Matura shtetërore, shtyhet afati i dorëzimit të Formularit A1
MASH: “Koeficientët e shkollave të mesme për Universitetin e Tiranës do të publikohen së shpejti”. Koeficientët e llojit të shkollës së mesme të publikuara pak ditë më parë janë të vlefshëm për plotësimin e Formularit A2
Jonida Tashi
Plotësimi i Formularit A1 do të vazhdojë edhe në ditët në vijim. Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur për gazetën “Albania” se ky dikaster nuk ka përcaktuar ende një afat tjetër përfundimtar për dorëzimin e tij. Bazuar në Rregulloren e Maturës Shtetërore 2008, afati i plotësimit të Formularit A1 përfundonte dje, më 10 mars 2008. Sipas maturantëve, publikimi me vonesë i koeficientëve të lëndëve me zgjedhje të shkollave të mesme ka qenë shkaku kryesor pse disa prej tyre nuk e kanë plotësuar ende këtë formular. Për këtë çështje, shefja e Zyrës së Shtypit në MASH, Ermelinda Muho, sqaroi dje se të gjithë koeficientët e lëndëve me zgjedhje, të cilët aplikohen në sistemin Meritë-Preferencë, janë bërë publikë prej më shumë se një jave në shkollat e mesme. Madje, këtë vit janë shpërndarë edhe broshura informative. “Deri tani nuk ka kërkesë nga Drejtoritë Arsimore Rajonale për shtyrje të afatit për plotësimin e Formularit A1, që këtë vit ishte afro një muaj më herët se vitin e shkuar”, - pohoi Muho. Formulari A1 përmban gjeneralitetet e maturantit dhe 9 lëndët me zgjedhje, nga të cilat maturanti, sipas përgatitjes, prirjes dhe koeficientëve të lëndëve me zgjedhje, do të zgjedhë dy lëndë për provim. Ndërsa lidhur me ankesat e maturantëve për mosnjohjen e koeficientëve sipas llojit të shkollës së mesme për Universitetin e Tiranës, MASH njofton se pas shqyrtimit që do t’u bëjë propozimeve të 11 institucioneve arsimore të larta publike, (përfshirë edhe koeficientin e llojit të shkollës për Universitetin e Tiranës) MASH, që ka kompetencën ligjore të miratimit final, do të marrë një vendim dhe do ta bëjë publik shumë shpejt. Gjithashtu, Ermelinda Muho ka sqaruar maturantët se koeficientët e llojit të shkollës së mesme janë të vlefshëm për plotësimin e Formularit A2, që duhet dorëzuar në muajin maj.
Formulari A1
Maturantët dhe ata nxënës që janë mbetës në vitet e mëparshme, për t’u regjistruar në provimet e Maturës Shtetërore 2008 duhet të plotësojnë Formularin A1. Gjithashtu, Formularin A1 duhet ta plotësojnë edhe nxënësit që kanë mbaruar shkollën e mesme para vitit 2008 dhe që dëshirojnë të japin provimet e lëndëve me zgjedhje për të ndjekur studimet në shkollat e larta. Formulari A1 do të konsiderohet i vlefshëm vetëm nëse ai është plotësuar në mënyrë të saktë dhe të kuptueshme. Në rast të kundërt, ai do të konsiderohet i pavlefshëm dhe ju humbisni të drejtën e regjistrimit. Në rast se një kandidat ka bërë gabim në plotësim, ai mund të bëjë korrigjime duke plotësuar dhe dorëzuar një tjetër Formular A1, brenda afatit të dorëzimit të tij. Pas këtij afati, kandidati nuk ka të drejtë të bëjë ndryshime. Formulari A1 duhet të plotësohet me shkronja të mëdha (kapitale). Formulari A1 në pikën 4 duhet të plotësohet në bashkëpunim me mësuesin kujdestar. Formulari A1 në pikat 5 dhe 12 të plotësohet në bashkëpunim me drejtorin e shkollës. Pasi ta keni plotësuar Formularin A1, dorëzojeni atë pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) ku vazhdoni ose keni mbaruar shkollën. Plotësimi dhe dorëzimi i Formularit A1 fillon më 20 shkurt 2008 dhe përfundon më 10 mars 2008. Formulari A1, pas plotësimit, duhet të kontrollohet me kujdes për saktësinë dhe më pas të firmoset nga nxënësi, mësuesi kujdestar dhe drejtori i shkollës. Çdo formular të vuloset me vulën e shkollës. Pas plotësimit të Formularit A1 bëhet një fotokopje e tij, e cila ruhet në shkollë.
Formulari A2
Formulari A2, i cili do të jetë vendimtar për listimin e degëve që maturantët do të kenë dëshirë për të ndjekur studimet e larta këtë vit, pritet të jetë më i thjeshtë se vitin e kaluar. Për plotësimin e formularit A2, MASH-i do të publikojë listën e plotë të të gjitha degëve të universiteteve publike. Të gjitha këto degë të fakulteteve publike do të gjenden të listuara në Formularin A2, i cili është i vlefshëm për përzgjedhjen e degëve të preferuara ku maturanti dëshiron të studiojë. Në datën 30 qershor 2008 përfundon afati për përzgjedhjen e preferencave për të drejtat e studimit. Maturantët duhet të informohen se disa nga degët e universiteteve ndodhen në filiale jashtë qytetit të Tiranës, siç është rasti i Degës së Turizmit të Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës, por që ndodhet në Sarandë etj. Lista e degëve zë pjesën më të madhe të Formularit A2. Nxënësit duhet ta lexojnë me shumë kujdes këtë listë për të gjetur degët që preferojnë. Për secilin universitet të vendit janë renditur të gjitha degët e tij. Në krah të emërtimit të çdo dege ka një numër me tri shifra, që përfaqëson degën. Duke ndjekur me kujdes listën e degëve, së pari ndaloni në universitetin ku dëshironi të ndiqni studimet. Lexoni me kujdes degët e atij universiteti dhe për një degë që preferoni mbani shënim numrin e degës dhe emërtimin e saj. Për shembull, në Universitetin e Tiranës: 010 Kimi Ushqimore. Po brenda të njëjtit universitet mbani shënim numrin dhe emërtimin e degëve të tjera të preferuara, për shembull, 021 Punë Sociale, e kështu me radhë. Në plotësimin e Formularit A2 keni të drejtë të plotësoni 10 degë të preferuara. Para se të plotësoni preferencat, konsultohuni me familjen, diskutoni me të afërmit dhe formoni një listë me degët e renditura sipas preferencave. E para duhet të zgjidhet dega që preferoni më shumë, e dyta ajo që preferoni nëse nuk do të fitoni në preferencën e parë e kështu me radhë. Mbi këtë bazë të preferencave do të shpallen fituesit për secilën degë, gjithmonë nëse kandidatët kanë mbledhur pikët e nevojshme.
Turqia, 10 bursa universitare për vitin 2008
Në kuadrin e “Programit të Madh të Nxënësve”, Qeveria e Republikës së Turqisë, përmes “Qendrës së Përzgjedhjes dhe Vendosjes së Studentëve”, i ka akorduar Qeverisë së Republikës së Shqipërisë 10 bursa për studime universitare për në universitetet shtetërore turke, për vitin akademik 2008-2009. Të gjithë aplikantët e interesuar për këto bursa duhet t’i nënshtrohen një konkurrimi që organizohet nga Ambasada Turke në Tiranë në datën 20 prill 2008. Regjistrimi i aplikantëve do të bëhet pranë Ambasadës Turke në Tiranë gjatë periudhës 17 mars-11 prill 2008.
Studime me pagesë në Turqi, konkursi më 13 prill
Qeveria turke njoftoi se konkurrimi për studentët shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta privatisht (me pagesë) në universitetet e Turqisë, për vitin akademik 2008-2009, do të zhvillohet në Tiranë më 13 prill 2008 në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës. Formulari i aplikimit, mbasi të plotësohet nga kandidatët, do të dërgohet në Qendrën e Konkursit për Arsimin e Lartë (OSYM-SHB, Bilkent), në Ankara të Turqisë. Kandidatët e interesuar për këto studime të paraqiten pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në MASH për t’u pajisur me materialet e domosdoshme informative dhe formularët përkatës.
Akademia e Sporteve, në qershor me palestër të re
Akademia e vetme sportive në vend do të pajiset këtë vit me një palestër të re moderne e shumëfunksionale, me vlerë 700 mijë euro. Ministri i Arsimit, Genc Pollo, i shoqëruar nga rektori i Akademisë, Vesel Rizvanolli, inspektoi dje punimet në këtë palestër që priten të përfundojnë në qershor të këtij viti. Punimet kanë nisur në shtator të vitit 2007 dhe përfshijnë dy fusha basketbolli, dy fusha volejbolli, ambiente ndihmëse, si dhomë zhveshjeje, dhomë për pedagogun, sallë force, dushe, do të bëhet meremetimi i ambienteve të brendshme të Akademisë, si dhe do të ndërtohet një parking. Për nga përmasat, kjo palestër do të jetë më e madhja në nivel universitar dhe do të mund të funksionojë edhe si një pallat sportesh.
11 Mars 2008