At Zef Pllumi, mes dijes, evidencës historike dhe gjuhës
1.
Kur At Zef Pllumi e pat titulluar njërin ndër librat e vet “Histori kurrë e shkruese”, atij me siguri nuk i pat shku ndër mend se me këtë titull ai ishte duke u përfshirë në debatin e madh se si shkruhet historia, ose, e thënë ndrysh, përngjashëm me titullin e veprës së vet, se si nuk duhet shkruar historia. Një debat ky, jo shqiptar, por botnor, që vazhdon të zhvillohet sot e kësaj dite me botime librash nga autorët më autoritarë të fushës së historiografisë…
Debati më i madh i shikimit të Historisë, si një ndërtim narrativ i bërë nga historianët, është nëse vlerësimi i fakteve dhe ngjarjeve dhe reflektimi mbi to i historianit është objektiv, jo i deformuem, por i bërë si një ushtrim në përputhje me shpirtin e kërkimit të së vërtetës. Arthur Marwick në librin “Natyra e re e Historise” shkruan se historiani përcaktohet në një trekandsh me brinjët ‘dije, evidence dhe gjuhë’. Dije, sepse historiani “nuk e ndërton të shkuarën dhe as nuk
e prezanton të shkuarën,” - ashtu siç besohet në mënyrë të gabuar. Historiani prodhon dijen e vet rreth të shkuarës. Sepse historianet nuk janë as idealistë dhe as materialistë. Historianët janë thjesht historianë.
Collingwood adapton njërën nga thaniet e njohura të Croces: “E gjithë historia asht një histori bashkohore”. Nuk asht e vështirë të shihet se as Collingwood e as Croce nuk bajnë dallimin mes asaj që asht Histori dhe asaj që asht e shkuar. Collingëood, ashtu si te gjithë tradicionalistët e historiografisë letrare, madje ashtu si dhe vetë idhulli i vet, Croce, beson se historiani asht një autor, se historia del e formuar perfekt nga mendja e historianit, duke injoruar kësisoj se historia asht një ndërmarrje bashkëpunimi marrjesh dhe dhanjesh. Në shkrimin e historisë nuk ka Rembrandts, nuk ka Shakespeare dhe nuk ka Beethoven. Historianët bien dakord a nuk bien dakord me njani- tjetrin, grinden, kundërshtojnë njani-tjetrin, kundërshtojnë vetveten, ndryshojnë dhe ri-përcaktojnë pikpamjet e veta. Vepra e historianit asht në rishikim të vazhdueshëm, ajo modifikohet, përmirësohet, rishkruhet. Ne nuk do
guxonim që të ripikturonim pikturat e Rembrandtit apo ta rishkruanim muzikën e Beethoven. Por, nga ana tjetër, historia shkruhet dhe rishkruhet. Vetëm një mendje e një ndryshkësie kokfortë do të kishte guximin për të mos pranuar rishikimin dhe rishkrimin e historisë.
Ndërsa një autor tjetër, E. H. Carr, të cilin siç e përcakton vetë Arthur Marwick “të qenunit jo marksist, por stalinist, nuk e ka penguar që të mbajë karriken e kryelektorit të historisë në Cambridge, në leksionet me titull “Çfarë asht historia?”, që ka mbajtë në vitet e hershme të dhjetvjeçarit ‘60, thotë se: “Historia asht një dialog që nuk mbaron (an unending dialog) mes se shkuarës dhe së tashmes”. Ajo çfarë thotë Carr asht thjesht një rimarrje e tezës së Collingwood (dhe e shumë të tjerëve) se: “Çdo epokë shkruan historinë e vet”, se “çdo epokë duhet ta riinterpretojë të shkuarën në dritën e preokopimeve të veta”. Metafora dhe antropomorfoza (the metaphor and the anthropomorphosis) këtu janë të ekzagjeruara. Jo se thaniet nuk kanë bazë, por se nuk janë të mjaftueshme për të vërtetuar se historia asht në mnyrë të pashmangshme subjektive. Ma e vërtetë se historia asht dialog mes së shkuarës dhe të tashmës, do qe se historia asht një dialog i panderprerë mes historianit dhe lexuesit të vet, në kuptimin e përpjekjeve që të dy palët janë të përgatitur për ta bërë këtë dialog.
2.
Brinja e dytë e trekandëshit të historianit, i përcaktuar sipas Arthur Marwcik asht evidenca apo dokumentacioni, fakti, kronika. Këtu dhe historiani si historian dhe historiani si jo- historian janë të ndarë me një Mur Berlini. Në anën e Berlinit Lindor janë të gjithë ata historianë që besojnë se evidenca, dokumentacioni, fakti jan të rëndësisë së dorës së dytë dhe se historia mund të shkruhet pa evidencën e shkruar, pa dokumentacionin, pa arkivin dhe faktin. Le ta themi që në fillim se ata që e kundërshtojnë me forcë evidencën, faktin, arkivin, kronikën, si të dorës së parë në shkrimin e historisë, ata që flasin me përbuzje për “fetishizimin e dokumentave dhe për kultin e arkivit” janë historianët marksistë dhe ata marksizianë, këta të dytët të ndikuar shqitazi nga marksizmi: italiani Antonio Gramsci, gjermano- amerikani Herbert Markuse, Hyaden White, dhe frëngj post- strukturalistët Michel Foucault, Roland Barthes, Loius Althusser dhe Jacques Derrida, si dhe postmodernistët Jean-François Lyotard dhe Jean Baudrillard. Duke qenë marksistë, asht krejt e natyrshme që të mendojnë dhe të argumentojne se evidenca, fakti, dokumentacioni i dorës së parë nuk janë të rëndësishme për historinë. Në momentin që ke argumentuar se dokumenti nuk është i rëndësishëm për historinë, e ke shumë të lehtë manipulimin e saj. Foucault and Barthes, p.sh. kanë mbajtë një qëndrim kritik ndaj historianëve profesionistë- gjë që mund të shihet qartë në ese-në e Barthes “Diskurs për historinë”, ku historia deklarohet as më shumë e as më pak se një ideologji borgjeze.
Historianet e anës përtej Murit të Berlinit mendojnë tjetërsoj. Leopold von Ranke qysh në vitin 1880 shkruan në veprën e vet “Historia Universale”: Historiani punon me dokumente. Dokumentet janë gjurmët e mendimeve dhe veprimeve të njerëzve të kohnave të tjera. Atje ku s’ka dokumente, nuk ka histori. Historianët francezë Charles Langlois dhe Charles Siegnobos në “Hyrje në studimin e historisë”, botuar së pari në anglisht në vitin 1898, shkruajnë se: “Asnjë histori e një vendi të veçante nuk mund të shkruhet nëse populli i atij vendi nuk ka lënë ca regjistrime dhe gjurme të veprimeve të veta”.
“Kafshët jetojnë në mënyrë jo-historike”- pat thënë F. Nietzsche tek sodiste në mënyrën më prozaike lopët tek kullosnin në një livadh alpin (F.Nietzsche – The use and the abuse of History, përkthyer nga Adrian Collins, Indianapolis, 1951).
Në kundërvënie të papajtueshme, madje agresive, me tezën e nevojës se dokumentëve të shkruar, asht historiani i sotëm amerikan, Daniel Lord Smail. “On deep history and the brain”, botim i vitit 2008, një libër që është përshëndetur në mënyrë entuzisate nga shumëkush, autori shkruan rreth 300 faqe për të provuar e stërprovuar në mënyrë deri në bezdisje se “Dokumentet e shkruar nuk janë thelbësore në shkrimin e historisë” (Ëritten documents are not essential to the ëriting of History). Asht një ndër librat ma të fundit të botuar për historinë në gjuhën angleze.
3.
Historia asht procesi i kalimit të fakteve dhe ngjarjeve të së kaluarës në atë narracion a brryl, a kthese narrative- linguistike që thirret histori. Teoritë postmoderniste të gjuhës, nënkuptojnë se çdo akt gjuhësor jep kuptime që i tejkalojnë qëllimet e autorit; se çdo tekst krijon shumësi kuptimesh, dhe se këto kuptime shpesh mund të kundërshtojnë njëri-tjetrin dhe se interpretimi i tekstit na bën të mundur kuptimin e njëmend a origjinal, ngase asht vetë një pjesë e lojës së kuptueshmërisë që prodhon teksti, e kështu me radhë.
Një komplikim aq i madh, sa nuk është e rastit se me fillimin e shekullit XXI, historianët po e vënë theksin përherë e më tepër te analiza e ngjarjeve, në dallim nga strukturat kuptimore dhe rrjetat kuptimore (Shih profesor Yes-Marie Barcè, numri Mars/Prill 1999 i Histori, Shkenca Shoqnore).
Por nëse pranojmë, bashkë me postmodernistët, rëndësinë e jashtzakonshme të gjuhës, në kundërshtim me ata naivë që e shohin gjuhën si një medium të thjeshtë, të pakomplikuar të komunikimit, duhet thanë se metoda historike i ka rrënjët e veta prej shekujsh në filologji dhe se çështjet e semantikës dhe të domethanies kanë preokupuar gjenerata historianësh, shumë shekuj përpara poststrukturalistëve. Dhe, kur është puna te librat e historisë, apo te shkrimi i historisë, të gjithë bien në një mendje me Voltaire-n, që e kish zakon të thoshte se metaforat për historinë janë si krymbat që gërryejnë librat, se historianët e mirë gjithmonë e shmangin ambiguitetin; se frazat duhet të jenë të qarta, e mendimet e kthjella…
4.
Megjithë origjinalitetin që ka Shqipnia, keqkuptimet e historiografisë shqiptare janë një refleks- edhe pse i deformuem deri në karikaturë, në atë mënyrën karakteristike shqiptare- i keqkuptimit dhe konfuzionit që ka ekzistuar në historiografinë botnore sidomos gjatë shekullit XX.
At Zef Pllumi, me dy librat e tij madhorë për historinë, për fat të mirë ec në gjurmët e një tradite tjetër, e një tradite të hershme, në gjurmët e shkrimit të kronikave nga murgjët evropianë, duke filluar me “Historinë e Kishës” të grekut kristian Eusebus (c 260-339), dhe duke vazhduar me anglezin Venerable Bede (c735) me Jean Froissart (c.1337-c.1410), me Lorenco Valla-n (c.1407-57), me Leonardo Brunin. Libri i këtij të fundit, “Historia e Firences (1415-29)” shërben dhe sot si një burim i vlefshëm parësor për të studiuar humanizmin në Rilindjen Italiane. Ec në gjurmët e Guiçiardinit dhe Sir Walter Raleigh në Angli. Në gjurmët e paraardhësve bashkëkombas Marin Barlecit, Frang Bardhit dhe Pjeter Bogdanit, der te Shtjefën Gjeçovi, arkivisti Pal Dodaj, Marin Sirdani, Anton Arapi, Bernardin Palaj, Benedikt Dema…
Në kohnat fatlume kur jetonin këta njerëz, kuptimi i së vërtetës historike ishte i barabartë me konceptin e Shën Agustinit si shpalosje e vullnetit të Zotit.
Përparësia e At Zefit si historian asht dija e thellë e historisë së Shqipnisë, një dije e përftueme dhe e stërvitun në arkivat françeskane, nga leximi i dorëshkrimeve të ruajtuna, nga bisedat dhe nga njohja me disa nga personazhet ma të rëndësishëm të historisë e të kulturës së kombit, por dhe nga një përvojë vetjake e jashtëzakonshme. Historia te ai nuk vjen si dije akademike, si kategori e parapërcaktuar, për shkak të parapërcaktimeve ideologjike; e nga që nuk asht e tillë, historia për të asht në radhë të parë historia e fateve njerëzore. Lexoni librat e historisë të shkruar nga historianët tanë. Personazhet historike janë monumente, jo njerëz të gjallë.
Në librin e mirënjohur të John Julius Norwich mbi Bizantin, flitet hollësisht rreth grave të Perandorëve të Bizantit, për karakterin e tyre, për pamjen fizike të tyre, për origjinën e tyre. Po Ismail Qemali yne a pati grua? Këtë lexuesi shqiptar ka për ta vuajtur për një kohë të gjate si një enigme të pazgjidhur.
At Zef Pllumit, ashtu si parardhësve të vet të medhenj, as nuk i shkon ndërmend që të vejë në dyshim randësinë e jashtëzakonshme të dokumentacionit, të faktit historik, në shkrimin e historisë. “Frati i Pashallarëve Bushatli të Shkodrës” fillon me rrëfimin e fatit të një kronike që paska qenë ruajtur ne arkivin françeskan; asht kronika e jetës se Fra Erasmus a Balneo, një frat italian që vjen në Shkodër me misionin e përulët të një françeskani e që caktohet famulltar në Hot, për t’u gjetur dëshmitar në një nga periudhat më interesante të historisë së vendit tonë, e në të njejtën kohë, ashtu siç ndodh si rregull në historinë e Shqipnisë, duke qenë një periudhe kyçe- një nga periudhat ma të padokumentueme.
Dorëshkrimi ka humbë, ashtu si pjesa më e madhe e arkivit françeskan. At Zefi riprodhon dorëshkrimin ashtu siç e kujton. Pra, kronika e Padër Zefit asht kronika e një kronike që paska qenë shkruar e që ka humb, asht dorëshkrimi i një doreshkrimi. Por saktësia dhe objektiviteti i kronikës së kronikës janë të tilla, sa mbas vdekjes së Padër Zefit, studjuesi arbëresh Italo Sarro ka zbulue në Arkivin Historik të Propogandes Fide në Romë korrespondencën – përkatësisht 6 letra –që Bushatllinjt e Shkodrës dhe Ipeshkvi Gjergj Radovani i drejtojnë Selisë së Shenjtë. Letrat janë botuar me faksimile në Hyllin e Dritës. Do mjaftonte veç leximi i këtyne letrave që dhe skeptiku ma i thekun t’i besonte vërteëtsisë historike të Fratit të Bushatlinjëve.
Vetë proçesi i kalimit të fakteve dhe ngjarjeve të së kaluares në kthesën narrative- linguistike bahet me një natyrshmëri të jashtëzakonshme. Gjuha e Padër Zefit asht e çveshun nga rrakaxhinget metaforike. Asht gjuha me të cilën flasin dhe sot e ksaj dite malsort shqiptarë. Toni asht i shtruem, i qetë, i mençur. Asht gjuha popullore e pajtueme me një tekst historie. Kallzimet e misionarve të vjetër janë një pikturë realiste e një Shqipnie të çoroditun, “me male te egra, me një popullsi të vrazhdë e të pashkollueme, me shumë ngatrresa e provokime mbi të cilat bazoheshin akuza e çpifje që mund të mbërrijshin deri me dekë… me kristianë laramana të cilët diten ose sheshit ishin turq e muslimanë, ndërsa natën ose mesheftas kishin besimin katolik”.
Historia e Shqipnisë e Padër Zefit nuk e pranon mitizimin, por ajo nuk bie as dhe në grackën e një çmitizimi që shumë lehtë mund të quhet mitizim i çmitizimit.
Në traditën e kronikave të murgjeve, te historitë e at Zefit, bie në sy përultësia si ton i të rrëfyemit, si e kundërt me gjykueshmërinë. Jo përultsia si kategori morale, por si objektivitet i kallximit të historisë. Tekstet e historisë, sidomos tekstet e shkruara nga historianët tanë, janë të mbushuna me gjykimet e guximshme të autorëve për figurat historike e për ngjarjet historike. Fridrih Shileri përmend at historianin që asht me rrufë e që tërheq hundt e teshtin gjatë gjithë kohës tek kritikon përpara studentave Hanibalin për gabimet taktike në kalimin e Alpeve.
Ashtu si gjatë gjithë historisë njerzore, humori shfaqet në historitë e Padër Zefit, gjithmonë atje ku parashikohet tragjedia. Dhe humori asht brishtësi, butësi dhe delikatesë shpirtnore. Pa të cilat dhe vetë historia do të qe një materie e ngurtë, e pajetë, e mumjezueme.
5.
… Më 4 dhjetor të vitit 1354, perandori i famshëm bizantin John (Ioannes) Cantacuzenos, bash në kohën e lavdisë së vet, gjatë një ceremonie solemne ne Blachernae, pat vendosë në një qoshe kunorën dhe mantelin e purpërt perandorak. Në vend të rrobave madhështore të perandorit bizantin, ai pat vesh rroben e zezë të murgut. Po atë ditë e shoqja e tij, Irena, u shugurue murgeshë në Manastirin e Shenjtes Martë. Ai vetë, duke pasë përbuzje për çdo gja të mëparshme të jetës së vet si Perandor, kërkoi të ndryshonte dhe emnin. Zgjodhi, për një koinçidencë, emnin Zef.
Ish-perandori i Bizantit do të jetonte dhe 29 vjet te tjera. Gjatë ketyne viteve, kur Bizanti do ndodhej në udhëkryqe ngjarjesh, bashkëqytetarët e vet do shkonin jo vetëm një herë, për t’ju lutë murgut të përulun Zef që të kthehej prapë në Fronin e Perandorit. Por ai do refuzonte me kokfortësi. Vitet e para në Manastir ja kushtoi shkrimit të kronikave që ai i quajti “Historina”. John Cantacuzenos, tek veshte rroben e përultë të murgut, atë ditë të dhjetorit të vitit 1354, me qëllim që të bëhej kronikan, shpallte kësisoj se dëshmia historike, evidenca, kronika, dokumenti, kanë më rëndësi jo vetëm nga profesorët e historisë, por dhe se nga vetë pushtetet e përkohshme perandorake.