E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, pa ambasador në Gjermani

Marrëdhëniet e acaruara mes Presidentit Topi dhe Kryeministrit Berisha pas rrëzimit të pesë dekreteve në Kuvend, lënë gjurmë së fundi edhe në diplomaci. 

ADI SHKEMBI

Prej 5 ditësh Shqipëria nuk përfaqësohet më në nivel ambasadori në shtetin më të fuqishëm të Evropës, në Gjermani, por me sekretar të parë të ambasadës. Kjo për shkak se Gazmend Turdiu është tërhequr nga ambasada jonë në Berlin, megjithëse kreu i shtetit nuk ka hedhur firmën e tij. Nga ana tjetër, Presidenti nuk ka firmosur një propozim të Kryeministrit Berisha për të dërguar në Berlin në detyrën e ambasadorit, Mal Berishën.
Tërheqja e Turdiut
Gazmend Turdiu, u emërua ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Gjermani në nëntor të vitit 2002 për një mandat katërvjeçar, ndërkohë, që ka qëndruar edhe dy vjet të tjera në këtë detyrë. Që nga 15 korriku ai është kthyer në Shqipëri duke bërë që Tirana zyrtare të ketë sekretarin e parë të ambasadës, titullarin më të lartë në njërin prej vendeve më të rëndësishme të Evropës, vend i cili nuk e ka ratifikuar akoma Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Pas mbarimit të mandatit 4-vjeçar, ai qëndroi aty deri më 15 korrik dhe, megjithëse mungon firma e kreut të shtetit, ai është tërhequr nga kjo detyrë. Ndërkohë, në germën "dh" të nenit 92 të Kushtetutës thuhet se: "Presidenti ushtron edhe këto kompetenca: me propozim të Kryeministrit, emëron dhe liron përfaqësuesit e plotfuqishëm të Republikës së Shqipërisë në shtetet e tjera dhe në organizatat ndërkombëtare".
Mal Berisha
Më 12 shkurt të këtij viti, pas propozimit të firmosur prej kreut të qeverisë, Komisioni i Punëve të Jashtme në Parlament zhvilloi një seancë dëgjimore me Mal Berishën, i cili më pas do t'i propozohej kreut të shtetit për të zënë vendin e Gazmend Turdiut në ambasadën tonë në kryeqytetin gjerman, Berlin. Në mbledhjen e zhvilluar në komisionin e Jashtëm, Mal Berisha u vlerësua nga përfaqësuesit e maxhorancës, ndërkohë që u kritikua ashpër nga përfaqësuesit e opozitës në komision. Duke marrë fjalën në atë mbledhje, kandidati Mal Berisha theksoi se, "e pres me shumë kënaqësi dhe respekt detyrën që i paraqitet dhe normalisht pres të gjitha sugjerimet tuaja, me qëllim që të përmbush me përpikëri detyrimet që më ngarkohen". Ai theksoi se, "kandidaturën si ambasador në Berlin e konsideron si një privilegj shumë të madh dhe si një detyrë shumë të rëndësishme". Por pavarësisht faktit se komisioni i Jashtëm e ka dëgjuar, që më 12 shkurt Mal Berishën, si ambasadorin e ri të Shqipërisë në Gjermani, kjo kandidaturë nuk ka marrë ende firmën e Presidentit Topi. Por Kushtetuta nuk i vendos afate kreut të shtetit për emërimin e përfaqësuesve diplomatikë të Shqipërisë. Megjithatë, burime pranë kryeministrit Berisha dhe Presidentit Topi bëjnë të ditur për gazetën se emërimi i Mal Berishës si ambasador në Gjermani, nuk ka të bëjë me probleme për këtë kandidaturë, por me marrëdhëniet e acaruara mes kreut të shtetit dhe Kryeministrit të vendit. Krisja mes maxhorancës dhe Presidentit Topi erdhi pikërisht në momentin e ndryshimeve kushtetuese, ku vetë Topi deklaroi se nuk ishte pyetur për këto ndryshime, ndërkohë që kjo krisje u pasqyrua më pas në kthimin për rishqyrtim në parlament të ligjit "Për legalizimin e ndërtesave informale" dhe arriti kulmin pikërisht me rrëzimin në pesë emrave për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Kush është Mal Berisha

Mal Berisha, emri i propozuar nga kryeministri Berisha për postin e ambasadorit tonë në Gjermani, ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e "Haçetepe" në kryeqytetin e Turqisë, Ankara, ku është diplomuar për Diplomaci. Eshtë përkthyes profesional pranë Divizionit Ndihmës të Departamentit të Drejtësisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, si dhe përkthyes për gjykatësit dhe prokurorët ndërkombëtarë në Gjykatën Ndërkombëtare në Kosovë. Mal Berisha ka qenë një prej bashkëpunëtorëve të Kryeministrit aktual Sali Berisha gjatë kohës që ky i fundit ka qenë në opozitë. Mal Berisha ka shkruar së bashku me zëvendësministren e Jashtme, Edit Harxhi artikullin "Komploti greko-komunist kundër Demokracisë Shqiptare", artikull që ka bërë që të kritikohet nga e majta.

PD vlerësoi Mal Berishën
Në mbledhjen e komisionit parlamentar për Punët e Jashtme më 12 shkurt, anëtarët e shumicës vlerësuan emrin e Mal Berishës për ambasador në Gjermani. Në atë mbledhje, kryetari i komisionit të Jashtëm njëherësh edhe deputet i Partisë Demokratike, Preç Zogaj u shpreh se kandidatura e Mal Berishës, që u propozua ishte e mirë dhe shumica e komisionit është pro emërimit të tij. Mal Berisha vlerësohet për të shkuarën e tij në Divizionin e Ndihmës të Departamentit të Drejtësisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, si dhe përkthyes për gjykatësit
dhe prokurorët ndërkombëtarë në Gjykatën Ndërkombëtare në Kosovë.

Opozita: Eshtë kushëri i Berishës

Me gjithë CV-në e tij, Mal Berisha nuk është pranuar si ambasadori i Shqipërisë në Gjermani nga opozita në komisionin e Jashtëm parlamentar. Në mbledhjen e muajit shkurt anëtarët e opozitës u treguan shumë kritik ndaj kushëririt të Kryeministrit, duke e cilësuar atë si kandidaturë politike dhe jo diplomat karriere. Për më tepër, ata kanë nënvizuar se kandidatura e re për ambasador në Gjermani, ka shkruar një sërë artikujsh, vetëm ose me bashkautor me zv/ministren e Jashtme, Edith Harxhi, nëpërmjet të cilëve goditej shërbimi sekret i SHBA dhe i Greqisë për organizimin e revoltës popullore antifajde në mars të vitit 1997. Sipas të majtëve, qeveria e teproi me propozimin e kandidaturave politike në vend të diplomatëve, duke shkelur hapur edhe ligjin "Për Diplomacinë". Emri i Mal Berishës u kundërshtua me tone të ashpra, njësoj si edhe kandidatura e Edit Harxhit për ambasadore në Shteteve të Bashkuara të Amerikës, apo ajo e Tatjana Kongolit në Austri. Vërejtja e vazhdueshme e opozitës ka qenë se maxhoranca po emëron njerëz politikë, ndërkohë që sipas ligjit vetëm 20% e ambasadorëve në gjithë përfaqësitë diplomatike duhet të jenë politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›