Zhdukja e Remzi Hoxhës, kryeministri Berisha ka pasur dijeni
Kryeministri Sali Berisha, i cili në kohën e zhdukjes së shqiptaro-maqedonasit Remzi Hoxha mbante postin e presidentit, ka pasur dijeni në lidhje me rrëmbimin e biznesmenit. Kjo u bë e ditur gjatë ditës së djeshme nga ish-shefi i Zyrës së Ankesave pranë Presidencës në vitet 1992-1997, Gëzim Jarani, i cili ishte thirrur nën cilësinë e dëshmitarit nga prokuroria. Megjithatë, pavarësisht se ish-presidenti Berisha ka pasur dijeni mbi zhdukjen e Remzi Hoxhës, ai nuk iu ka kthyer asnjëherë përgjigje familjarëve mbi fatin e të afërmit të tyre, eshtrat e të cilit edhe 13 vjet pas rrëmbimit nuk janë gjendur ende. Për zhdukjen e tij akuzohen Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, si dhe ish-punonjësit e SHIK, Avni Koldashi e Ilir Kumbaro.
Dijenia e Berishës
Ish-Presidenti i Republikës në vitet 1992-1997 dhe aktualisht kryeministër i vendit, Sali Berisha, ka qenë i informuar në lidhje me rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas, Remzi Hoxha. Ky fakt u pohua ditën e djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda nga ish-shefi i Zyrës së Ankesave pranë Presidencës në vitet 1992-1997, Gëzim Jarani. Ky i fundit deklaroi para Gjykatës së Krimeve të Rënda se familjarët e Remzi Hoxhës janë ankuar pranë kreut të shtetit në atë kohë dhe kërkonin të mësonin fatin e familjarit të tyre. “Gjatë kohës që kam punuar në Presidencë, kam marrë me dhjetëra ankesa. Kam marrë një ankesë dhe nga familjarët e Remzi Hoxhës. Në zyrë kam pritur gruan apo motrën, s’e mbaj mend mirë. Kjo ankesë i është dërguar presidentit”, - tha Jarani. Ai shpjegoi më tej se nuk kishte dijeni, nëse familjarët e të rrëmbyerit kishin marrë përgjigje. “Nuk e di konkretisht se cilit institucion i jemi drejtuar për t’i dhënë përgjigje ankesës së familjarëve të Hoxhës”, - u shpreh ish-shefi i Zyrës së Ankesave në Presidencë, në kohën që institucionin më të lartë shtetëror e drejtonte Sali Berisha. Por, pavarësisht se ky i fundit ka marrë dijeni në lidhje me zhdukjen e Remzi Hoxhës, Berisha nuk ka marrë mundim që t’iu kthejë përgjigje familjarëve të Hoxhës, trupi i të cilit nuk është gjendur ende, edhe pse ka plot 13 vjet që është rrëmbyer. Sipas prokurorisë, juristët e Presidencës në atë kohë i kanë kërkuar ish-ministrit të Brendshëm, Agron Mustafaraj, dhe kreut të Shërbimit Informativ Kombëtar, Bashkim Gazidede, t’iu kthehet përgjigje të afërmve të biznesmenit të zhdukur. Por, siç rezulton, asnjë prej institucioneve shtetërore nuk ka dhënë shpjegime për fatin e Remzi Hoxhës. Në procesin penal ndaj tre ish-funksionarëve të SHIK, dje dëshmuan edhe katër dëshmitarë të thirrur nga prokuroria, mes tyre edhe Gjergji Jorgo, ish-shefi i Komisariatit Nr. 3 në kohën që është rrëmbyer Remzi Hoxha dhe aktualisht nëndrejtor i Policisë së Tiranës.
Akuzat
“Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Arben Sefgjini, dhe dy ish-drejtuesit e Shërbimit Informativ Kombëtar, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi, kanë rrëmbyer e më pas torturuar biznesmenin Remzi Hoxha”. Në këtë konkluzion kanë arritur prokurorët e Krimeve të Rënda pas hetimeve disamujore mbi dosjen që nuk është zbardhur ende që prej më shumë se 13 vjetësh. Megjithëse eshtrat e ish-biznesmenit Hoxha nuk janë gjetur ende, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arritur në përfundimin se ai është rrëmbyer nga ish-drejtuesit e SHIK, ndërsa vdekja e tij ka ardhur pas torturave të rënda. “Prokuroria për Krime të Rënda, pasi zhvilloi hetimet e nevojshme për procedimin penal me nr. 449 të zhdukjes së shtetasit Remzi Hoxha, dërgon për gjykim në Gjykatën e Krimeve të Rënda të pandehurit Arben Sefgjini, ish-Drejtor i Shërbimit Informativ Tiranë, Ilir Kumbaro, ish-kryetar dege në drejtorinë e SHIK dhe Avni Koldashi, ish-shef i bazës së vëzhgimit të drejtorisë së SHIK”, - thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Tre të pandehurit akuzohen për kryerjen e veprave penale të “Rrëmbimit të personit” dhe “Torturës me pasoja të rënda”. “Të tre të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK, në vendin e quajtur Vajin të rrethit Lezhë. Aty janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha”, - thuhet në dosjen që prokuroria ka dorëzuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda.