Zhulali: Kënga ime e krijuar për në Evropian
Alma Mile
Një këngë plot ritëm, ku nuk mungon edhe lahuta e gajdja fitoi edicionin e 47-të të Festivalit të Këngës në RTSH.Eshtë Kejsi Tola, etheistja e vogël, që do të niset në muajin maj drejt Moskës, në Festivalin Evropian, me këngën “Më merr në ëndërr” me muzikë të Edmond Zhulalit dhe tekst të Agim Doçit. Kjo është hera e dytë për këtë dyshe, që prek Eurosong-ut, pas suksesit me Anjeza Shahinin. Një ditë pas festivalit, Zhulali tregon emocionet e çmimit, përgatitjet për përfaqësimin në Moskë dhe pengjet e një viti më parë.
Na tregoni pak laboratorin tuaj krijues, si lindi kjo këngë?
Vetë festivali është një nxitje për profesionistët. Është një vend ku tradita 47-vjeçare gërshetohet me modernen, me ecurinë e kohës. Po të hedhim një shikim pas, shohim qindra emra shumë të dashur për publikun, ndaj dhe pjesëmarrja në të është një përgjegjësi më vete. Nëse publiku është më liberal në koncerte, apo ngjarje të tjera artistike, këtu është më konservator, më kërkues. Por nxitja kryesore është dëshira për të marrë pjesë.
Sa e kushtëzon skena e Eurosong-ut krijimtarinë e një kompozitori?
Fakti që fituesi shkon në Evropian, e vendos krijuesin në një tjetër realitet. Mendon se si të jetë i pranueshëm për mentalitetin e këtij festivali. Edhe unë e pashë me këtë sy. Ndaj dhe zgjodha rrymën danc, kombinuar me etno. Një ndër kriteret e festivalit është koha dhe brenda 3 minutash duhet të japësh maksimumin, më të mirën e muzikës tënde. Kërkon shumë përkushtim, që të arrihen të gjithë këta elementë. Por kryesori është frymëzimi.
Ndoshta edhe vokali i Kejsit ju ka ndihmuar të krijoni?
Natyrisht. Nuk mund të krijoj një këngë pa pasur parasysh kush do ta këndojë. Kompozitori është si uji, që merr formën e enës ku hidhet. Pra, duhet të studiojë mirë vokalin e këngëtares. Kejsi ka një zë shumë premtues, një vokal shumë të veçantë, që të jep mundësinë që të punosh.
Prej disa vitesh ia besoni krijimet tuaja zërave të rinj, është kjo një tendencë juaja?
Nuk kam parime fikse. Jam i hapur për bashkëpunime dhe nuk kam asnjë paragjykim. Gjithnjë varet nga rrethanat.
I kënaqur me vendimin e jurisë këtë vit, apo jo?
Nuk dua që publiku të mendojë se juria këtë vit ishte e mirë për mua, sepse fitova dhe vjet që nuk fitova, jo. Edhe vjet isha konstruktiv në debatin që u bë. Kontestova thyerjen e një rregulli, që u vu nga vetë juria. Diferenca drastike ishte ajo që e bëri të pabesueshëm votimin. Edhe këtë vit nuk mora pikët maksimale, por diferencat mes tyre nuk ishin të mëdha. Këtë vit anëtarët e jurisë i kishin dorëzuar zarfet tek juristi dhe nuk mund t’i lëviznin më pikët. Një apo dy vjet më parë, ndodhi që anëtari i fundit të bëhej faktor vendimtar në përzgjedhjen e këngës fituese. Nuk e di pse vjet nuk u veprua në këtë mënyrë, edhe pse nuk mendoj se ka pasur keqdashje. Unë kam qenë ideator i jurisë së hapur me 7 anëtarë dhe është skema më e mirë, sepse jep mundësi të vlerësohet edhe nga publiku. Megjithatë, arti është subjektiv dhe nuk mund të gjykosh askënd për vlerësimin e dhënë.
Mendoni se ju dëmtoi fakti që ishit drejtor artistik dhe kishte konflikt interesi?
Nuk ishte kjo arsyeja. Unë nuk doja të merrja pjesë dhe kjo çështje është sqaruar në këshillin drejtues. Mu kërkua të merrja pjesë. Por nuk ishte kjo arsyeja pse dy anëtarë të jurisë nuk më votuan, sepse detyra e tyre nuk ishte të caktonin kë do merrte pjesë, por të vlerësonte. Vjet u pa e arsyeshme që të merrja pjesë. Nuk ndihem aspak fajtor, përkundrazi i dhashë publikut një këngë të bukur dhe kjo ka më shumë rëndësi.
Dhe ju nuk hoqët dorë, as këtë vit...
Fitorja ime nuk është sfidë ndaj askujt, por sfidë profesionale me veten time. Nuk e shoh si sfidë ndaj jurisë së vjetshme. Kjo është karriera ime artistike dhe ka të bëjë vetëm me mua. Është një fitore personale në gjithë karrierën time artistike. Do vazhdoj të marr pjesë në festivale dhe do synoj të krijoj këngë të bukura.
Tani që gjithçka ka mbaruar, si do t’i vlerësonit prurjet e festivalit?
Pati këngë shumë të mira, por duhej më shumë ritëm. Pati shumë këngë të qeta, ndërsa preferencat e shqiptarëve janë ndaj muzikës së gjallë. Pjesa dërrmuese e këngëve në Eurovizion janë të tilla. Megjithatë kryesorja është që kënga të jetë e frymëzuar dhe e bukur.
Ju kujt i druheshit, kush mendonit se mund të fitonte?
Ishin rreth 10 këngë që konkurronin për çmim. Do vlerësoja shumë këngën e Shpëtim Saraçit, që fitoi vendin e dytë, “West Side family”, Besa Kokdhimën e të tjera. Pra, kishte konkurrencë dhe këtë e tregoi edhe diferenca prej vetëm 7 pikësh nga çmimi i dytë.
Përgatitjet për Eurovizion
Maji vjen shumë shpejt dhe pa u mbushur 24 orë nga çmimi, dyshja Zhulali-Doçi kanë nisur të mendojnë për paraqitjen në Evropian. Teksa ka një eksperiencë të mëparshme, Zhulali thotë se ka shumë punë për t’u bërë, që nga shkurtimi i këngës, përkthimi i tekstit, orkestrimi, videoklipi. Kompozitori thotë se ka marrë të gjitha garancitë nga drejtori i Përgjithshëm Petrit Beci, për të marrë të gjitha masat, që Shqipëria të përfaqësohet denjësisht në Eurovizion.