At Mikaili, arrestimi që po zvetënon dhe besimin
Në mëngjes herët, si çdo të diel, besimtarët ortodoksë të Karavastasë, fshatit 10 km nga qendra e komunës Rremas në Lushnjë, i janë drejtuar dje kishës shekullore të Shën Thanasit.
Nga e dërguara jonë në Karavasta, Majlinda Rama
Shumë prej tyre, ndoshta për të verifikuar me sytë e tyre nëse ajo që kishin dëgjuar e parë në televizor e gazeta ishte e saktë: Prifti i kishës së tyre, Mihal Shuli, të cilin e njohin prej 16 vitesh si at Mikaili, ishte arrestuar për trafik klandestinësh.
Edhe pse u shpall me të madhe arrestimi për këtë vepër kriminale të priftit të fshatit, sërish banorët nuk kanë besuar se figura e lartësuar e tij mund të njollosej në këtë mënyrë.
Kështu, vargan-vargan ata janë nisur për në meshën e së dielës, aty ku mund të kryenin ritet e përhershme fetare. Banorët e kësaj zone shquhen për devotshmëri ndaj besimit hyjnor, ku më shumë se 80% e popullsisë e zënë besimtarët ortodoksë. Gjithçka mposhtet si me dorë. Dryni i derës duket se e ka thyer këtë ngrehinë respekti për priftin e tyre. Sapo kanë vënë re derën e mbyllur, besimtarët kanë ndaluar këmbët si për të pohuar zhgënjimin total që i kishte pushtuar këtë të diel të vaposur. Rreth orës 10:30, askush nuk gjendej në kishë, pasi ata që u përshëndetën me muret e jashtme të saj ishin larguar, duke lënë pas vetëm heshtje. Përreth kishës ca varre dhe qiparisa dhe tek-tuk ca selvi që shpërndanin hije mbi kishën.
I vetmi që qëndron në sofatet e jashtme të kishës, në pjesën murale të vjetruar të saj është roja Nikolla Kuqi. Ai duket se ndihet paksa i trishtuar, jo vetëm për faktin e mungesës së at Mikailit, por edhe të firesës në një farë mënyre të numrit të besimtarëve të kishës së Shën Thanasit.
Banorët e zonës të zhgënjyer nga kjo ngjarje janë treguar më të rezervuar se kurrë. Ata e besonin priftin e tyre, duke qenë të bindur se nën zhgunin e fetarit, shërbente njeriu i perëndisë, larg çdo "paudhësie". Por, jo rrallë, ata kishin vënë re edhe ca lëvizje të çuditshme në territorin e kishës, të cilat të linin për të dyshuar. Disa herë, banorët e Karavastasë kishin shkëmbyer dhe thashetheme rreth vizitave vazhdimisht në rritje dhe personave të panjohur që silleshin rreth kishës. Kishte rreth 2 vjet që banorët "breheshin" nga këto dyshime, të cilat u vërtetuan vetëm dy ditë më parë, teksa kanë marrë vesh arrestimin e priftit të fshatit të tyre. "Nuk do ta besoja kurrë. Përveçse ishte tepër autoritar, ai kishte një zemër të madhe. At Mikaili ka qenë shumë korrekt dhe gjithmonë ishte shfaqur njeri i ndershëm dhe familjar i mirë. Po të mos kishim pikasur ato lëvizje përgjatë këtyre kohëve, nuk do ta kishim besuar se kjo do të ishte e vërtetë dhe do ta kishim quajtur një mashtrim të policisë", thotë një prej banorëve. Mili Lika pohon se kishte vënë re shumë lëvizje të dyshimta. "Vinin njerëz të panjohur në orët e vona të natës, shtroheshin dreka dhe darka. Disa herë kam gjetur tryeza me më shumë se 30 vetë, për të cilët prifti më thoshte se po rritej numri i besimtarëve. Ai na thoshte se ky ishte misioni i perëndisë: të shtoheshin radhët e besimtareve nga të gjitha anët. Ne e besonim, por edhe filluam të dyshonim". Ndërkaq, bashkë me psherëtimën dhe një tundje mosbesuese të kokës, një tjetër banor i zonës, me urtësinë që e karakterizon, shprehet i bindur se prifti i fshatit nuk mund të ndërmerrte një hap të tillë. "Nuk e besoj kurrsesi që at Mikaili të jetë i implikuar në trafiqe. Nuk ka sesi të jetë e vërtetë. Unë e kam njohur nga afër, si dhe shumë bashkëfshatarë të mi. Shkoja shpesh në kishë për përshpirtje, pasi, brenda mureve të kishës, ndodheshin edhe varrezat e fshatit tonë. Kurrë nuk kishte lënë tek unë për të dyshuar se mund të ishte një njeri që merrej me të tilla gjëra. Kushedi, i ka rënë "lotaria" që të arrestohet prifti. Për mua, mendoj se do të jetë ndonjë keqkuptim", janë këto fjalët e Arqile Ndonit, i cili shprehet se, do të donte që të gjitha këto të ishin thjesht një trill ose një ngatërresë e radhës.
Karavastanë e lëmë në pikun e zhegut. Njerëzit duket se vijojnë rrjedhën e jetës brenda normalitetit, por realisht brenda tyre diçka është thyer. Sepse Mihal Shuli nuk përbënte thjesht priftin e fshatit, por ai gati ishte unifikuar dhe identifikohej me emrin e kishës së Shën Thanasit. Atë që ndodhi me të, banorët e këtij fshati e cilësojnë si zvetënimin dhe rënien e një njeriu që vlerësohej si kult. Dhe jo vetëm kaq. Tronditje ka pësuar edhe besimi i këtyre banorëve.
“Gjashtë muaj më parë pashë dy furgonë të niseshin nga kisha”
Një prej banorëve që e njeh nga afër priftin është 68-vjeçari Ristan Stasta. Ai shprehet se at Mikaili ishte njeriu tek i cili gërshetoheshin mirësia hyjnore me atë njerëzore.
Si e keni njohur at Mikailin?
E kam njohur për njeri me shpirt të madh, human dhe fisnik. Ai ndihmonte shumë familje të varfra, jo vetëm nga Karavastaja, por edhe nga fshatrat përreth. Lajmi i arrestimit më ka befasuar si gjithë të tjerët. Ne shkonim shpesh në kishë, jo vetëm të enjteve dhe të dielave, kur zhvillohej mesha. Ndiznim qirinj dhe ai na këshillonte shpeshherë. E dëgjonim me vëmendje të madhe, sepse ai kishte influencë dhe një mënyrë të argumentuari që të bënte për vete.
Në fakt banorë të fshatit tuaj kanë deklaruar se kanë parë lëvizje të dyshimta rreth kishës dhe brenda saj. Si mendoni?
Shpeshherë edhe të afërmit e mi kishin parë që në ambientet e kishës vinin njerëz të panjohur. Kjo i bënte njerëzit që të turfullonin në fshat dhe unë gjithmonë u kam thënë se fshati nuk kishte me çfarë të merrej dhe bënte llogje, sidomos graria. Në këtë botë thonë se asnjërit nuk i mbyllet goja, por pa diçka që nuk shkon si një ditë edhe një ditë.
Po ju vetë keni parë ndonjë gjë të dyshimtë që lidhej me ndonjë aktivitet të priftit?
Vetëm njëherë. Përpara nja 6 muajsh pashë se shumë njerëz dolën nga kisha rreth orës 09:00 të darkës dhe hipën në dy furgonë, por kjo nuk më bëri ndonjë përshtypje të veçantë sepse mendova që mund t'i kishte njerëz të tij që i shoqëronte për në qytet.
Çfarë dini më konkretisht rreth jetës së tij në këtë kishë dhe kur e dëgjuat për arrestimin si reaguat?
Reagova keq. Nuk e besoja. E kam njohur priftin si njeri të mirë dhe familjar. Ai i linte fëmijët të miqësoheshin me fëmijët tanë. Në kishën tonë erdhi para shumë vitesh dhe i ka shërbyer asaj në mënyrën më të mirë. Nga të gjithë ne ai njihej si një njeri që kishte karakter të fortë dhe gëzonte respekt. Por them se ligji është ligj dhe shteti është shtet. Kot nuk të arrestojnë. Unë jam radikal në këto raste, madje pse ta fsheh kam frikë se mos më zbehet edhe besimi fetar të cilin deri tani e kam parë si të shenjtë dhe të padiskutueshëm. Nuk do doja kurrsesi që të abuzohej, duke i bërë këto punë në shtëpinë e Zotit.
Policë grekë në trafikun e klandestinëve
Klandestinët tradhtojnë grupin kriminal të arrestuar tri ditë më parë, me akuzën e trafikut ndërkombëtar të qenieve njerëzore, ku bënin pjesë edhe tre oficerë policie.
Trazhgim Sokolaj
Grupi hetimor i çështjes ka dokumentuar dhjetëra dëshmi të klandestinëve që janë trafikuar prej të arrestuarve në bashkëpunim me oficerët e policisë, që shërbenin në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Klandestinët kanë dhënë deklarime të hollësishme për personat që u kishin gjetur dokumentet false, personat që i kanë transportuar deri në Korçë dhe tolerimin e oficerëve të policisë në momentin e kalimit të kufirit mes dy vendeve në autobusët e udhëtarëve. Mbi 60 klandestinë janë marrë në pyetje duke përmendur me emra personat që i kanë trafikuar dhe oficerët, që lejonin kalimin e tyre drejt Greqisë, edhe pse me pasaporta false dhe pa dokumente udhëtimi dhe pa vizë. Klandestinët kanë dëshmuar për oficerët e policisë gjyqësore pasi janë kapur në Greqi, ose në Itali dhe janë riatdhesuar përsëri në Shqipëri, duke kuptuar se premtimet e grupit kriminal për udhëtim dhe qëndrim të sigurt në Greqi e Itali, kishin qenë veçse një mashtrim. Në listën e provave të tjera të grumbulluara për dhjetë të arrestuarit e operacionit "Korridori i lirë", janë edhe bisedat telefonike mes anëtarëve të grupit, lidhur me trafikun e klandestinëve të zhvilluara për më tepër se dy muaj. Në këto biseda ekspozohen fare hapur tre oficerët e policisë, të cilët i lajmëronin trafikantët për kohën kur ishin në turn në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, kur duhej të niseshin klandestinët në mënyrë që të mos kishin probleme në kalimin e kufirit.
Dosja në Greqi
Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme është duke hartuar një letër-porosi, e cila do t'i dërgohet autoriteteve greke, lidhur me çështjen e trafikut të klandestinëve nga vendi ynë. Gjatë hetimeve të bëra ndaj dhjetë personave të arrestuar tri ditë më parë në Shqipëri, nga Task-Forca dhe SHKB, është zbuluar përfshirja e disa efektivave të policisë greke në favorizimin e kalimit të paligjshëm të klandestinëve shqiptarë në drejtim të Greqisë. Siç dyshohet nga hetuesit, gjatë kontrollit të dokumenteve në tokën helene, policët grekë përkundrejt përfitimeve financiare, i lejonin të vazhdonin më tej klandestinët shqiptarë që ishin toleruar edhe pjesën shqiptare nga tre oficerët e arrestuar së fundi me akuzën e "korrupsionit", "falsifikimit të dokumenteve" dhe "favorizimit në kalimin e paligjshëm të kufirit". "Do t'u vihen në dispozicion autoriteteve greke të gjitha provat që flasin për implikimin e punonjësve të policisë në veprime që bien ndesh me ligjin, pasi klandestinët shqiptarë kalonin kufirin mes dy vendeve", konfirmuan dje burimet nga Prokuroria. Sipas tyre, bashkëpunimi me autoritetet greke ka vazhduar edhe më parë për këtë çështje për shkak se në territorin grek dyshohet se disa shqiptare me qëndrim atje shërbenin për të pritur klandestinët, që kalonin nga vendi ynë dhe i ndihmonin më pas ata për t'u nisur në drejtim të Italisë.
Prokuroria kërkon në gjykatë “burg pa afat për” dhjetë të arrestuarit
TIRANE - Njësia Task-Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës i ka kërkuar gjykatës caktimin e masave të sigurisë "arrest me burg", për dhjetë personat e akuzuar për trafik ndërkombëtar klandestinësh në linjën Shqipëri-Greqi-Itali. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, mësohet se në bazë të provave që kanë vazhduar të mblidhen intensivisht edhe gjatë ditës së djeshme, pas arrestimit të personave të akuzuar, i është kërkuar gjykatës mbajtja e tyre në qeli deri në përfundim të hetimeve. Gjykata e Tiranës pritet të caktojë gjatë ditës së sotme masat e sigurimit personal për secilin nga të arrestuarit. Tre oficerët e policisë, Ismet Rroqi, 29 vjeç, me detyrë përgjegjës turni në pikën e kalimit kufitarë Kapshticë, Sefer Çollaku, 50 vjeç, me detyrë kontrollor në pikën e kalimit kufitarë Kapshticë dhe Rajmondi Duro, 40 vjeç, me detyrë kontrollor në pikën e kalimit kufitar Kapshticë, ranë në prangat e policisë pas një aksioni të SHKB-së dhe Task-Forcës në Prokurori të akuzuar për bashkëpunim në trafik me grupin e përbërë nga Leonard Belortaja, Artur Likollari, Altin Qatipi, Edmond Tollkuçi, Manol Xhamia, Ilir Çipi dhe prifti i Karavastasë, Mihal Shuli, 47 vjeç, lindur dhe banues në Lushnjë. Të gjithë personat e arrestuar, sipas hetimeve 6-mujore të SHKB-së dhe Task-Forcës Antikorrupsion në Prokurori, kanë konsumuar veprat penale të "korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike", "dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi", "falsifikim i pasaportave, vizave formularëve", "falsifikim të vulave, stampave ose formularëve", "prodhim i mjeteve për falsifikim dokumentesh" në bashkëpunim. Duke iu referuar këtyre akuzave dhe rrezikshmërisë së personave të arrestuar, por edhe provave të shumta të mbledhura gjatë hetimeve paraprake, Prokur-oria i ka kërkuar gjykatës mbajtjen në qeli për të gjithë të arrestuarit e operacionit "Korridori i Lirë". t.s