At Zef Pllumi, Luk Kaçaj, Lin Delija, të ndryshëm, të ngjashëm
Agron Gjekmarkaj
Të gjitha rrugët të çonin në Shkodër dikur. Për të arritur atje, nga histori të njëjta, qenë nisur për të nxënë tek françeskanët Zef Pllumi, Luk Kaçaj dhe Lin Delia. Nga e njëjta shkollë ata dolën të ndryshëm, por mbetën brenda të njëjtit qark prej të cilit morën të njëjtën kulturë materiale dhe bënë të njëjtën jetë shpirtërore. Vetëm se, i pari u bë frat, i dyti këngëtar bas dhe Delia piktor. Të tre e arritën cakun e madhështisë në forma, kohë dhe vende të ndryshme. Njeriu asht vepra e vet, iu përgjigjej frati gazetarëve që rrekeshin të mësonin prej tij mbi natyrën e njeriut, deri tash së voni. Veprat e mira dhe aktet morale nuk çajnë kryet për ligjet biologjike. Ato kanë një marrëdhënie universale, me kohën mjafton të lexosh “Rrno vetëm për me tregue” të At Zefit, të dëgjosh “...o ju male... etj.” të Lukës, të shikosh “Samaritanen” e Delisë. I pari në moshën 5-vjeçare do të nisej nga Mali i Rrencit, një mal pa majë në afërsi të Shëngjinit, për t’u bërë nxënës i fratit gjerman Alfons Tracki në Velipojë. Ndonjë vit më vonë e ëma “ia fali Zotit” me medaljonin e Shën Françeskut në qafë, të dhuruar nga At Anton Harapi, me të cilin nuk do të ndahej asnjëherë. Me të si lejekalim, do të paraqitej tek kolegji françeskan i Shkodrës, i cili i dha atij gjithçka të nevojshme për të krijuar modelin e papërsëritshëm At Zef Pllumi që shqiptarët njohin, atë model që sot ne nuk e dimë “kur do të kemi dhunti një tjetër të tillë”. Nga një copë fushë mes malesh, nga Bajza e Kastratit do të zbriste edhe Luk Kaçaj për në shkollën e etërve dhe falë zërit të tij do të bëhej pjesë e korit të At Filip Mazrekut, At Martin Gjokës e Prenkë Jakovës së bashku me ata emra që e themeluan muzikën shqiptare si Çesk Zadeja, Simon Gjoni, Tonin Harapi, Tish Daija etj. Mësuesit françeskanë, metaforikisht malin po e afronin me detin në një shkollë qytetase, e thënë kjo me gjuhën e Koliqit. Luk Kaçaj ra në sy vrullshëm dhe u dërgua të studionte në konservatorin “Çajkovski”, ku shkëlqeu në mënyrë të pakrahasueshme në skena të ndryshme të botës. Shumë herët iu desh të mbante barrën e krahasimit me të madhin Shaljapin, ose “Albanskij Shaljapin”. Muzika e varfër shqiptare duket e kishte të vështirë të kapërdinte këtë kafshatë të madhe. Në kursin e Belkantos spikaste shqiptari Luk Kaçaj, bullgari Kola Giaurov dhe rusi Sasha Vedernikov. Këta dy të fundit, miqtë e tij, u bënë të njohur në gjithë botën e muzikës, ndërsa ai merrte rrugën për në zonat e errëta të heshtjes dhe burgut. Malësor nga pamja, buzëqeshja e karakteri (malësor sipas asaj tipologjie që rilindja kombëtare e përdori për të rindërtuar identitetin kombëtar) ishte i kulturuar fort, më i talentuar nga të gjithë, qe pre e mirë për xhelozët dhe meskinët që politika e regjimit përdorte për të asgjësuar ata që nuk ishin derivate të saj. Ky produkt françeskan nuk do t’i ikte dot fatit që priste racën e tij, atë të mësuesve dhe shokëve të tij të shkollës shkodrane dhe mesa duket as nuk u përpoq!
Kadare na thotë që e pat kuptuar herët se ai ishte i largët për ambientin shqiptar të asaj kohe.
“E kam admiruar gjithmonë Luk Kaçajn, qysh se kam qenë student në Moskë. Atje për herë të parë kam dëgjuar zërin e tij. Ndërkaq kishte filluar të krijohej një legjendë në qytetin e madh. Kishte shumë admirues. Ai ishte jo vetëm këngëtar i madh i Shqipërisë, por i kishte të gjitha shanset për t’u bërë një nga këngëtaret më të mëdhenj të Europës. Por atij qysh herët iu prenë krahët dhe kjo ishte në logjikën e sistemit komunist të kohës. Kam patur fatin ta njoh personalisht gjatë xhirimit të një filmi, sipas një libri tim, kuptohej menjëherë që ishte i largët për botën e këtushme”.
Bashkëkohësit e tij tregojnë se kjo largësi theksohej sa herë interpretonte Don Bazilion te “Berberi i Seviljes” i Rosinit, Mbretin Rene në operën “Jolanda” të Çajkovskit, e shumë role të tjerë, sa herë fliste për artin, për gjuhët e reja dhe të vjetra, për politikën, për mësuesit e tij, duke filluar nga Fishta. Mënyra e tij e jetës, mospasja frikë në të folur e spikatën atë si një objektiv që duhej goditur në mënyrë spektakolare dhe arrestimi i tij u bë tek Akademia e Arteve para studentëve. Skena të ngjashme pat përdorur edhe Fashizmi me disa prej 13 profesorëve në Itali, që nuk pranuan të bënin betimin fashist. Në këtë mënyrë, sistemi bënte zgjidhjen e tij të qartë dhe jepte leksionin etik se cili model nuk duhej ndjekur. Kadare i jep këtij momenti vendin e një ngjarje të veçantë në botën kulturore shqiptare. “Arrestimi i tij në fillim të viteve ‘70 ishte një shenjë ogurzezë në Tiranë, shkaktoi një brengë shumë të madhe midis intelektualëve, shënoi pragun e një vale të re terrori. E mbaj mend në fillim si lajm të pabesueshëm dhe më pas si një tronditje të madhe. Duke goditur këtë talent tepër të madh, regjimi tregoi se nuk do të kishte mëshirë për asnjeri. Me trishtim kam konstatuar më vonë se, edhe pas rrëzimit të komunizmit, shoqëria është treguar e padrejtë me të dhe, kjo duhet të bëjë që ajo të ndihet në faj para kujtimit të tij. Shpërfillja për të ishte shpërfillje për majat e artit shqiptar”. Nëse dikush do të shohë marrëdhënien e “Majës së Artit” me historinë e tij dhe të vendit të tij, duhet të këqyrë me vëmendje portretin që i bëri menjëherë pas ndryshimeve të vitit 1990, mërgimtari i vjetër dhe piktori i pa moshë Lin Delija.
“Ajo që e bën dukurinë kulturore françeskane me shumë ndikim, ka të bëjë me faktin se ata shfaqen si një grup kulturor, i cili synon të shndërrohet në një sistem kulturor më vete brenda kulturës shqiptare” dhe vërtet, ndonëse vëmendjen më të madhe ia kushtuan letërsisë dhe albanologjisë, ata i tentuan të gjitha artet për ta bërë të vetëmjaftueshëm sistemin e tyre. Por ai që shkoi më larg ishte Lin Delija shkodran, qytetas. Jetoi në Itali në Antrodoko jo larg Romës (dhe u bë figura më e rëndësishme kulturore e këtij qyteti) dhe u shfaq së pari në Shqipëri veç në vitin 1994, në kopertinën e librit të mikut të tij At Zef Pllumi me “Plojën e të pafajve”. Që herët u bë pjesë e shkollave të klerit françeskan. Aty u takua dhe u lidh në miqësi të përjetshme me dy malësorët Pllumi e Kaçaj, duke i dhënë të drejtë Montanelit kur thoshte që Shkodra pa mallet—— dhe ato pa të, janë dy etnitete që e humbasin kuptimin. Siç merret me mend për të nuk u fol asnjëherë gjatë regjimit, ndonëse kishte qenë një ikanak pak i ndryshëm nga të tjerët. Nuk e la Shqipërinë për politikë, ndonëse me komunizmin nuk puqej, por në ndjekje të ëndrrave të artistit, të cilat në fillim e çuan në akademinë e Zagrebit, e më vonë në atë të arteve të bukura në Romë, me mecenat Ernest Koliqin. Pati fatin të ishte student i mjeshtrave të mëdhenj Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli, por mbeti gjithmonë origjinal deri në telajon e fundit. Pikturoi shumë dhe kryemotiv pati vegullimet e Shqipnisë. “Në veprat e tij gjejmë xhamadanë, tirqe, musteqe alla shqiptare, veshje kombëtare, gjejmë subjekte shqiptare, ngjyra shqiptare, fytyra shqiptare - gjejmë mbi të gjitha trishtimin e një artisti pa atdhe”. Për të kuptuar më mirë se kush është Lin Delija, mjafton të themi se për të, sot në Itali ka dy muzeume me emrin e tij, një në Antrodoko e një tjetër në Ozimo afër Torinos. Vetë ai pat themeluar dy akademi arti, një me emrin “Gjergj Fishta” tjetrën “Karlo Cesi”. Sot veprat e tij gjenden të ekspozuara në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeumin e Artit Bashkëkohor në Romë, në Galerinë komunale të Romës në Qendrën e studimeve të Artit modern në Breshia, në Galerinë e Artit modern në Palermo, në Muzeun e Shën Anes, në Kebek të Kanadasë, në Universitetin e Erlangen-it në Gjermani, në Passau po në këtë vend në New York, Detroit etj. Në Shqipëri njihet pak ose thuhet se njihet pak. Fama dhe vepra e tij u certifikua në shumë vende të botës, por akoma jo sa duhet në Shqipëri, në vendin e tij, të cilin e paraqiti kudo në botë me magjinë e ngjyrave të veta. Ai pat lënë amanet, që 30 piktura të tij t’i dhurohen Galerisë së Arteve të Shqipërisë, amanet që u mbajt e prapë pak kush e di që ato janë aty diku në një magazinë. Kur dikush pat guxuar të kritikonte Napoleonin në prani të De Golit, ai pa mëdyshje pat thënë që francezët nuk mund të bëjnë tregti me madhështinë. Ne nuk bëjmë tregti, por mbyllim sytë para saj. Nëse At Zef Pllumi ju imponua epokës sonë, ai pati një qëllim të qartë për t’i ofruar disa të vërteta dhe modele historike shoqërisë dhe jo për të rregulluar marrëdhënien e tij personale me asnjërën prej tyre. Për faktin që libri dhe komunikimi publik tërheqin më shumë vëmendje dhe se këto libra u shkruan pas vitit 1990, ai ia doli të përfillet aq sa të vërtetat e tij u bënë edhe të vërtetat tona. Nuk ndodhi kështu me Luk Kaçajn, që muzikën e tij e këndoi në vitet ‘50-‘60, apo me Lin Delinë që jetoi 50 vjet në emigracion, sepse hierarkia e vlerave në artet pamore dhe muzikore do të pësonte një modifikim thelbësor, aq sa shumëkujt nuk i shkon për shtat. Dhe rishikimi i saj është i nevojshëm për historinë e artit. Kjo dëshmon që shkolla e realizmit socialist nuk i ka ulur akoma qepenat.
Rikthimi i të treve në kulturën shqiptare, nuk është thjesht veç rregullim i një llogarie me kujtesën. Ai merr valencë vetëm nëse historia dhe vepra e tyre shikohen si nevojë për të kuptuar çfarë kemi humbur, e çfarë na duhet për sot e për nesër në planin etik, intelektual e artistik.
I kujtuam së bashku At Zef Pllumin, Luk Kaçajn dhe Lin Delinë, sepse njësia e qasjes është e njëjtë. “Është njësi etnike e kulturore-historike e rrjedhur nga njësia gjeografike”, por edhe për faktin se ishin bashkënxënës dhe miq, të cilët me veprën e tyre janë të fundit të shkollës françeskane që mbyllin “atë sistem kulturor më vete brenda kulturës shqiptare”, atë sistem të njohur si qarku kulturor katolik i veriut.