E Shtunë, 31 Tetor 2026

"E vranë me gurë në kokë për fërkimin e makinave"

Ervis Capa, 27-vjeçari nga Alliasi i vrarë dy ditë më parë në qendër të Paskuqanit, pas një grindjeje banale është goditur me leva dhe sende të forta pas gërvishtjes së dy automjeteve në një parakalim. 

Dashamir Biçaku

 Ky është versioni që dhanë të afërmit e familjes gjatë ditës së djeshme, vetëm 24 orë pas ngjarjes së rëndë, ku njeriu i tyre humbi jetën. Daja i Ervisit, tha dje për gazetën "Panorama" vetëm dy fjalë rreth asaj që kishte ndodhur me nipin e tij. "Di që Ervisi, kishte dalë me makinën e tij dhe kishte shkuar në Paskuqan për të dërguar fejuarën e tij në shtëpinë e saj". Sipas të afërmve të tjerë Ervisi, ka qenë duke çuar të fejuarën e tij në drejtim shtëpisë së saj dhe kur është kthyer, autovetura e 27-vjeçarit, është gërvishtur me një mjet tjetër me të cilin udhëtonin dy persona. Shukri Enver Damza, 26 dhe Arben Doçi, 27 vjeç, janë identifikuar nga policia si autorë të vrasjes së Capës, ndërsa sipas policisë sherri ka qenë për motive banale, pas fërkimit të dy mjeteve të ndryshme me njëra-tjetrën. Të afërmit e familjes së viktimës kanë marrë vesh ngjarjen e njeriut të tyre, rreth 40 minuta pas saj, kur janë kontaktuar nga policia nëpërmjet telefonit. Më pas ata kanë mbërritur në Spitalin Ushtarak në kryeqytet, ku edhe kanë mësuar se njeriu i tyre kishte marrë plagë të rënda në kokë e trup dhe kishte shumë pak mundësi për të mbijetuar. Më vonë një prej të afërmve të tij, sipas një kushëriri që nuk dëshiron të flasë me emër ata kanë marrë vesh se në të vërtetë Ervisi kishte ndërruar jetë shumë shpejt pasi kishte mbërritur në spital. Daja i 27-vjeçarit që nuk preferon të flasë, pranon të thotë se nipi i tij nuk ka qenë person që konfliktohej me njeri. "Patjetër atë do ta kenë ofenduar dhe e kanë goditur", thotë shkurt burri rreth 1.65 m i gjatë më flokë të zinj.
Kërkimi për autorët
Policia pas ngjarjes së të shtunës pasdite, me të mbërritur në vendin e ngjarjes, pasi i dëmtuari është nisur për në spital ka ngritur dy versione për ngjarjen. I pari ai i një konflikti për shkak të gërvishtjes së automjeteve të dyja palëve si dhe versioni i dytë për grindje femrash. Verifikimet e kryera deri vonë në mbrëmje nga policia kanë mbajtur si versione të ngjarjes të dy pistat e saj. Më pas, nga verifikimet e tyre kanë hedhur përfundimisht poshtë pistën e grindjes për motive femrash. Nga deklarimet e marra prej hetuesve të zyrës së vrasjeve dhe punonjësve të Komisariatit nr.5, është zbuluar se si shkak i vrasjes së të riut ka qenë gërvishtja e dy automjeteve. Pretendimet e palëve mbi shkaktarin kanë shtyrë sipas policisë palët në konflikt sa Shukri Enver Damza dhe Arben Doçi, kanë nisur të godasin me sende të forta dhe me leva 27-vjeçarin, nga Alliasi. Policia ka identifikuar autorët e krimit në pak kohë dhe ata janë shpallur në kërkim me akuzën e vrasjes në bashkëpunim. Ditën e sotme, policia pritet të referojë në Prokurori materialet e para hetimore për ngjarjen dhe më pas do të bëhet një kualifikim më i saktë ligjor për shkakun e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›