Do lë duhanin brenda Shtëpisë së Bardhë
Megjithëse duhanpirja për presidentin e zgjedhur amerikan ende vazhdon me ritme ‘entuziaste’, Barak Obama do të duhet të sfidojë veten, duke eliminuar duhanin gjatë kohës që do të qëndrojë në Shtëpinë e Bardhë. Kjo nuk është e lejueshme dhe presidenti i ri nuk ka ndër mend të shkelë rregullat. Obama ka pranuar për “Chicago Tribune”, se nuk do të ndezë absolutisht cigaren në Shtëpinë e Bardhë. Edhe gjatë një interviste televizive, Obama pranoi se duhani është një prej shoqëruesve të ditës së tij.
Obama ka provuar disa herë të lërë duhanin, por kjo ka pasur pjesërisht sukses. Rasti i parë i bërë publik ishte kur gruaja e tij, Michele i vuri ‘ultimatum’ ta linte cigaren. Ai ka provuar edhe çimçakiz anti-duhan “Nicorette”, në qershor, ku tha se përfundimisht e la duhanin. Por në nëntor presidenti i ri pranoi se përsëri kishte nisur të pinte me raste ndonjë cigare. “Kam bërë një punë të keqe me veten për sa i përket shëndetit. Por ju siguroj se ju nuk do të shihni shkelje të rregullave, që ekzistojnë në Shtëpinë e Bardhë”, tha Obama. Kjo vlen për brenda Shtëpisë së Bardhë, pasi në Kopshtin e trëndafilave, presidenti mund ta shijojë ndonjë cigare.