E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA - BE: Greva e urisë dhe bojkoti, të dëmshme për perspektivën evropiane të Shqipërisë

Zv/ndihmës sekretari i shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Stuart Xhons dënon lëvizjet e pajustifikuara të opozitës, të cilat sipas tij kanë shkaktuar një hendek mosmarrëveshjesh ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. BE: Rama po dëmton integrimin. Garrido-Fule: Greva e urisë nuk ndihmon avancimin e perspektivës evropiane


Shtetet e Bashkuara të Amerikës reagojnë për situatën politike në Shqipëri, duke dënuar bojkotin e parlamentit dhe grevën e urisë së deputetëve dhe simpatizantëve socialistë. Gjatë punimeve të konferencës për Ballkanin, organizuar nga Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, zyrtari i lartë i Washingtonit u shpreh se Shqipëria dhe Kosova po përballen me sfida të përbashkëta në kuadër të integrimit evropian. Duke folur për mosmarrëveshjet e fundit politike në Shqipëri, zëvendës ndihmës sekretari i shtetit për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, Stuart Xhons, tha se ato janë të dëmshme për integrimin evropian të vendit. “Tani po shohim mosmarrëveshje serioze politike në Shqipëri. Greva e urisë, bojkoti, mendoj se janë shumë të dëmshme për perspektivën e Shqipërisë në integrimin evropian. Por faji nuk mund t’i vihet askujt përveç se vetë shqiptarëve”, u shpreh Janush Bugajski, Drejtor i Projektit për Demokracitë e Reja Evropiane në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, po ashtu thotë se gjendja në Shqipëri është serioze kur bëhet fjalë për polarizim dhe kur parlamenti nuk arrin të funksionojë. “Ky është një ngërç që nuk lejon miratimin e ligjeve të rëndësishme, reformave të rëndësishme dhe t’i tregojë Bashkimit Evropian se vendi është i bashkuar të paktën për sa u përket parimeve bazë.” Protestat, thotë z. Bugajski, janë të paparashikueshme dhe nuk dihet rezultati i tyre. Ajo që mund të jetë më e rrezikshme, thotë ai, është paralizimi i mundësisë për qeverisje. Por nëse palët në Shqipëri nuk arrijnë t’i zgjidhin vetë mosmarrëveshjet e tyre, çfarë roli mund të luajë komuniteti ndërkombëtar? “Zgjidhja duhet të vijë nga shqiptarët por mund të ndërmjetësohet nga jashtë. Dhe këtu mendoj se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol të rëndësishëm dhe pozitiv”, vuri në dukje ai. Duke folur për Kosovën dhe sfidat e saj, zoti Xhons, tha se çështja e zgjerimit të njohjeve, mund të gjejë zgjidhje pas vendimit këshillimor nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Megjithatë, ai tha se për Shtetet e Bashkuara kjo çështje është e qartë. “Për sa i përket Shteteve të Bashkuara, çështja e statusit të Kosovës është zgjidhur. Sovraniteti dhe pavarësia e saj janë të pakthyeshme dhe këtë mendim e kanë edhe 22 vende partnere tona evropiane.” Por njoftimet e fundit nga Kosova flasin edhe për sfida të reja brenda vendit. Ja si shprehet zoti Bugajski në lidhje me hetimet e fundit për korrupsion brenda qeverisë. “Mendoj se është mirë që ndodhin, sepse është proces më i hapur hetimi për t’i treguar popullit të Kosovës se askush nuk është i paprekshëm para drejtësisë. Dhe nëse ka korrupsion në nivelet më të larta, atëherë do të ketë hetime, akuza dhe dënime.” Zoti Bugajski thotë se për aq kohë sa hetimet të jenë të drejta dhe të mos bëhen në baza partiake, kjo do të jetë një gjë pozitive. Ndërsa, për reformën në qeverinë e Kosovës, zoti Bugajski thotë se ky ishte vetëm fillimi. “Do të doja që reforma të ishte më e gjerë. Të përfshinte më shumë institucione dhe individë. Të kishte një kontroll më të hollësishëm të pasurive, lidhjeve, rrjeteve të secilit individ në qeveri, në mënyrë që publiku ta dijë se kë po zgjedh”, nënvizoi analisti Bugajski.


Garrido dhe Fule: Greva e urisë nuk ndihmon avancimin e perspektivës evropiane


Duhet të gjendet një dialog kontruktiv mes palëve për zgjidhjen e krizës politike. Kështu janë shprehur përfaqësuesi i Presidencës spanjolle në Bashkimin Europian Hose Garrido dhe kryekomisioneri për zgjerim në Be Stefan Fule një konferencë të përbashkët për shtyp së bashku me zëvendëskryeministrin shqiptar Ilir Meta. Gjithashtu Garrido dhe komisioneri Fule kanë deklaruar se Kuvendi është vendi ku bëhet dialogu politik dhe duke marrë pjesë në Kuvend zgjidhen edhe problemet. Sipas Garridos BE-ja ka vënë re mangësi nga ana e Shqipërisë në plotësimin e disa kërkesave për lirinë e mediave, pavarësinë e administratës dhe gjyqësorit. Por sipas tij ka edhe përmirësime nga pala shqiptare për barazinë gjinore dhe është vënë re edhe zbatimi i e kornizës ligjore. Ndërsa komisioneri për zgjerim Fule theksoi se Shqipëria ka bërë progres përsa i përket urdhërrëfyesin për Shqipërinë duke shtuar se duhet të pritet edhe rekomandimet për përgjigjet e pyetësorit. “KE-ja po e shqyrton, por e vërteta është se ka një hije për shkak të krizës politike në Shqipëri”- theksoi Fule duke shtuar se klima politike në Shqipëri nuk është e favorshme që vendi ynë të avancojë në procesin për anëtarësimin në BE. Nga ana e tij zëvendëskryeministri shqiptar Ilir Meta theksoi se mazhoranca ka qenë gjithmonë e gatshme për një zgjidhje konstruktive me opozitën. Sipas tij mes transparencës së zgjedhjeve dhe Kushtetutës ka hapësira dhe ato janë për adresimin e kërkesave të opozitës. Përsa i përket grevës së urisë të PS-së Meta theksoi se greva nuk është mjeti i duhur për zgjidhjen e problemeve. Deklaratat e bëra nga përfaqësuesi i Presidencës spanjolle në Bashkimin Europian Hose Garrido dhe kryekomisioneri për zgjerim në Be Stefan Fule u bënë pas mbledhjes së komitetit për Stabilizim Asociimin Shqipëri-BE.


Brukseli deklaron se është e pajustifikueshme reprezalja politike, në një kohë kur vendi po synon të bashkohet me familjen e madhe evropiane


Përfaqësues të lartë të Parlamentit Evropian shprehen se sjellja e opozitës shqiptare pritet të reflektojë në ngadalësimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. Ky konkluzion i është përcjellë zv/kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm Ilir Meta, pas takimeve të zhvilluara në Bruksel me zv/presidentin e Parlamentit Evropian, Miguel Angel Martinez Martinez dhe eurodeputetin gjerman Alexander Graff Lambsdorff. Zv/presidenti i PE-së u shpreh se është për të ardhur me të vërtetë keq, që në këtë moment të aspiratave europiane për Shqipërinë, vendi të jetë kaq i përçarë dhe të ketë kaq shumë konfrontime. “Kur kujtoj rrugën e integrimit europian të Spanjës, ne kemi patur dhe kemi konfrontime midis forcave politike, por kur bëhet fjala për politikën e jashtme dhe sidomos politikën europiane, ne jemi bashkuar dhe e kemi bërë politikën e integrimit një politikë shteti, duke i zgjidhur problemet tona të brenda për brenda”, deklaroi ai. Nga ana tjetër eurodeputeti gjerman, Lambsdorff, deklaroi se “duke u parë nga Brukseli, ne duam të shohim një parlament që funksionon dhe që rregullat e lojës parësore të një demokracie të pranohen dhe të aplikohen për të gjithë”. 2Do të ishte mirë të ekzistonte një marrëdhëne më konstruktive midis qevrisë dhe opozitës”, vuri në dukje ai. Por eurodeputetët, ashtu si dhe Komisioni Europian janë të vendosur që të mos bëjnë lidhjen e situatës politike me çështjen e liberalizimit të vizave. Lidhur me këtë fakt, zv/presidenti i PE-së Martinez deklaroi se “është përgjegjësia jonë politike është që të mos t’i lidhim këto dy çështje”. “çështja e vizave është një çështje që prek drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë dhe s’do të ishte e drejtë që ne të mos ta kuptonim këtë gjë dhe të ndërmerrnim reprezalje ndaj qytetarëve shqiptarë. është në interesin tonë, që të bëhet sa më mirë për qytetarët shqiptarë”, thotë ai. Eurodeputeti Lambsdorff theksoi se “për liberalizimin e vizave, ne kemi një udhërrëfyes dhe është një proces teknik”. “Besoj, se situata aktuale nuk do të ketë impakt mbi procesin e liberalizimit të vizave. është më shumë çështje kulture demokratike dhe ne shpresojmë, që të shohim një demokraci parlamentare më të fort në Shqipëri”, u shpreh ai. Nga ana tjetër, Miguel Angel Martinez Martinez, zv/presidenti i PE-së, tha se “situata politike s’ka impakt te vizat, por rrjedhojat janë për integrimin evropian”. “Ne presim të gjithë që 2010 të jetë viti ku Shqipëria të marrë statusin e kandidatit dhe kur të fillojnë negociatat. Por në këto kushte, është shumë e vështirë për të imagjinuar negociata, pasi para së gjithash, kërkohet një marrëveshje midis palëve sikur edhe vetëm për t’u ulur në tavolinë”, deklaroi zyrtari i lartë i Parlamentit Evropian.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›