E Shtunë, 31 Tetor 2026

Astronautet kineze, vetëm nëna të martuara

Ndërsa numri i femrave që duan të “pushtojnë” qiellin duke u punësuar si astronaute sa vjen e rritet në Kinë, një kërkesë e veçantë i është shtuar listës së pikave që ato duhet të përmbushin: mëmësia

Në Kinë, meshkujt të cilët kanë zgjedhur t’ia dedikojnë jetën kërkimeve hapësinore dhe astronomisë, përfshi edhe planet për fluturimet e ardhshme, konsiderohen si “qenie supernjerëzore”. Kjo, jo vetëm për shkak se ata tentojnë të kapërcejnë barrierat njerëzore. Arsyeja e vërtetë është se kandidatët, për t’u marrë me këtë profesion, duhet të kalojnë një seri provash të jashtëzakonshme, të cilat mund t’i kalojë vetëm një qenie afër së përsosurës në të gjitha kuptimet. Bëhet fjalë për standarde që i afrohen së pamundurës, por që gjithsesi arrihen nga një grusht njerëzish, të cilët më pas i kanë të gjitha mundësitë në dispozicion për të kaluar edhe kufijtë njerëzorë, në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Një nga standardet është ai fizik. Astronautët kinezë nuk duhet që të vuajnë nga dhembja kronike e grykës apo rrjedhja e hundëve që u ndodh rëndom njerëzve, veçanërisht në stinën e dimrit. Nuk duhet të kenë probleme me lloje të ndryshme ushqimi për shkak të sëmundjeve, apo alergjive, nuk duhet që të kenë një të folur me theks nga provincat. Skualifikohen menjëherë edhe ata që u vjen goja erë, që kanë një erë djerse e trupi jashtë normales, apo natën kanë probleme me gërhitjen. E nëse meshkujt që përzgjidhen të merren me detyrat e qiellit duhet të jenë kaq të rrallë e të pastër, të tilla duhet të jenë edhe femrat, të cilat e synojnë një pozicion dhe punë të tillë të rrallë. Në rastin e tyre përcaktohen dhe dy kritere shtesë të çuditshme. Pasi një grua i ka kaluar të gjitha provat e forcës së mendjes dhe të trupit, ajo mund të mos kualifikohet nëse nuk është bashkëshorte dhe nënë. Sipas personave që merren me përcaktimin e kërkesave, fluturimet në hapësirë ka shumë të ngjarë që të dëmtojnë fertilitetin te femrat. “Do të ishte për të ardhur keq nëse do të ndodhte një gjë e tillë, sepse nuk është mirë që të mbash përgjegjësi të kësaj natyre”, deklaron drejtori i Qendrës Mjekësore Aerohapësinore në Pekin dhe një nga anëtarët e panelit të zgjedhur për të bërë vlerësimin e astronautëve. “Edhe pse nuk kemi prova të shumta për mënyrën se si fluturimet në hapësirë ndikojnë në fertilitetin femëror, duhet që të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm që të mos i dëmtojmë personat që punojnë për hapësirën”, vazhdon drejtori. Sipas tij, kur kandidatja ka edhe fëmijë, atëherë planifikimi i familjes gjithsesi nuk prishet me dërgimin e personit në hapësirë.

Ndërkaq sipas një panelisti tjetër, arsyeja e vërtetë që qëndron pas kësaj kërkese është se gratë e martuara dhe me fëmijë janë më të pjekura fizikisht dhe psikologjikisht. Sigurisht që ky nuk është rasti i Lisa Nowak, ish-astronautja e NASA-s, e cila pas disa muajsh fluturimi në bordin e anijes “Discovery”, u arrestua në Florida, për akuzën e tentativës së grabitjes së të dashurës së një kolegu të saj. Pas gjykimit, ajo u dënua me një vit burg, sepse sipas mjekëve, qëndrimi i gjatë në kontakt me disa rrezatime mund t’i kishte shkaktuar një dëm cerebral. Të mendosh që Nowak në atë kohë ishte e martuar dhe me tre fëmijë. Disa psikologë, nga ana tjetër, menduan se ndoshta sjellja e saj kishte ardhur si pasojë e presionit të madh në të cilën ndodhej, si për sa i përket karrierës, ashtu edhe fëmijëve dhe kërkesave të tyre. Të rrisësh tre fëmijë dhe të fluturosh në hapësirë, duke pasur parasysh të gjitha parapërgatitjet që duhen për një gjë të tillë, është një sfidë e vërtetë. Në fakt, në rastet e personave që kanë familje dhe karriera të vështira, aty ku mungon balanca dhe karriera kërkon shumë, një person mund të ketë probleme psikologjike, si mungesë gjumi, çrregullime stresi që pasqyrohen te mënyra e të ushqyerit dhe te një seri gjërash të tjera.

Jashtë Kinës, pjesa më e madhe e grave astronaute nuk kanë fëmijë dhe kjo jo sepse nuk kanë mundësi, por sepse e kanë vonuar qëllimisht këtë vendim, duke e ditur mirë se sa e vështirë është që të kesh një karrierë që kërkon shumë impenjim dhe një familje që dihet se kërkon një pjesë të madhe të kohës dhe të energjive. Ka edhe disa pak astronaute të cilat kanë vendosur që të sillnin fillimisht fëmijët në jetë në një fazë të hershme, për të qenë të lira më pas. Kjo sepse në rast se do t’i ishin futur punës duke qenë shtatzëna, nuk do të kishin pasur mundësi që të kryenin një pjesë të trajnimeve.

Në Kinë, gjërat janë pak ndryshe. Përveç arsyeve të mësipërme, të qenurit nënë është pjesë e pandashme e jetës së një gruaje, pa të cilën vlera e saj do të binte shumë. Sigurisht është një këndvështrim që ka qenë më i fortë në të shkuarën, por që aktualisht vazhdon të mbetet pikë referimi. Kështu kinezët do të donin që imazhit të një astronauteje t’i bashkëngjisnin edhe atë të një bashkëshorteje dhe një nëne, që në njëfarë mënyre është imazhi i një gruaje të kompletuar. Imazhi i përkryer i një femre është ai i gruas së martuar me fëmijë dhe në karrierë. Ky imazh e gjen pasqyrim dhe në kërkesat për astronaute. Edhe një kuriozitet tjetër, meqenëse jemi në këtë fushë. Vitet e fundit, kërkesat nga femrat për të marrë pjesë në këto fluturime janë shtuar shumë, madje sipas disave, brenda një kohe të shkurtër ato do të barazohen me kërkesat e meshkujve për t’u marrë me një profesion të tillë, pa dyshim me një të ardhme të madhe.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›