E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, vendi ku lindin paradokset

 

Ricardo Caldura*

Titulli i këtij edicioni të çmimit "Onufri" vjen nga një modifikim i vargut të parë të një poezie shumë të njohur të Gëtes: "Kennst du das Land wo die Zitronen bluehn?". Limonët e versionit origjinal janë zëvendësuar me një tjetër lloj vegjetacioni: "paradokset". Një lloj i ri dhe antik, po të kujtojmë etimologjinë greke të termit: një argument që bie ndesh (para) me opinionin e zakonshëm (doxa). Paradoksi është një përfundim i papranueshëm në dukje, por që në të vërtetë shfaqet në gjendje të hapë një tjetër njohuri mbi gjërat. Duket se kjo 'pemë' rritet goxha mirë në krejt zonën e Mesdheut, siç edhe i shkon për shtat origjinës së saj greke dhe prandaj nuk kemi pse çuditemi nëse e gjejmë kaq të përhapur në Shqipëri, në "vendin ku nuk vdiset kurrë" (siç rrëfen libri i para ca viteve i Ornela Vorpsit), një vend megjithatë evropian, i cili është në rrugën e procedurave komplekse drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Shqipëria është një komb evropian, historia e të cilit karakterizohet nga elemente të theksuar diskontinuiteti, si nga pjesa perëndimore, ashtu dhe nga ajo lindore e kontinentit. Që prej vitit 1990, ky diskontinuitet ka nisur të mbushet, të shërohet dhe nuk ka cep të Tiranës ku të mos dallohen shenjat e këtij vullneti për të rifituar kohën e humbur, domethënë kohën e jetuar gjer në '90 në mënyrë rrënjësisht ndryshe nga pjesa tjetër e Evropës. Tanimë, thjesht duke ecur rrugëve të kryeqytetit, mund të dallohen gjurmët e një kohe të përshpejtuar ndryshimi, përditësimi, integrimi/asimilimi, një kohë që ngjan sikur rrjedh mbi sipërfaqen e një kohe tjetër, një kohë kjo më e ngadaltë, më e thellë, me kundërshtì, një kohë me të tjera gjeste dhe me të tjera zakone. Enkas kjo ekspozitë përbëhet, përveç vetëm një të ftuari të huaj (Bert Theis, me prejardhje luksemburgase, pjesëmarrës me veprën "Suprematist platform"), vetëm nga artistë shqiptarë, duke hequr dorë nga ekspozita e zakonshme kolektive me prani dhe vepra prej vendeve të tjera, siç është bërë në edicionet e mëparshme. Kjo e ka një arsye: bëhet fjalë për artistë shqiptarë të një brezi të ri, të cilët ndërkohë janë formuar (dhe informuar) kulturalisht në Evropë, në akademi dhe universitete të huaja dhe disa prej tyre kanë marrë pjesë në aktivitete ndërkombëtare të rëndësishme. Një gjeneratë artistësh, e cila po përpiqet të jetojë sërish në atdheun e tyre, apo të ripërshkojë rrugën jo të lehtë të rikthimit. Këtu ata dallohen ndoshta nga brezi i parë i artistëve shqiptarë, emrat e të cilëve janë tashmë të pranuar për cilësinë e tyre absolute në skenën ndërkombëtare të artit bashkëkohor, por që banojnë jashtë Shqipërisë. Janë të pranishme në këtë ekspozitë punë nga Idlir Koka, Eltjon Valle, Elsa Martini, Dritan Hyska, Alban Hajdinaj, Heldi Pema, Orion Shima, Pleurad Xhafa, Dritan Zeneli, Gentian Shkurti, Yllka Gjollesha dhe Fani Zguro. Mediumet e përdorura janë të ndryshme, nga video, video-instalacioni, gjer te piktura dhe fotografia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›