E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i Kotbusit: Skela, beniamini im

 

Jetmir Halilaj

Klubi i Kotbusit është i gatshëm t’i rinovojë kontratën Ervin Skelës, pasi drejtuesit më të lartë të skuadrës gjermane, e cilësojnë mesfushorin shqiptar si një pjesë shumë të rëndësishme të ekipit. Presidenti i klubit Energi Kotbus, në një intervistë të dhënë për të përditshmen “Kicker”, ka pohuar se në muajin janar do të ulet në bisedime me fantazistin kuqezi dhe se është i gatshëm që t’i ofrojë atij rinovimin e kontratës, që i skadon në qershor të vitit të ardhshëm. I pyetur nëse ekzistonte mundësia që Skelës të mos i rinovohej kontrata, Ulrih Lepsh ka thënë: “Nuk ka asnjë çështje ‘Skela’. Ky është vetëm një problem që ka dalë nga hiçi dhe që është fryrë në media pa asnjë bazë. Ervin Skela është një lojtar i talentuar dhe ndër më të mirët në rolin e tij në Bundesligën 1. Është e vërtetë që deri tani nuk ka shënuar shumë dhe nuk ka qenë në nivelin e tij më të mirë, por ai është shumë i rëndësishëm për skuadrën dhe për trajnerin. Skela jep asiste, di të gjuajë, të ekzekutojë goditje dënimi dhe gjithashtu, di të mbrojë mirë. Ai është ‘mushkëria’ e skuadrës, sepse një lojtar me eksperiencë të madhe si ai, i jep frymëmarrje ekipit dhe në momente të caktuara bën diferencën. Mjafton të kujtojmë se çfarë bëri ai javët e fundit sezonin e shkuar (i dhuroi ekipit tri fitore radhazi), për të reflektuar siç duhet në lidhje me këtë futbollist. Deri tani jemi marrë me impenjime të tjera, por në muajin janar, padyshim që do të ulemi dhe do të flasim bashkë me lojtarin”. Numri 1 i klubit të Energi Kotbusit ka qetësuar situatën në klub dhe njëkohësisht i ka lëshuar sinjale pozitive Skelës, i cili pak kohë më parë kishte pohuar se nuk kishte pasur asnjë ofertë nga klubi për të rinovuar kontratën. Skela u transferua tek Energi Kotbusi në janar të vitit 2006, pas një eksperience disamujore aspak mbresëlënëse te skuadra italiane e Askolit. Gjatë sezonit të parë, ai nuk arriti të jepte maksimumin për shkak edhe të disa problemeve shëndetësore, por vitin e kaluar, u tregua vendimtar me shtatë golat që shënoi. Në javët e fundit të kampionatit, kur diskutohej mbijetesa e Kotbusit, kjo e fundit mori tri fitore jetike, falë golave të shënuar nga fantazisti i Kombëtares shqiptare. 32-vjeçari nuk e ka fshehur dëshirën se dëshiron ta mbyllë karrierën si futbollist tek ekipi i Energi Kotbusit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›