E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pirro Çako: Me kaq punë do kisha bërë 2 albume

 

Alma Mile

Mes 72 prurjeve u zgjodhën vetëm 20. Një punë voluminoze, që për drejtorin artistik të festivalit të dhjetorit, Pirro Çako, është baras me dy albume.Ai thotë se kolegët e tij artistë reaguan se “xhentëlmenë” edhe pas shpalljes së konkurrentëve, megjithatë duket se tensioni ka qenë shumë i madh. Ndërsa kanë mbetur 10 ditë nga edicioni i 47-të i Festivalit të Këngës në RTSH, stafi drejtues zhvilloi një konferencë shtypi, ku sqaroi mënyrën e organizimit dhe formulën e re të prezantimit të këngëve. Më tej, në një intervistë, drejtori artistik Pirro Çako shpjegoi mënyrën se si u përzgjodhën këngët, por edhe pozicionin e tij prej krijuesi përballë kolegëve të tij.
Këtë vit festivali ka një tjetër formulë, pse kjo zgjidhje nga ana juaj?
E rëndësishme është që këngët të mbahen mend. Formula e këtij festivali nuk të lejon, që këngët të njihen që më parë, ndaj dhe zgjodha 20, që do të këndohen në të tria netët. Pra, nuk do të ketë eliminime në finale. Përzgjodha vetëm 20 krijime, pasi më shumë do të ishte e lodhshme. Mendoj se ky është maksimumi i mundshëm. Kjo formulë tenton të nxjerrë në pah prurjet më të mira, pa u shpërndarë në të tjera krijime, të cilat do të s’kualifikoheshin natën e dytë. Kështu edhe publiku është më i vëmendshëm.
Sa e vështirë ishte të përzgjidhje mes 72 prurjeve vetëm 20? Ishte e vështirë dhe them se barrën më të rëndë e kisha unë, si drejtor artistik. Çdo këngë që nuk u fut në festival lidhet direkt me mua. Është normale, sepse për çdo artist, krijimi është i shenjtë dhe unë i respektoj të gjithë kolegët e mi, mbi të gjitha për komunikimin prej xhentëlmenësh, që patën pas njoftimit të përzgjedhjeve.
Në ç’kritere u bazuat për përzgjedhjen e këngëve?
Jam përpjekur ta mbaj veshin e hapur për gjeneratën e re. Prej 20 vjetësh jam pjesë e këtij festivali, por kam qenë edhe unë dikur një i ri, që papritur dhe pakujtuar u shfaq si fitues në festival. Përgjatë gjithë verës, u mundova të ndjek sa më shumë atmosferën muzikore, koncertet live, isha nëpër pub-e, mbrëmje, për t’u bindur. Pra, është një punë e gjatë dhe jam munduar që festivali të ketë një target me emra të rinjsh, që po lakohen shumë, si këngëtarë, kompozitorë dhe orkestrues. Përzgjedhja është shumë delikate, sepse lidhet me anën individuale. Kur bëhet fjalë për muzikën, “cenimi” të dhemb edhe më shumë.
Si ju duket pozicioni i drejtorit, teksa jeni edhe krijues?
Ju siguroj që nuk është pozicioni më i lakmueshëm dhe komod për mua, por mësova shumë gjëra nga kjo punë. Jam drejtor artistik, por edhe krijues dhe normalisht, që kolegët drejtohen tek unë. I mirëpres dhe i kuptoj. Kam dhënë justifikimet dhe këshillat e mia për këngët, që nuk u futën dhe kurova deri në detaj ato që marrin pjesë. Me këtë punë voluminoze mund të kisha mbyllur dy albume të mitë. Nuk e mendoja të ishte kaq e vështirë...
Ç’menduat kur ua propozuan pozicionin e drejtorit artistik?
Unë e dua këtë institucion nga ku kam dalë dhe e quaj një kontribut të pastër për muzikën shqiptare, ashtu si kontribuoj dhe me krijimtarinë time.
Si do të këndohet në këtë edicion?
Ashtu si edhe në vitet e shkuara, harqet do të jenë live, ndërsa orkestrimi me regjistrim. Fatura e një festivali live është shumë e lartë, por kjo është në planet e drejtorisë për vitin që vjen. Këngëtarët do të këndojnë live gjatë natës së parë dhe të tretë, ndërsa nata e dytë do të jetë me regjistrim, pasi do të ketë më shumë karakterin e një spektakli.
Ç’mund të na thoni për prurjet?
Janë të gjithë kompozitorët nga A-ja deri te ZH-ja, por dhe të gjithë këngëtarët, sepse edhe “big”-ët, që nuk marrin pjesë në konkurrim, do të këndojnë gjatë natës së dytë. Do të jenë plot 45 këngëtarë që do të ngjiten në skenë. Sa i përket prurjeve, unë mendoj se krijimtaria është shumë e çuditshme. Nuk mund të them që në këtë festival kompozitorët kanë sjellë këngën hit të karrierës së tyre, por e përgjithshmja është shumë e mirë.

Gara e të mëdhenjve

Edhe pse Pirro Çako thotë që përzgjedhja e të 20-ve ka qenë shumë e vështirë, “lufta” e vërtetë fillon në skenë. Ndër emrat e krijuesve renditen ndër më të mirët si Shpëtim Saraçi, Adrian Hila, Armend Rexhepagiçi, Alfred Kaçinari, Dorian Nini, por edhe të rinj premtues si Florian Mumajesi, Klodian Qafoku, Alban Male. Ndërsa ndër interpretuesit mund të përmendim “West Side Familly”, Rovena Dilo, Besa Kokdhima, Juliana Pasha, Soni Malaj, etj. Kjo do të thotë se gara do të jetë e fortë dhe juria nuk do ta ketë aspak të lehtë të vendosë për fituesin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›