Gazetarja dhe publicistja e parë amerikane
"Çfarë ka nevojë një grua nuk është të dominojë, por si natyrë të rritet, si intelekt të perceptojë, si shpirt të jetojë e lirë dhe e shpenguar", kështu ka theksuar dikur Margaret Fuller. Ndërsa Edgar Ellen Po është shprehur: "Shoqëria njerzore është e ndarë në burra, gra dhe Margaret Fuller."
Albana M. LIFSCHIN
Margaret Fuller (1810 – 1850) ka qenë e para grua e emancipuar lektore, gazetare, aktiviste politike, kritike letrare dhe korrespondente ndërkombëtare e shtypit amerikan. Ajo guxoi të kompletonte veteveten si grua, duke hedhur poshtë epitetet nënvleftesuese me të cilat paragjykimet e veshin një femër. Njohëse që në fëmijëri e disa gjuhëve të huaja, gjermanishtes, frëngjishtes, gjuhës italiane, greke dhe latine, ajo u rrit duke zhvilluar një intelekt e talent të jazhtëzakoshëm.
Margaret Fuller u bë redaktorja e parë e revistës intelektuale transidentale "Dial", të cilën e mbajti për dy vjet. Qe gruaja e parë që shkroi një libër për jetën e vështirë të tribuve indiane të Amerikës, keqtrajtimin e tyre nga të bardhët, duke dalë kështu hapur në mbrojtje të të drejtave të tyre.
Në dhjetor 1844, Margaret u punësua nga New York Tribune, botuar nga Horac Greeley dhe, kështu, u bë gazetarja e parë amerikane. E filloi punën në gazetë me intervistat që u bëri prostitutave në burg, duke skandalizuar lexuesit.
Fokusi i artikujve të saj ishte sfera shoqërore dhe letrare e jetës amerikane. E pamohushme në aftësitë profesionale, ajo preku me kritika letrare edhe emrat krijuesish të njohur të kohës, si Longfelow, Low dhe Ralph Waldo Emerson. Xhelozë për profesionalizmin dhe intelektin e saj të jashtëzakonshëm, përgjigja erdhi në formën sulmit mbi aparencën e Margaret Fuller, duke u përpjekur ta çfemëronin. Dhe dëmin më të madh, për ironi të fatit, ia bëri Ralph Waldo Emerson, poet e filozof, miku i saj intim, me të cilin ajo pati një mardhënie "ngroh-ftoh" për vite me radhë. Ajo e pat kritikuar Emersonin për thatesinë e jetës në poezinë e tij. Emerson mbeti xheloz ndaj saj për gjithë jetën. Por ndryshe nga çe përshkruan xhelozia e tij, Margaret Fuller vishej bukur madje e mbante vehten si zonjë klasi. Ajo mund të ngiste kalin më mirë sesa një burrë dhe mund të vallëzonte deri në agim pa u lodhur fare. Kishte një humor të këndshëm, shpesh herë një gjuhë therëse.Vite më vonë, kur ajo gjendej në Itali, poeti polak Adam Mickiewic i shkruante në një letër keshtu :
" Pasi ke admiruar gratë e Romës, thuaj vetes: Unë jam e bukur gjithashtu… Tek ju unë takova një njeri të vërtetë e nuk kam nevojë t’u bëj lëvdata të tjera."
* * *
Me botimin e librit "Gruaja në Shekullin e 19-të", në shkurt të vitit 1845 në Nju Jork, Margaret Fuller krijoi sensacion të madh. Libri ishte një thirje pa kompromis për të drejtat e gruas amerikane.
Botimi i parë u shit brenda javës. Guximi i saj i tepëruar apo i "pacipë”, siç u cilësua, revoltoi shumëkend.
Deklaratat e saj ishin sa të guximshme, aq edhe shokuese për atë kohë: "Ajo çfarë ka nevojë një grua, nuk është të dominojë, por si natyrë të rritet, si intelekt të perceptojë, si shpirt të jetojë e lirë dhe e shpenguar… Po qe se gratë do të ishin në gjendje të zhvillonin forcën dhe bukurine e tyre si gra, ato nuk do të uronin kurrë të ishin burra." “Në mentalitetin e burrave, shkruante gjithashtu, “grate shihen si skllave."
Ajo kishte besim në aftësitë e gruas. Fuller deklaronte se gratë janë në gjendje të bëjnë çdo lloj pune, madje edhe "kapitene detrash" po të duan.
Emri i saj u bë i njohur edhe jashtë kontinentit amerikan, duke frymëzuar njerëzit, por edhe duke revoltuar shumë të tjerë.
* * *
Më 1846 , Margaret Fuller shkoi në Angli si korespondente për „Nju Jork Tribune“, duke u bërë gruaja e parë korespondente jashtë kufijve të vendit. Në Angli libri i saj qe lexuar me simpati dhe i hapi shumë dyer. Ajo intervistoi mjaft personalitete të kohës si Harriet Martineau, Wordsworth dhe De Quincey, por hyri edhe në skutat e jetës angleze, në miniera apo lavanteri, ku u tmerrua nga varfëria e madhe dhe diferencat e mëdha klasore, u shqetësua nga kushtet e vështira të jetës dhe mungesa e shpresës te të varfërit.
Margaret shkroi menjëherë për nevojën e një " revolucioni paqësor". Pikërisht kur ishte në një gjendje të tillë shpirtërore, takoi Giuseppe Mazzinin, një imigrant revolucionar italian, që ishte larguar i persekutuar nga vëndi i tij dhe qe vendosur në Angli. Qëllimi i Mazinit ishte të bashkonte Italinë në një republike të vetme (në 1847 vendi ishte i ndarë në disa shtete papale). Ai ishte organizator i lëvizjes së të rinjve "Italia e re". Fuller e ndoqi Mazzinin në mbledhjet me të rinjtë italianë, madje në njërën syresh mbajti një fjalim, të cilën Mazzini e ka përshkruar si “prekës“.
Influenca e Mazzinit qe e madhe. Margaret kishte hyrë pakuptuar në lëvizjen revolucionare të kohës, duke u bërë aktiviste e saj. Ajo mësoi të donte jo vetëm Italinë, por edhe italianët. Shkroi një artikull mbi Mazzinin për gazetën e saj. Ndërkohë, kur po mendonte kthimin në atdhe, u njoh rastësisht me një djalë te ri, një republikan, më të ri se vetja: Giovani Angelo Ossoli, djalë i një familje fisnike italiane. Pas një kohë të shkurtër, djali i ri i propozoi për martesë. Ajo refuzoi dhe u largua në Milano. Miku i saj, poeti Mickiewicz, e këshillonte të mos e linte italianin e ri. Në letrat e tij, Ossoli çuditërisht parashikonte: „Ju do te ktheheni tek unë." Parashikimi i dashnorit platonik doli i vërtet. Nga Milano Margaret Fuller u kthye në Romë tek Ossoli. Më vonë, ajo pat shkruar: "Veprova ashtu siç ndjeva. Gruaja ka lindur për dashuri, dhe është e pamundur ta kthesh atë nga kërkimi i saj." Anxhelo nuk ishte intelektual si ajo, por Margaret gjeti tek ai mirëkuptimin dhe ngrohtësinë, që u mungonte puritanëve prej nga vinte ajo. Ata e mbajtën sekret lidhjen e tyre dashurore. Ndërkohë, Margaret i shkruante nënës se nuk kishte qenë kurrë më e lumtur në jetën e saj, që kurse kishte qenë fëmijë.
* * *
Fuller vazhdonte të shkruante për gazetën e saj në kohët më dramatike që po kalonte Evropa, ndërsa mblidhte materiale për veprën monumentale "History of Italian Liberation". Për fat të keq, shkrimet e saj në Amerikë kishin lënë shije jo fort të mirë. Ndër të tjera, Fuller theksonte: "Vendi im tani është i përkëdhelur nga prosperiteti, budallepsur nga fitimi, ndotur nga vullneti për të përjetësuar skllavërinë, turpëruar nga një luftë e paturpshme (Lufta me Meksikën), ndërsa në Europë një shpirt më fisnik po përpiqet, po lufton..."
Më 5 shtator 1848, ajo lindi një djalë që i vuri emrin e të atit. Në vjeshtë te dy të dashuruarit, bashkë me foshnjën e tyre, lëvizën në Florencë. Aty bënë martesën legale. Margareta u bë Markeza Ossoli. Ndërkohë, botuesi i gazetës së saj në Nju Jork dhe miku i saj, Horac Greeley, kishte dëgjuar thathethemet mbi dashurinë "e lirë" dhe ia preu rrogën.
Për shkak të policise sekrete, burrë e grua vendosën ta lënë Italinë e të udhëtojnë drejt Amerikës. Kështu, në maj 1850, lanë Livornon. Udhëtimi qe i pafat. Më 18 korrik anija „Elisabeth“ po i afrohej portit të Nju Jorkut. Një ndjenjë lehtësimi i pushtoi të dy. Gjate natës pati erë në det. Në orën katër të mëngjesit, anija u përplas papritur me Fire Island. Varkat e shpëtimit u bënë të papërdorshme. Anija filloi të shkatërrohet. Margaret i dha brezin e saj të shpëtimit një detari, i cili po përpiqej të ndihmonte njerëzit në anije. Në brigje dukeshin silueta njerzish, të cilët çuditërisht nuk po afroheshin t'u jepnin ndihmë njerëzve që mbyteshin. Ishin piratë, që po bënin sehir derisa t’u vinte ora e grabitjes.
Në orët e fundit të katastrofës, kush mundi të shpëtonte, shpëtoi. Margaret Fuller nuk bëri as përpjekjen më të vogel për të shpëtuar e veçuar nga burri apo fëmija. Ende me këmishën e gjatë të natës, mbante mbërthyer në gjoksin e saj foshnjën. Ky ishte imazhi i fundit që rregjistroi kujtesa njerëzore për këtë zonjë.
Para nisjes, ajo pat shkruar se jeta e saj qe zhvilluar si një tragjedi greke .
Vdekja shkaktoi sensasion publik... Miqtë e saj nga Bostoni erdhën në ishull me shpresë se mos gjenin ndonjë gjurmë të doreshkrimit të saj mbi revolucionin italian. Asnjë nuk u gjet në mbeturinat e anijes, përveç një kutie të mbyllur, ku ruheshin letrat e dashurisë mes Margaritës dhe Angelos.
21 Korrik 2008