Luçiano Boçi: Bllokmenët e rinj kërkojnë pushtetin me dhunë, përveçse me votë
Deputeti i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, Luçiano Boçi denoncoi dje tendencat bolshevike të përfaqësuesve të opozitës, për marrje të pushtetit me dhunë.
Boçi vuri në dukje se ata të cilët për 50 vjet dhunuan dhe torturuan qindra e mijëra shqiptarë, në kohët e sotme bllokmenët e rinj e të vjetër, si baballarët e tyre, duan pushtet me çdo kusht, përveçse me votë.
“Bllokmenët e vjetër mbajtën me dhunë e tortura pushtetin e tyre për 50 vite.
Bllokmenët e vjetër e të rinj, si Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruçi, Ilir Xhelil Gjoni etj, si baballarët e tyre duan vetëm pushtet. Duan me çdo kusht pushtet. Bllokmenët e rinj kërkojnë pushtetin me dhunë, bllokmenët e rinj kërkojnë pushtetin me përplasje.
Bllokmenët e rinj kërkojnë pushtetin në tavolinë. Bllokmenët e rinj kërkojnë pushtet me çdo mjet, bile edhe me çadra në bulevard. Bllokmenët e rinj duan pushtet me çdo kusht, përveçse me votë”, u shpreh deputeti demokrat.
Ai i kujtoi kryesocialistit se në demokraci pushteti fitohet me votë, as me armë siç bllokmenët e kanë traditë, as me mënyrën e re të grevës së urisë.