastra më 3 korrik 2005, Shqipëria po përjeton një periudhë të opozitarizmit anti-globalist. Në vend të krijimit të ideve të reja të qeverisjes, nëpërmjet hartimit të politikave alternative apo qeverisë hije siç premtoi tre vjet më parë kryetari socialist Edi Rama, duket se ka vendosur të ndërtojë ardhjen e tij në pushtet me anë të mediatizimit të nxirjes së realitetit, mashtrimit të paskrupullt dhe gogolizimit të arritjeve të qeverisjes, duke i veshur këto me petkun e ndryshimit.  Nuk ka rëndësi për Ramën dhe neo-guevaristët që i vijnë rrotull që mungesa e ideve dhe lufta politike nëpërmjet britmave anti-Berishë nuk arrin të fshehë as shterpësinë ideore të tyre e as rritjen e dukshme të nivelit të jetesës në këto tre vite e gjysmë qeverisje të djathtë.
Në fakt, ky lloj opozitarizmi me shije të vjetër, më shumë se drejt propozimeve alternative për një qeverisje më të mirë, duket se synon të eliminojë të gjithë ata elementë brenda Partisë Socialiste që mund ta rrezikojnë pushtetin e brendshëm të Ramës, por edhe të fusë në politikë një grup besnikësh të rinj, të cilët po duan të na paraqiten si përfaqësues të “rinisë ndryshe”.
99 petritët e Ramës dhe homologët e tyre të futur me forcë në politikë nga ai vetë, nuk janë gjë tjetër veçse pasqyrimi më i ri i anti-globalizmit në Shqipëri. Anti-globalistët e rinj shqiptarë përfaqësojnë një rrymë politike që dështoi paq në ndaljen e progresit ekonomik botëror dhe rifutjes së neo-komunizmit në retorikën politike të shekullit XXI.
Përpjekja për faktorizim politik të grupeve neo-guevariste nuk përbën problem për Partinë Demokratike dhe aleatët e saj, sepse e djathta shqiptare ka çfarë u paraqet shqiptarëve në zgjedhjet e 2009. Me gjithë taktikat më moderne të obfuskimit, fshehjes së progresit dhe kontrollit të hekurt të mediave, dielli me shoshë nuk mbulohet. Siç u detyrua të pranojë edhe një eksponent i neo-globalistëve në një editorial të paradokohshëm “Sali Berisha di të realizojë ndryshimin”. Shqipëria që po ndryshon nuk ndalet dot nga liliputë politikë, të freskët apo të ndenjur, sado diabolike të jenë mjetet që ata përdorin.
Por taktikat cinike që përdorin manipuluesit e rinj rozë, keqpërdorimi i konceptit të shpresës tek e ardhmja, tejmbushja e valëve televizive me demagogji boshe, kontrolli i hekurt mbi fjalën e lirë dhe zhvendosja e dialektikës politike nga zgjidhja e halleve të përditshme të shqiptarëve tek mashtrimi, jo vetëm ngjajnë si pika uji me mjetet obtuze të baballarëve të tyre politikë të internacionales komuniste, por sjellin zhgënjim të paevitueshëm me politikën te qytetarët shqiptarë.
Pra, larg nga të prurit të ideve të reja në procesin vendimmarrës, këto taktika revolucionare largojnë të paangazhuarit dhe vetëm sa krijojnë një hapësirë minimale për të lejuar promovuesit e tyre të përfitojnë personalisht.
Përdhosja e parimeve më të vyera demokratike dhe morale të një shoqërie, me qëllim përfitimet politike meskine përbën rrezik për shoqërinë shqiptare në tërësi. Këto taktika të pamoralshme jo vetëm që nuk i afrojnë shqiptarët me politikën, por vrasin çdo grimë shprese që ata mund të kenë për një opozitë që ofron alternativa dhe që vendos interesin e vendit përpara karriges së deputetit.
Çmimin për këto devijime nga rrugëtimi drejt një demokracie të pjekur e paguajnë të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilët presin që politika të prodhojë zgjidhje konkrete për problemet e tyre dhe jo siç thotë proverbi amerikan “derra të lyer me buzëkuq”.
Pas tre vjet e gjysmë qeverisje me premtime të mbajtura dhe mirëqenie në rritje, është tashmë e pamundur ta joshësh votuesin shqiptar me premtime boshe përtej reales dhe imazhe të kollarisura të krijuara në studio kompjuterike nga ekspertë tepër të kushtueshëm ndërkombëtarë.
Shqiptarët e shekullit XXI janë shumë më të sofistikuar se sa i kujtojnë tellallët cinikë të errësirës dhe mashtrimit. Shqiptarët e shekullit XXI dinë të dallojnë rezultatet nga gjepurat, realitetin nga shpifjet, rininë nga anti-globalistët. Shqiptarët nuk presin që shpresën dhe të ardhmen t’jua pikturojnë grimierët e rinj të politikës. Ata e kanë parë tashmë të ardhmen e tyre europiane tek puna, ndershmëria dhe përkushtimi i qeverisë Berisha, e cila i ka mirëpërfaqësuar këto tre vjet e gjysmë. Ashtu si në 3 korrik 2005 kur votuan ndryshimin, shqiptarët e sotëm kanë treguar se nuk e presin historinë, ata e bëjnë atë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›