E Diel, 1 Nëntor 2026

Radikalizimi i situatës e bllokimi i rrugëve prej Edvinit zgjati 4-10 minuta

Strategjia e re e PS: Bllokohen rrugët, irritohen qytetarët. Patozi: Axhenda personale e Edi Ramës është radikalizimi i situatës. Mëhilli: çdo qytetar e merr vesh se ç’po fshehin në çadra, Rama, Ruçi e bllokmenët e rinj


Partia Socialiste ka nisur një strategji të re të protestës, si një formë të përshkallëzimit të saj. Deputetë socialistë dhe militantë të kësaj force politike, më e madhja e opozitës shqiptare, kanë bllokuar për disa minuta akset kryesore rrugore në mbarë vendin, duke shkaktuar tension dhe konfrontime me forcat e policisë. Protestat e drejtuara nga deputetë të Partisë Socialiste kanë patur qëllim të vetëm paralizimin e qarkullimit në të gjithë vendin, çka e pohojnë edhe vetë drejtuesit socialistë, duke sqaruar se në këtë mënyrë synojnë të sensibilizojnë qytetarët me grevën e urisë. Por sipas njoftimeve zyrtare të policisë, suksesi i radikalëve socialistë ka zgjatur vetëm 4-10 minuta, edhe pse është një precedent i rrezikshëm i radikalizimit të situatës. “Gjatë ditës së sotme, një numër i kufizuar i qytetarëve, kanë bllokuar plotësisht ose pjesërisht, për rreth 4-10 minuta, rrugët në akset kryesore të qyteteve, përkatësisht: Në Shkodër, në Krye Bushat në aksin rrugor Shkodër-Lezhë; Në Tiranë, në Rrugën e Elbasanit tek Ura e Farkës; Në Gjirokastër, në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër; në Durrës, në autostradën Durrës-Tiranë, në Shkozet; në Vlorë, në hyrje të qytetit të Vlorës; në Fier, në rrethrrotullimin e Kolonjës, në autostradën Fier-Lushnjë; në Lezhë, tek kryqëzimi i Patokut, në aksin rrugor Lezhë-Laç; në Berat, tek kthesa e Poshnjës, në aksin rrugor Berat-Lushnjë, thuhet ndër të tjera në deklaratën zyrtare. Policia e Shtetit, në zbatim të akteve ligjore, në çdo rast ka marrë masa për të garantuar sigurinë publike, normalizuar trafikun dhe për të shmangur incidentet e mundshme. Në kuadër të këtyre masave dhe në zbatim të ligjit, strukturat e Policisë së Shtetit i bëjnë thirrje qytetarëve për mosbllokimin e akseve rrugore, pasi “pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” përbën vepër penale dhe sipas nenit 293 të Kodit Penal dënohet me gjobë ose me burgim gjer në 3 vjet. Nga strukturat e Policisë së Shtetit po punohet për identifikimin dhe shoqërimin e organizatorëve të këtyre veprimeve të paligjshme në të gjitha qarqet e sipërcituara dhe materialet procedurale për çdo rast do t’i referohen Prokurorisë për veprën penale “pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”, thuhet në njoftim. Por kjo mënyrë për sensibilizimin e qytetarëve me grevën socialiste, ka sjellë irritimin e mijëra qytetarëve, të bllokuar për minuta të tëra befasisht në mes të rrugëve. Strategjia e re e socialistëve, të pakten në ditën e parë të aplikimit të saj, ka dëmtuar vetëm qytetarët e thjeshtë, të majtë e të djathtë, të të gjitha moshave, që u penguan në kryerjen e punëve të tyre të përditshme.



Patozi: Axhenda personale e Edi Ramës është radikalizimi i situatës


Mazhoranca vazhdon të qëndrojë e palëkundur në qëndrimin e saj përballë protestës së opozitës, të cilën sot kryetari i grupit kuvendor demokrat Astrit Patozi e cilësoi si pjesë të axhendës personale të kreut socialist Edi Rama. "Ne jemi gati për nisjen e dialogut në parlament për të realizuar roformat që ka nevojë vendi. Ofertat tona janë serioze dhe nuk mund të qëndrojnë përballe pretekstit apo retorikës më të cilën socialistët po përpiqen të mbajnë gjallë një kauzë që nuk ekziston", u shpreh Patozi, në një prononcim për mediat në kryesinë e kuvendit. Numri një i deputetëve demokratë theksoi se Rama e përjetoi keq humbjen e 28 qershorit dhe tani po vepron me mjete radikale.



Mëhilli: çdo qytetar e merr vesh se ç’po fshehin në çadra, Rama, Ruçi e bllokmenët e rinj


“Për të dymbëdhjetën ditë, Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruci dhe pinjollët e tjerë të bllokut mbajnë të mbyllura për kujdesin shëndetsor zyrtar dyert e burgut që kanë krijuar në mes të bulevardit të Tiranës, duke treguar në këtë mënyrë se të ngujuarit në burgun e tyre i trajtojnë si skllevër e janë të aftë tu ndalojnë atyre edhe të drejtat më elementare që ua garanton Kushtetuta e vendit dhe Konventat ndërkombëtare për të burgosurit, robërit apo grevistët. çfarë fshehin Rama, Ruçi dhe bllokmenët e rinj me moslejimin e shërbimit zyrtar shëndetësor në burgun e tyre ne nuk na intereson. Atë çdo qytetar shqiptar e merr vesh vetë. Por jemi këtu për të dënuar këtë qëndrim çnjerëzor dhe kujdesin e militantëve fanatikë të Partisë Socialiste që me bluza të bardha shkelin çdo rregull dhe cdo kod etik e moral të shërbimit shëndetësor duke u shndërruar në vegël qorre të kryetarit të partisë së tyre vetëm e vetëm për qëllime politike anti - humane e barbare”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›