E Diel, 1 Nëntor 2026

Astrit Zejnati: Amerika më ka kthyer në një makinë pune

Astrit Zejnati është një prej artistëve që pasionin zgjodhi ta kultivojë në skenat e huaja. I dalë nga shkolla shqiptare e baletit, me pedagog Ilir Kernin, prej disa vitesh interpreton në skenat amerikane. Sot është solist i teatrit të Arizonës. Këto ditë ndodhet në Tiranë, i ftuar nga koreografi tjetër shqiptar, Leonard Xhokaxhi (Ajkun), i cili nesër do të ngjisë në skenë premierat e dy suiteve të baletit "Rajmonda" dhe "Spartaku". Zejnati vjen në rolin e Jean de Brienn, i dashuruar pas bukuroshes Rajmondë, një nga baletet e fundit romantikë. Në këtë rikthim, Zejnati, i cili tashmë është pozicionuar si balerin profesionist, sheh ende probleme në trupën shqiptare të baletit. Kjo për sa i përket pasurimit të tyre me eksperienca të teknikave të të kërcyerit që ofrojnë shkollat e vendeve të tjera. Tregon se rrugëtimi i tij ka qenë i vështirë, ndërsa vazhdon të investojë për veten, në një vend ku tregu artistik është shumë përzgjedhës.

Riktheheni për të interpretuar në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit. Cilat janë ndjesitë e para?

Vetëm një vit më parë unë erdha bashkë me Leonard Xhokaxhi (Ajkun) për të interpretuar në Durrës në aktivitetin "Mbrëmja magjike e baletit". Nuk kisha kërcyer asnjëherë atje dhe u ndjeva i emocionuar kur auditoriumi u mbush plot. Po prisja me padurim një rikthim të mundshëm dh ja ku ndodhem tani, për t‘u ngjitur në skenën e Teatrit të Operës. Është një ndjesi e veçantë sa herë që interpreton për publikun e vendit tënd, ndonëse kudo ku kam kërcyer më kanë pritur me ngrohtësi.

Keni rolin e solistit në baletin "Rajmonda". Sa e njihni ju këtë karakter?

Është një balet romantik, një histori e penguar dashurie mes një çifti të rinjsh, të cilin e kam interpretuar edhe më parë me trupën e baletit të Arizonës. Është një balet klasik, por nuk kërkon vetëm mjeshtëri të kërcimit, por edhe të karakterit.

Ndonëse shkolla jonë na ndihmon në këtë pikëpamje, besoj se performanca në skenë ka të bëjë edhe me mënyrën se si e ndien të kërcyerit. Nëse je kërcimtar në shpirt, interpreton çdo gjë. Unë kërcej me pasion dhe kjo është e rëndësishme për çdo gjini të artit.

Prej disa vitesh ju ushtroni profesionin tuaj në Amerikë. Si ka qenë rrugëtimi juaj?

Në fillim, atëherë kur vendosa të largohesha nga Shqipëria, m‘u dha rasti që një biznesmen kosovar më ndihmoi të shkoja në Amerikë. Por në momentin që arrita atje, fati nuk të bënte më punë. Duhet të ambientohesha ose të kthehesha mbrapsht. Ishte një "betejë" e vështirë me veten, kalova edhe kohë të vështira në një vend që minimalisht nuk i njihja as gjuhën. Amerika është një botë tjetër. Ndonëse njerëzit janë mikpritës, shoqëria funksion mbi një mekanizëm të tillë që, nëse nuk i përshtatesh, të përjashton. Atje gjeta dhe vazhdon të jetë edhe sot një konkurrencë e madhe mes balerinëve. Kërcimtarët vijnë me tonelata e jo me kile. Unë jap mësim në pesë akademi që ndodhen vetëm në qytetin tim. Janë rreth 7000 mijë studentë që ushtrohen për t‘u ngjitur nesër në skenë.

Si funksionon mekanizmi i përzgjedhjes në këtë treg artistik?

Gjithçka varet nga nevojat për plotësimin e organikës së teatrit, apo nevojat e koreografit në momentin që vendos të ngjisë në skenë një shfaqje baleti. Merr solistë kur i mungon një figurë e tillë dhe kur i duhen kërcimtarë trupe, kërkon për ta. Por gjithnjë e më shumë vihet re një prirje e drejtorëve për të rinjtë, që të kenë mundësi t‘i përpunojnë sipas interesave të tyre. Baleti në këtë rast ngjan me një skuadër futbolli. Të gjithë luajnë në fushë, por secili trajner ka teknikat e tij dhe mënyrat se si i vendos lojtarët. E njëjta gjë ndodh edhe me baletin. Gjithsesi, në Amerikë shteti sponsorizon vetëm 10% të kompanive artistike. Ato funksionojnë mbi donacione dhe në këtë rast përcaktimi i repertorit të shfaqjeve bazohet në vetë specifikën e teatrove.

Prej disa vitesh ju interpretoni në skenën amerikane e më gjerë, aktualisht si solist i Teatrit të Arizonës. A ndihesh i plotësuar profesionalisht?

Padyshim. Nëse nuk do të isha i kënaqur, nuk do të qëndroja më atje. Amerika më ka kthyer në një "makinë pune", gjatë gjithë kohës duhet të jesh i përgatitur, të jesh në formë dhe kjo kërkon angazhim. Ka shumë pak tolerancë për sa i përket etikës së punës. Nëse neglizhon, drejtuesit të përjashtojnë menjëherë e nuk të lënë të bëhesh shembull i keq për kërcimtarët e tjerë. Gjithmonë kam pasur ambicie në rrugën që kam zgjedhur. Gjithnjë duhej të isha i pari dhe nuk ia kam lejuar vetes ndryshe.

Përveçse kërceni ju jepni edhe mësime baleti. Vetë keni dalë nga shkolla shqiptare, e njohur për orientimin klasik dhe keni vite që bashkëpunoni me koreografë të huaj. Cilën metodë praktikoni në rolin e pedagogut?

Baleti është zhvilluar. Shkolla jonë është ruse, por pak e vjetër. Teknikat e kërcimit janë përsosur më tej, e nuk ngulmohet më në pozat statike të balerinëve në skenë. Gjithsesi, të jesh kërcimtar i mirë, nuk do të thotë të jesh edhe pedagog i mirë. Unë mundohem që kur jap mësime t‘u shpjegoj studentëve mbi bazën e përvojës sime si balerin. Ky është një profesion që nuk ka parësore literaturën. Kam parë edhe pedagogë që nuk janë ngjitur kurrë në skenë e japin mësim. Kjo për mua është e gabuar. Një balerin që nuk ka qëndruar asnjëherë mbi puante, që nuk e ka ndier asnjëherë këtë ndjesi, nuk ka se si ta shpjegojë atë. Punoj kryesisht në mënyrë private me kërcimtarë që kanë të dhëna dhe duan të bëhen profesionistë, por vetëm tani e kuptoj se sa e lodhshme është të jesh pedagog. Pedagogu im ka qenë Ilir Kerni dhe unë jam i vetmi student i tij, mes tetë djemve, që kam vazhduar të kërcej zanatin që ai më ka mësuar. Në të njëjtin kurs ka qenë edhe Kledi Kadiu, por angazhimi i tij në Itali është me baletin modern.

Vazhdon komunikimi me Kernin?

Po. Ai më ftoi për një shfaqje në Zagreb. Ishte një takim pas shumë vitesh dhe një shfaqje shumë emocionale interpretimi krah tij. Tani e respektoj akoma më shumë, kur kujtoj se ai interpretonte si balerin e më pas vinte të jepte mësim.

Si i gjen balerinët e Teatrit të Operës?

Me probleme. Janë të talentuar, por uroja që të kishin pak më shumë respekt për veten e tyre dhe për atë që kanë bërë. Kemi derdhur djersë 8 vjet shkolle, por ky është vetëm fillimi për një balerin. Nuk duhet pretenduar profesionalizëm me kaq. Këtë e kuptova kur shkova jashtë dhe pashë se duhet të punoja shumë me veten. Do të doja që të kishte pak më shumë shkëmbim eksperience, sepse shoh që ata i mirëpresin këto bashkëpunime. Mendoja se në këtë pikëpamje ishim në një stad tjetër.

Partnerja jote është Erisa Gina. Sa përshtatje ke gjetur, qoftë edhe me trupën e baletit?

Erisa është balerinë e mirë. Kam kërcyer edhe me vajza shumë më të vështira. Kemi pasur një përshtatje, e cila u duk që nga fillimi i provave. Ishim gati të ngjiteshim në skenë që pas ditëve të para.

Ku do të përqendrohet në të ardhmen gjithë investimi që ju keni bërë për këtë profesion?

Për momentin po mundohem t‘i bëj hyzmetin zanatit që kam, deri sa të mundem. Kam gati 20 vjet që merrem me balet dhe kam qenë me fat që kam bërë diçka me pasion. Ndoshta do të provoj koreografinë e të vendos disa balete në skenë. Gjatë karrierës sime kam kërcyer rreth 700 balete. Kam provuar diçka, por atje nuk është e lehtë të tentosh, sepse je gjithnjë në kërcënimin e rezultatit. Gjithsesi skena tani mbetet parësore. Për mua krijimi është pika që të çon drejt shkëputjes prej saj.

Baleti më i afërt që do të interpretoni pas skenës shqiptare?

Jemi në përgatitje të "Liqenit të mjellmave" me trupën e baletit të teatrit ku punoj. Është një balet që e kam për zemër, në të cilin duhet të jesh partner dhe aktor i mirë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›