Gazetari: Do t’ia hidhja përsëri këpucët Bushit
Gazetari irakian që u bë i famshëm pasi goditi me këpucë Presidentin amerikan, Xhorxh Bush, ka pohuar se do ta bënte këtë gjest përsëri dhe se ka kërkuar ndjesë, vetëm sepse e kanë detyruar të bëjë një gjë të tillë. Kështu ka deklaruar vëllai i Muntad’har al-Zeidit. Gjatë një konference për shtyp më 14 dhjetor me Presidentin Bush dhe Kryeministrin irakian Nouri al-Maliki, gazetari ka hequr këpucët duke goditur me to presidentin amerikan, një gjest që është transmetuar në të gjithë botën, duke e kthyer në simbol admirimi gazetarin në botën e Lindjes, për kundërshtarët e pushtimit të Irakut nga amerikanët. Mijëra irakianë kanë protestuar për të kërkuar lirimin e tij. Gjyqi i Al-Zeidit mbi akuzat e agresionit kundër një lideri të huaj nis më 31 dhjetor, tha Abdul-Sattar Bayrkdar, zëdhënës i Gjykatës së Lartë të Irakut. Për këtë akuza ai mund të dënohet deri në dy vjet burg. Zyra e kryeministrit ka deklaruar, se Al-Zeidi ka shkruar një letër ku kërkon falje dhe i ka kërkuar Al-Malikit ta paraqesë kërkesën e tij për falje. Al-Maliki deklaroi se Al-Zeidi i kishte shkruar që një terrorist i njohur e kishte detyruar atë t’i hidhte këpucët. Por vëllai i gazetarit, Uday al-Zeidi, tha për “The Associated Press”, se letra ishte shkruar kundër dëshirës së tij dhe se e kishte gjetur të vëllain në burg me një dhëmb të thyer dhe shenja të djegurash cigareje nëpër vesh. Ai denoncoi autoritetet e burgut për keqtrajtimin e vëllait të tij, pasi herën e fundit, që e ka takuar e ka parë me shenja të forta në fytyrë dhe në trup.