Poleni i luleve, dhjetëra alergjikë në spital
Ngrohja e motit javën e shkuar dhe shfaqja e polenit apo llojeve të luleve të tjera ka sjellë shqetësime për të gjithë personat që vuajnë nga alergjia e luleve.
Në urgjencën e spitalit rajonal të Kukësit paraqiten çdo ditë rreth 40-50 persona për ndihmë shëndetësore. Nga këta, plot 30% vuajnë nga alergjitë që sjell stina. Mjekët sqarojnë se alergjia e këtyre ditëve është fenomen i zakonshëm dhe shkaktohet kryesisht nga lulet e ndryshme, pjalmi i pemëve e drurëve të ndryshëm. Por shkaktohet edhe si pasojë e motit, ndryshimit të menjëhershëm të temperaturave. Ndaj këtyre ndryshimeve personat më të ndjeshëm reagojnë, duke shfaqur alergji apo probleme shëndetësore. Në spitalin e Kukësit mungon mjeku specialist alergolog, për këtë shkak banorët kanë vështirësi në diagnostikimin pranë qendrave të banimit. Në urgjencën e spitalit mjeku i rojës sqaron se alergjitë në të shumtën e rasteve trajtohen nga patologu. “Ne nuk kemi mjek alergolog, por mjekët e tjerë bëjnë sa munden për t’u ardhur në ndihmë personave që preken nga alergjia”, tha mjeku i rojës, Misin Braha, që punon në pediatri. Sipas tij, çdo ditë paraqiten për ndihmë deri në 10 persona. “Këto ditë po shtohet numri i personave të prekur nga alergji të ndryshme dhe fakti që në spitalin e Kukësit nuk ka një specialist alergolog dhe as mundësi teknike për diagnostikimin e alergjive, na detyron që shumë persona t’i drejtojmë në Prizren apo Tiranë”, tha mjeku, duke iu referuar rasteve që kanë nevojë për ndihmë të specializuar dhe emergjente. Nga ana e tyre, patologët tregojnë se në varësi të shkallës dhe llojit të alergjisë pacientëve u jepen preparate antihistominike, kortizon ose adrenalinë, për personat me astmë. Pacientët e prekur nga alergjia, në më të shumtën e rasteve ankohen për kruajtje të lëkurës, puçrra apo njolla të kuqe, kruajtje apo djegie të hundëve. Sipas specialistëve, këto klasifikohen si rinite alergjike, lotim të syve. Në tërësi personave të prekur nga alergjia u jepen qetësues të përgjithshëm, në rastet e alergjive jostinore pacientë të ndryshëm i drejtohen Prizrenit dhe Tiranës.