E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekësia shqiptare kopjon atë ndërkombëtare

Protokolle standarde për shërbimet kryesore spitalore. Kërkohet përvoja dhe fjala e fundit e shkencës

Të jesh mjek me përvojë nuk do të thotë se mund të japësh maksimumin në trajtimin e pacientëve apo kurimin e sëmundjeve. Sigurisht që eksperienca të bën të punosh me “superlativa”, megjithatë evoluimi i shkencës, fjala e fundit e teknologjisë, trajtimet e metodat e mjekimit bashkëkohor zënë një vend të rëndësishëm në kurimin e sëmundjeve, sidomos për diagnoza të veçanta e më të shpeshta. Të gjitha këto janë vendosur në dukje shpeshherë jo vetëm nga mjekët, por edhe nga institucionet shëndetësore, të cilat kërkojnë trajtime e edukim në vazhdimësi për të gjithë mjekët, por tashmë gjithçka do të zyrtarizohet.

Kjo do të thotë që stafet e mjekëve, të cilët punojnë në shërbimet kryesore të spitalit “Nënë Tereza”, do të mendojnë seriozisht për të publikuar periodikisht udhërrëfyesit apo protokollet standarde të mjekimit të pacientëve. Kushti i vendosur është gërshetimi i përvojës në punë, si dhe përfshirja e elementeve të fundit të enciklopedive mjekësore, shkencës, teknologjisë me të cilën trajtohen pacientët në Perëndim.

Protokollet dhe udhërrëfyesit

Udhërrëfyesit klinikë janë botime mjekësore relativisht të shkurtuara, të cilat krijohen për t’u ardhur në ndihmë profesionistëve të mjekësisë dhe pacientëve për marrjen e vendimit më të mirë në trajtimin e tyre. Hartimi i udhërrëfyesve është i nevojshëm, pasi mundëson dhe siguron trajtimin e pacientit në përputhje me literaturën bashkëkohore të bazuar në evidencë.

Do të jenë pikërisht katër grupe të mëdha, të ndara përkatësisht: pediatria dhe neuroshkenca, kirurgjia, sëmundjet e brendshme dhe onkologjia, të cilat kanë marrë edhe udhëzimet që duhet të ndjekin. “Për hartimin e protokolleve nuk duhet të jetë vetëm eksperienca juaj, por të ketë edhe evidencë. Duhet të zgjidhni disa modele të protokolleve dhe ato duhet të përpunohen e të përshtaten sipas sistemit tonë, në mënyrë që të jetë praktik për t’u zbatuar”, ka pohuar drejtori i Qendrës së Matjes së Cilësisë dhe Sigurisë në Institucionet Shëndetësore, Isuf Kalo.
Hartimi i protokolleve, udhërrëfyesve, që më pas do të sjellë edhe kostot, do të bëjë të mundur që çdo shërbim shëndetësor në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” të ketë koston e tij.

Grupet e punës

Në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” u ngritën dje katër grupet kryesore për hartimin e protokolleve të mjekimit dhe udhërrëfyesve. Në praninë e drejtorit të QSUT-së, Ilir Dashi, dhe drejtorit të Qendrës Kombëtare të Cilësisë, Sigurisë dhe Akreditimit të Institucioneve Shëndetësore, Isuf Kalo, mjekët dhe shefat e shërbimeve janë njohur më punën dhe rrugën që duhet të ndjekin. Duke e quajtur si sfidën e vitit hartimin e protokolleve dhe udhërrëfyesve, drejtori i QSUT-së ka pohuar se kjo është një detyrë që duhet bërë.

“Sot ju do të merrni të gjitha udhëzimet e duhura për të nisur punën. Ky është një aksion i madh, detyrë e lënë nga qeveria dhe që duhet të përfundohet brenda këtij viti. Ne jemi aktorët kryesorë të bërjes së protokolleve dhe udhërrëfyesve, ndaj do të kërkoja që sa më shpejt të zgjidhni kryetarin e grupit dhe të nisni punën, e cila do të mbikëqyret nga shefat e pavijoneve”, sqaroi Ilir Dashi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›