Poni: Tirana duhet të çlirohet nga pengmarrja e Edi Ramës dhe klanit mafioz të Koços

Këshilltarët demokratë në Bashkinë e Tiranës, mbështesin nismën e kryeministrit Berisha për restaurimin e sheshit “Skënderbej”
Grupi i Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës përshëndet angazhimin e qeverisë shqiptare për të ndërhyrë sa më parë në përmirësimin e infrastrukturës në sheshin qendror të kryeqytetit. Kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Ferdinand Poni u shpreh se ndërhyrja e qeverisë dhe me kontribut të veçantë të vetë kryeministrit Sali Berisha, është e vetmja shpresë për të çliruar këtë hapësirë publike nga skampja infrastrukturore dhe njëherazi për të dhënë një mesazh të qartë se Tirana nuk mund të mbetet peng i pengmarrjes politike të kryetarit të detyrë, Edi Rama dhe klaneve mafioze me në krye Koço Kokëdhimën. “Grupi i këshilltarëve të Partisë Demokratike, mbështet fuqimisht inisiativën e Qeverisë shqiptare dhe Kryeministrit Berisha për ndihmën dhe kontributin për t’i dhënë fund gjëndjes katastrofike në sheshin qendror të kryeqytetit dhe të shqiptarëve në sheshin “Skënderbej”. Kjo gjendje e mjerueshme e sheshit “Skënderbej” e denoncuar sa e sa herë nga këshilltarët e bashkisë së Tiranës është krijuar për shkak të nënshtrimit të Edi Ramës ndaj politikës dhe klaneve mafioze të Kokëdhimes e kompani. Aq i turpshëm e dëmtues është ky nënshtrim sa ka devijuar, ka penguar edhe vetë planin francez të shpallur e proklamuar me aq bujë nga Rama”, u shpreh Poni. Këshilltari i PD-së në bashkinë e Tiranës dhe njëherazi zv/ministër i Brendshëm, Ferdinand Poni, lajmëroi se “në mbledhjen më të parë të Këshillit Bashkiak, që do therrasim, ne do të solidarizohemi edhe formalisht e juridikisht me këtë kontribut të qeverisë shqiptare, për qytetarët e Tiranës, për qytetarët e Shqipërisë; për t’i larguar ata nga purgatori apo ferri i Ramës dhe shoqërive të tij, (alias Kokedhimës) të ndërtimit e interesit. Punimet në sheshin qëndror të kryeqytetit pritet të nisin brenda një jave. Grupi i ekspertëve të Ministrisë së Punëve Publike dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve, përfundoi dje matjet topografike dhe përcolli lajmin e mirë se brenda një kohe të shkurtër punimet për përmirësimin e infrastrukturës së sheshit “Skënderbej” do t’i kthejnë kësaj hapësire të rëndësishme “fytyrën” e vërtetë.
...