E Shtunë, 31 Tetor 2026

Han mbërrin në Tiranë të shtunën

 

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Ari Han, do të mbërrijë më 26 dhjetor në Tiranë dhe do të zhvillojë një takim pune me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndërkaq, holandezi do të shfrytëzojë rastin për të parë edhe një ndeshje të kampionatit shqiptar dhe sipas të gjitha gjasave, do të ndjekë nga afër ndeshjen Vllaznia-Dinamo, ndonëse në FSHF nuk e kanë konfirmuar një gjë të tillë. Tekniku i përfaqësueses do të diskutojë me krerët e Federatës në lidhje me ndeshjen eliminatore, që kuqezinjtë do të luajnë në muajin shkurt kundër Maltës në transfertë. “Do të bisedohet në lidhje me grumbullimin dhe për detajet për organizimin e ndeshjes dhe përgatitjes së saj – ka thënë përgjegjësi i zyrës për shtyp në FSHF, Tritan Kokona. – Trajneri e vlerëson këtë ndeshje si shumë të rëndësishme ndaj dhe po planifikon që gjithçka të organizohet sa më mirë”. Shqipëria do të luajë kundër Maltës më 11 shkurt në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2010. Nëse kuqezinjtë arrijnë të fitojnë, mund të marrin sërish kreun e Grupit 1, pasi asnjë nga ekipet e tjera në grup, nuk luajnë në këtë datë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›