E Diel, 1 Nëntor 2026

Sfida e fundit e Aubenas

E rrëmbyer në Bagdad dhe e liruar pas pesë muajsh, gazetarja ka nisur të flasë sërish për veten, me një libër bestseller, ku tregon gjashtë muaj në anonimat, kur punoi si pastruese për të parë se çfarë torturash kalonin njerëzit për të gjetur një punë Nga Iraku te jeta si pastruese

Në kartën e re të identitetit, Florence Aubenas nuk njihet fare. Flokë biondë, syze të vogla për të mbuluar shikimin dhe një fytyrë e qetë. Një imazh krejt i ndryshëm nga ai që të gjithë kujtojnë të varur në “Hotel de la Ville” në dimrin e vitit 2005, kur u sekuestrua në Irak. Lufta dhe burgu duken një histori e largët tashmë. Gazetarja franceze tani ka ndërruar aspekt, ka ndryshuar jetë. Por jo zanat. U transferua në Caen, në Normandi, duke u regjistruar në listën e të papunëve si një punëtore e thjeshtë që mund të bëjë çdo lloj pune. Pastruese “part time”, që nuk fitonte më shumë se 700 euro në muaj. Në mëngjes, në stacionet e shërbimit ku ndalonin drejtuesit e kamionëve, në darkë në kabinat e trageteve që niseshin për në Angli, ku duhej të pastronte gjithçka jo më shumë se për tre minuta. “Quai de Ouistreham”, emri i portit në Kanalin La Mansh, është bërë titulli i librit që po zgjon indinjatën e francezëve për botën ku jetojnë. “Kur erdhi kriza, kishe përshtypjen se po flitej për diçka të huaj që nuk na prekte drejtpërdrejt”, tregon Aubenas. Në ditët e para, 25 mijë kopjet e librit u shitën sa hap e mbyll sytë. Botuesi De L’Oliver rishtypi më shumë se 100 mijë të tjera. Aubenas, 48 vjeçe, shfaqet në televizion, flet në radio dhe është rikthyer në një heroinë kombëtare, njëlloj si atëherë kur zbriti nga avioni që vinte nga Bagdadi më 12 qershor të 2005-s. Për ta pritur kishte dalë edhe Presidenti i vendit, Zhak Shirak. Florence, e cila ka punuar shumë vite për “Liberation”, ndërsa tani për “Nouvel Observateur”, një vit të tërë e mbajti sekret aventurën e saj gazetareske. Kolegëve u tha se do të shkonte në Marok për të shkruar një libër. “Vetëm miqtë e mi të ngushtë e dinin të vërtetën”. Mori me qira një dhomë të pa mobiluar, leu flokët, hoqi lentet dhe vendosi syze miope. Asnjë nuk e njohu. Nuk ishte e vështirë të gjesh anonimatin. Në të vërtetë askush nuk e sheh me vëmendje një pastruese. Sipas të dhënave, 20 për qind e popullsisë aktive është në rrezik. është një botë ku nuk ekzistojnë të drejtat. Florence zbuloi njerëz me shpinën të dërrmuar nga lodhja, por gati për gjithçka, të gatshëm për të punuar në të zezë apo me kontrata të dyshimta, pa kontribute, poshtë rrogës minimale të vendosur nga ligji. Në ndërmarrjet e pastrimeve, vetëm 0.8 për qind e punonjësve bënte pjesë në ndonjë sindikatë. “Nuk është një realitet homogjen dhe as homolog. Ka të rinj dhe pleq, njerëz të dëshpëruar dhe të tjerë plot ëndrra. Por pashë edhe njerëz me shumë dinjitet për të përballuar këtë lloj jete të vështirë”. Gazetarja përshkoi kilometra të tërë nëpër zyra të mbyllura, bëri bisedime të kota, lexoi lajmërime false duke kërkuar ndihmë nga një burokraci që duket se ekziston vetëm për të dekurajuar ata që kërkojnë punë. Libri i dedikohet edhe makinës së saj, një “Fiat” i “lodhur”, me të cilën ajo përshkoi këtë odise. “Doja të dukesha një person i thjeshtë”, tregon ajo. Në fakt, gazetaria investigative ka edhe precedentë të tjerë të famshëm. Në vitet ‘80, Gunter Wallraff u shtir si emigrant në Gjermani, amerikania Barbara Ehrenreich shkroi “Plaga e urisë” nga përvoja e saj si kameriere. Në Itali, Fabrizio Gatti, përshkroi Saharanë bashkë me klandestinët. “Ka nga ata që thonë se është një transgresion i rregullave të zanatit tonë”, thotë Aubenas. “Më dukej një mundësi e jashtëzakonshme që të kisha kohë dhe mënyrë për t’iu afruar fakteve: ajo që shpesh nuk mund të bëhet nëpër gazeta”. Kjo aventurë e saj zgjati gjashtë muaj. Qëllimi ishte të merrte një kontratë me kohë të papërcaktuar. “Në atë kohë hoqa dorë, nuk duhet t’i vidhja vendin dikujt që kishte vërtet nevojë”. Edhe sot Florence vazhdon të tërheqë të njëjtën vëmendje si atëherë kur u kthye nga një burgosje e padrejtë dhe mizore. Pas 157 ditësh sekuestrimi, dukej e buzëqeshur sikur donte të harronte të gjithë ngjarjen e trishtuar që kishte kaluar. “Duhet lëvizur dhe nuk duhet të qëndrojmë kurrë të kapur vetëm në një fazë të jetës sonë”, tha atëherë. Shkrimtari François Begaudeau i dedikoi një pjesë të shkurtër mënyrës si ajo ishte dukur pas rrëmbimit. Megjithatë, të gjithë mendonin se herët a vonë gazetares do t’i lindë dëshira për të publikuar një libër mbi burgosjen në Irak. “Nuk do ta bëj kurrë”, ta pret shkurt. “Për respekt të njerëzve që ishin me mua dhe sepse nuk dua t’u jap kënaqësi rrëmbyesve të mi që më thoshin se mund të shihja një bestseller me historinë time”.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›