Astrit Patozi: Mazhoranca është e gatshme për dialog me opozitën
Mazhoranca vazhdon të qëndrojë e palëkundur në qëndrimin e saj përballë protestës së opozitës, të cilën dje kryetari i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi e cilësoi si pjesë të axhendës personale të kreut socialist Edi Rama. Duke përshëndetur deklaratën e sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Socialiste Europiane, zotit Filip Korderi, e cila bën thirrje për t’i dhënë një zgjidhje të shpejtë ngërçit politik të krijuar në Shqipëri, pas grevës absurde të urisë, të ideuar dhe udhëhequr nga Edi Rama, Patozi u shpreh se mazhoranca është e gatshme ta zbatojë menjëherë propozimin e nisjes në parlament të dialogut me opozitën.
“Ne jemi plotësisht dakord që të ecim përpara me reformën që do t’i paraprinte zgjedhjeve të ardhshme në vend dhe transparencës së plotë të tyre. Dhe në këtë kontekst, dëshiroj të informoj se kjo mazhorancë i ka ofruar zotit Rama bashkëkryesimin dhe vendimmarrjen konsensuale të komisionit parlamentar që do të ngrihet për reformën zgjedhore. Më duhet të bëj të qartë, gjithashtu, se ne i kemi kërkuar zotit Rama dhe partisë së tij që të hartojnë të gjitha amendamentet që dëshirojnë për kodin e ri elektoral, në dritën e sugjerimeve të raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e fundit të Shqipëri. Le t’i dërgojë ato për një vlerësim në Komisionin e Venecias apo në institucionet më të specializuara në botë për vëzhgimin e zgjedhjeve, OSBE-ODHIR, dhe ne nuk kemi asnjë problem që t’i votojmë ato pa asnjë ndryshim”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi. Ai theksoi gjithashtu se Rama e përjetoi keq humbjen e 28 qershorit dhe tani po vepron me mjete radikale, duke shtuar se kryesocialisti po i përjeton protestat si pjesë të axhendës së tij personale.