Vata në “luftë” me Abramoviçin për yllin rus
Dash Frashëri
Rudi Vata e konsideron si një kulm të karrierës së tij. Në fakt, është befasuese. Një agjent shqiptar i FIFA-s menaxhon kapitenin e Lokomotivës së Moskës, Dinijar Bilyaletdinov. Mesfushori 23-vjeçari ishte një nga lojtarët e përfaqësueses ruse, duke luajtur 5 ndeshje. “Bilyaletdinov konsiderohet një nga yjet e rinj të futbollit rus dhe është i jashtëzakonshëm si mesfushor. Ka qenë po aq i kërkuar në treg sa dhe Andrei Arshavin e Roman Pavliçenko. Është fat që m’u besuan mua të drejtat e tij në Britaninë e Madhe, pasi Dinijar kërkohet nga Arsenali, Aston Vila e Bllekbërni”, - tha për “Albania”-n Rudi Vata, i cili e konsideron një arritje të konsiderueshme të kompanisë së tij “Vata Vision Football Management”. “Si duket diçka kam bërë, pëderisa ky lojtar më ka preferuar dhe më ka zgjedhur mua për ta menaxhuar në Angli”, shton Vata, i cili më parë ka realizuar edhe transfertën e skocezit Geri O’Konor te Lokomotiva e Moskës e ka njohje personale me drejtuesit e klubit moskovit. “Në Rusi kam kontakte më një numër të madh klubesh. Ishte familja e lojtarit që më bëri telefonatën, nuk i kam kërkuar. Më kërkuan të dinin nëse unë kisha mundësi të punoja për Bilyaletdinovin”. Transferta e pritshme është në shuma të konsiderueshme, pasi vetëm Lokomotiva e Moskës kërkon të paktën 10 milion euro, ndërsa paga e Bilyaletdinov shkon deri në 2.5 milionë euro.
“Unë kam marrë të drejtat e transferimit të tij në Angli dhe klubet e interesuara kanë kontaktuar me agjencinë tonë dhe mua personalisht për të marrë informacionet e duhura, për detajet e kërkesat specifike. Bilyaletdinov është i dyti në listën e dëshirave të Arsenalit, dhe në momentin që trajneri Venger nuk do të mbyllë tratativat me të, atëherë i gjithë fokusi do të jetë mbi Bilyaletdinov”, -
“Roman Abramoviç (pronari i Çelsit) pas Europianit e takoi personalisht Bilyaletdinov dhe i kërkoi të shkonte te Çelsi, por lojtari ka dëshirë të shkojë te një skuadër ku mund të aktivizohet dhe të gjejë më tepër hapësirë, pasi shoku i skuadrës së tij, Ivanoviç, i cili u largua nga Lokomotiva e Moskës te Çelsi, gjatë muajit janar por luajti shumë pak. Kështu, që Bilyaletdinov kërkon një ekip ku mund të luajë nga java në javë”.
Vata ka transferuar disa lojtarë, shqiptarë e të huaj. “Vata Vision Football Management është një kompani që po zhvillohet, është rritur shumë e po punon në të gjithë Europën, -thotë ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare e themeluesi i kompniasë. “Punojmë në Gjermani, Francë, Zvicër, Poloni, Bullgari, Ukrainë, Rusi, Itali e deri në Japoninë e largët. Klientela jonë po rritet vit pas viti, por prioriteti ynë është punojmë me lojtarë me kualitet, por dhe me karakter, që e duan futbollin dhe dëshirojnë të ecin”.
Në fillim të këtij viti Rudi Vata transferoi sulmuesin e Partizanit, Enco Malindin, te Slavia e Sofjes dhe mbrojtësin e Vllaznisë, Klodian Semina te Belasica po në Bullgari. “Edhe mbrojtësi i Dinamos, Ditmar Bicaj e kaloi provën me Belasicën, dhe sipas drejtuesve të klubit brenda pak ditësh do të firmosë zyrtarisht kontratën. Trajneri i ri Belasicës e pëlqen shumë dhe ka folur me superlativa për të. Duke qenë se ka punuar në Turqi, bashkëpunëtori im Pavlo Panajotov më tha, se trajneri mendon se Ditmari mund të luajë në Turqi brenda një sezoni në një klubet më të mëdha që ka Turqia”. Vata flet edhe Enco Malindin. “Bëri një paraqitje të pëlqyeshme me Slavian dhe për interesohen disa klube. Me Strasburgun në Francë bisedimet janë në fazë më të avancuar. Drejtuesit kanë parë disa DVD dhe besoj se brenda merkatos së kësaj vere Enco i ka të gjitha mundësitë të transferohet në kampionatin francez”.
ABILALIAJ
Në listën “Vata” ndodhet edhe ish-sulmuesi tjetër i Partizanit, Arbër Abilaliaj. “Është në pritje të marrjes së vizës gjermane, e cila i është vonuar vetëm për arsye burokratike deri tani. Më 25 korrik, Abilialiaj do të fusë dokumentet dhe do të niset menjëherë për te Koblenci në Bundesligën 2”, - përfundon Rudi Vata, i cili po i jep dorën e fundit transferimit të sulmuesit Xhulian Rrudho te Lodzi në Poloni.
Partizani, shtatë lojtarë debutues ndërkombëtarë
Skuadra që Partizani paraqiti në takimin kundër Shiroki Brijeg në barazimin 0-0 në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës UEFA, njëherësh edhe barazimi i parë në 11 ndeshje të Kupës UEFA, kishte brenda saj shtatë debutues që do ta fusin përjetësisht në statistikat e tyre këtë ndeshje, pasi për ta ishte edhe ndeshja e parë e tyre ndërkombëtare.
CAPO- Përveç portierit Edvan Bakaj, i cili me paraqitjen e realizuar në Bosnjë, duket se ka zënë një vend titullari te 15-herë kampionët e Shqipërisë, një tjetër lojtar duket se do të ketë të ardhme të madhe. Sulmuesi i ri i Partizanit, Arbër Capo, (luajti gati 35 minuta) bëri një paraqitje pozitive në debutimin e tij të parë ndërkombëtar. “Jam i lumtur që munda të luaj në një ndeshje ndërkombëtare. Kjo është një ngjarje e madhe në karrierën time të re sportive, pasi dhe në kampionat minutat i kam pasur të paktë, duke luajtur vetëm në dy ndeshje”, - tha sulmuesi i talentuar Arbër Capo (në foto) për “Albania-Sport”. “Dua të falënderoj trajnerin Lika, por dhe presidentin Xhani, i cili ka bërë të pamundurën që unë të jem pjesë e Partizanit”, - shtoi 20-vjeçari.
PËRLLESHI – Në fakt, në ndeshjen kundër Shirokit ishin disa lojtarë që zhvillonin për herë të parë në karrierën e tyre një ndeshje ndërkombëtare. Talenti më i ri i futbollit shqiptar, lezhjani 17-vjeçar Teodor Përlleshi (i ka mbushur më 23 maj, pra luajti 17 vjeç e 54 ditë) pati minutat e tij, por pa mundur të thyejë rekordin e Elis Bakajt, i cili është aktivizuar ende pa mbushur 17 vjeç, më saktë 16 vjeç e 10 ditë. Përlleshi shënoi dy gola sezonin e kaluar me Besëlidhjen.
NGJELA- Sulmuesi korçar i Skëndërbeut e Besëlidhjes gjatë sezonit të kaluar, Maruis Ngjela ishte edhe një nga gjashtë blerjet e Partizanit për sezonin 2008-2009, së bashku edhe me Rajmond Shalën, Ylli Shametin, Teodor Përlleshin, Edi Çajkun e Klejdi Lartin. Edhe Ngjela, autor i 12 golave sezonin e kaluar, ishte një ndër debutuesit e Partizanit, në të parën ndeshje ndërkombëtare të tyre. Përveç Ngjelës edhe mesfushori Edi Çajku, Artan Karapici zhvilluan të parin takim ndërkombëtar.
DEBUTUESIT
Edvan Bakaj (portier), Viktor Gjyla (mesfushor), Teodor Përlleshi (mesfushor), Edi Çajku (mesfushor), Marius Ngjela (sulmues), Artan Karapici (sulmues), Arbër Capo (sulmues).
Çmendet Sukaj, refuzon 500 mijë USD
Sulmuesi i talentuar shkodran Xhevair Sukaj, autori i dy golave në fitoren 2-1 të Vllaznisë kundër Koperit në ndeshjen e parë të turit të parë të Kupës UEFA, ka refuzuar së fundi një ofertë në shumën e 500 mijë dollarëve amerikanë të bërë nga skuadra e Azerbajxhanit, Inter Baku. Lajmin për “Albania”-n e bëri të ditur në linjë telefonike nga Mali i Zi, bosi i agjencisë më të madhe të transferimeve “Vata Vizion Football Management”, Rudi Vata. “Menaxherët e këtij klubi kishin parë disa ndeshje të Sukajt dhe më paraqitën ofertën e tyre për lojtarin, por Xhevairi ndërkohë kishte zgjedhur Gjermaninë si vend të së ardhmes së tij futbollistike’, - tha Vata. 20-vjeçari Sukaj do të niset të dielën drejt Gjermanisë për të firmosur kontratën me Kaiserslauternin, një ekip ku më parë janë aktivizuar edhe Igli Tare e Ervin Skela. Për sulmuesin e Kombëtares U-21 (5 gola në eliminatoret e këtij edicioni të Kampionatit Europian 2009), kanë qenë të interesuara klube nga Austria, Zvicra, Gjermania, Ukraiana, Azerbajxhani e Turqia, por vetë lojtari i ka besuar një emigranti shkodran, i cili banon prej disa vitesh në Gjermani dhe ka lidhje të ngushta me skuadrën e Kaiserslauternit. Pas firmosjes së kontratës ditën e hënë, Sukaj do të rikthehet menjëherë në Shkodër për të vazhduar përgatitjet me Vllazninë për ndeshjen e kthimit kundër Koperit, takim që do të luhet në “Loro Boriçi”, më 31 korrik 2008.
21 Korrik 2008