Tiranë, fillon puna për korsitë e rezervuara
Në kryeqytet ka nisur dje nga zbatimi projekti “Transporti multimodal/korsitë e dedikuara dhe rritja e sigurisë rrugore”. Shembulli i parë i tij filloi në rrugën përpara Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë. Ky projekt parashikon punimet e ndërtimit të sinjalistikës për sistemimin e infrastrukturës së rrugëve dhe trotuareve. Kjo do të bëhet sipas parimit të shpërndarjes së sipërfaqes së rrugës për çdo përdorues, si makina private, transporti publik apo këmbësorët. Prioritet do të kenë mjetet e shërbimit publik, lëvizja me biçikleta, si dhe ajo këmbësore. Drejtuesit e Bashkisë së Tiranës gjatë nisjes së punimeve për realizimin e këtij projekti janë shprehur se përmes tij do të përmbyset situata ekzistuese dhe do të krijohet një standard i ri bashkëkohor në lëvizje. Ata shpjegojnë se mjetet e shërbimit publik, si autobusët, ambulancat, biçikletat, por edhe këmbësorët do të marrin prioritet në lëvizjen në rrugë, në raport me makinat/mjetet private. Në fazën e parë do të kryhet vendosja e korsisë së rezervuar “Bus”, në disa pjesë të rrugëve, në ato më kryesore të qytetit si Rruga e Kavajës (segmenti qendër-sheshi “Ataturk”), Rruga e Durrësit (segmenti qendër–sheshi “Karl Topia”), rruga “Mine Peza”, bulevardi “Zhan Dark”, bulevardi “Gjergj Fishta”, bulevardi “Bajram Curri”, rruga “Muhamet Gjollesha”, bulevardi “Zogu i Parë”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Sulejman Delvina”, Rruga e Dibrës (nga Farmacia 10 deri tek ish-Ndërmarrja Rruga/Ura). Po kështu do të vendosen edhe korsitë e rezervuara “Biçikletë”. Në këtë fazë është parashikuar edhe sistemimi i kalimeve të këmbësorëve në kryqëzime, shënjimi i ndarësve të trafikut, si edhe vendkalimet përgjatë akseve rrugore, duke marrë në konsideratë standardet që kërkon lëvizja e njerëzve me aftësi të kufizuara. Në trotuar për herë të parë do të vendosen edhe pllaka për të verbrit. Janë rreth 390 rampa që ndërtohen, me qëllim rritjen e lehtësisë së lëvizjes së këmbësorëve. Plani parashikon edhe rikonceptimin e 14 kryqëzimeve për një menaxhim më të mirë të trafikut. Si shembull i këtij menaxhimi është marrë kryqëzimi te Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, duke mundësuar një rimenaxhim të trafikut dhe flukseve të lëvizjes. Projekti përfshin edhe vendosjen e sinjaleve rrugore dhe elementëve të sigurisë, si ndarësit plastikë të korsisë së rezervuar “Bus”. Korsia e biçikletës në kryqëzime do jetë e dallueshme, me ngjyrë dhe e shoqëruar me sinjalizimin përkatës, përgjatë vazhdimësisë së saj. Do të ketë sinjale të ndriçueshme dhe elektronikë për lëvizjen këmbësore. Nuk do të mungojnë as sinjalet elektronike për lëvizjen e mjeteve “Bus” dhe korsive të biçikletës. Premtohet të realizohet edhe sinjalizimi tabelor dhe vijëzimi përkatës. “Ky është projekti që esencialisht modernizon një shkallë më tutje infrastrukturën e lëvizjes në kryeqytet, duke krijuar premisa të mirëfillta për lehtësimin e trafikut në të ardhmen, pavarësisht shtimit të numrit të makinave”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Përgjatë të gjithë vitit 2010, Bashkia e Tiranës do të vërë në zbatim dhe do t’i prezantojë qytetarëve të Tiranës disa projekte të rëndësishme, me anë të të cilave do të zbatojë në terren planin e masave që rekomandohen si zgjidhje të problemeve të transportit, nga masterplani për zhvillimin e transportit të qëndrueshëm për qytetin e Tiranës (2020).
#