Berisha, Ramës: Lufta jote me mullinjtë e erës nuk do ta ndalë rrugën evropiane të Shqipërisë
Kryeministri Sali Berisha deklaron se rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në strukturat e Bashkimit Evropian, nuk do mund ta ndalë askush, as beteja e Edi Ramës me mullinjtë e erës, e stisur kjo përmes protestave dhe grevës së urisë. Kreu i qeverisë tha se vendi ecën i sgurtë drejt përmbushjes së idealeve evropiane, në sajë të reformave dhe punës së palodhur të qeverisë. “Rruga e Shqipërisë për në Evropë është absolutisht e pandalshme. Betejat me mullinjtë e erës janë beteja që shqiptarët i lexojnë dhe do t’i lexojnë tek “Don Kishoti” i Servantesit. Asgjë nuk mund të pengojë ecjen drejt atij objektivi madhor që kanë shqiptarët: integrimi në Bashkimin Evropian”, u shpreh shefi i ekzekutivit, Berisha.
Berisha i bëri këto komente gjatë ceremonisë së inaugurimit të Qendrës së Mbyllur të Emigrantëve të Parregullt, në fshatin Kareç, në Maminas, një ndër kriteret e kërkuara nga Bashkimi Evropian, në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave.
Kryeministri i shprehu mirënjohje për Bashkimin Evropian, si financuesi kryesor i kësaj qendre.
Gjithashtu, kryeministri Berisha përgëzoi Policinë e Shtetit, e cila me përgjegjësitë dhe me përmbushjen e detyrimeve të saj ka qëndruar në krye të përpjekjeve për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave të Udhërrëfyesit për vizat. “Janë oficerët e policisë dhe drejtuesit e saj, të cilët në një kohë relativisht të shkurtër, me ndihmën edhe të miqve si qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Evropian, kanë bërë që kufijtë e Shqipërisë të pajisen me sistemet më moderne dixhitale të kontrollit të tyre. Ata kanë bërë që Shqipëria të përcjellë mesazhet e përgjegjësisë së lartë dhe të sigurisë së lartë tek të gjithë partnerët tanë, vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Dua të theksoj se ka qenë një faktor ndër më përcaktuesit të vlerësimeve pozitive në Raportin që Komisioni Evropian ka shpërndarë për vendet anëtare”, u shpreh Berisha.
Kryeministri garantoi të gjithë efektivët e policisë dhe drejtuesit e saj se qeveria shqiptare është e vendosur tu japë mbështetjen maksimale, në mënyrë që ata me profesionalizëm të lartë të përmbushin detyrimet e tyre ligjore, të rrisin gjithnjë e më shumë shkallën e sigurisë në këtë vend, si dhe t’i mbështesë në bashkëpunimin e tyre të shkëlqyer me policitë e vendeve mike dhe partnere për një luftë më efikase kundër krimit e trafiqeve të të gjitha llojeve dhe për kontrollin e kufijve.
L. Quku