E Diel, 1 Nëntor 2026

Flamuri merr kontrollin mbi policinë për të mbrojtur Fazlliçin

Nga Tema

Antena brenda familjes

Dje Flamuri kishte një ditë të trazuar. Ai burri e mori në telefon nga Gjermania që të merrte masa për të pritur Fazlliçin që të mos kontaktonte me gazetarët.

- E ke detyrë numër 1 që askush të mos e kontaktojë nga gazetarët. Kjo është e rëndësishme, Flamur, se ai nuk e njeh mirë Shqipërinë dhe bën gafa po foli. E pe ç’na bëri me Fluturën? Flutura është vajzë e mirë, Flamur. Jo se është shoqe e Argitës, po është vajzë e mirë dhe avokate e zonja. Ia ka bërë letrat shumë mirë. Shkoi budallai tha: “Nuk e kam shitur kompaninë”. Ndërkohë që ajo i ka bërë letrat dhe e merr më qafë. Se nuk i di rregullat ai. Ndaj duhet mbajtur afër.

- Në rregull, merrem unë me policinë, por me kë do komunikojë? Kush do ta presë?

- Do ta presë Frangaj. Ia kam kërku këtë nder dhe më ka thënë, po. I thashë, duhet ta marrim t’i sqarojë gjërat mirë, se aty te “Top”-i i bëri lëmsh. Ishte pak problem, se dhe ai nuk e dinte ç’kishin shkruar gazetat. Tani e di. Tani di ç’të thotë. Do përgënjeshtrojë ndonjë gjë të vogël nga ato që ka thënë, po s’ka problem. Ka për të dalë mirë.

Nisi punën Flamuri. Mori Prençin, ai qenkësh në Rusi. Vendosi të merrej vetë me policinë e Tiranës. Mori drejtorin dhe i dha udhëzimet.

- Do vijë një charter në Rinas, - tha, - e ka nis ai burri. Do shkojë dy orë në TV “Klan” dhe do kthehet. Kujdes, se prokuroria kërkon ta ndalojë, dhe gazetarët duan ta pyesin. Asgjë të mos i ndodhë. Po e kapën dot prokurorët, do përgjigjesh. Gazetarët mo t’i shoh aty. Zhduki ku të duash.

- Si urdhëron, shef Flamuri, - i tha drejtori. - Me kë të komunikojmë ne?

- Me Frangajn të komunikoni, - tha. - Nën urdhrat e tij jemi sot.

- Mos bre burrë, na gjej një tjetër, se me atë s’merremi dot vesh, - tha.

- Pse, ku e ke provuar ti?

- Po e kam provuar një herë më 28 nëntor të 2000, kur ndalum doktorin. Ai na komandonte nga zyra e Ilir Metës. Ngatërroi dynjanë, se thoshte: “Hapni zjarr, q... nënën atij plehrës!” Mirë që ia njohëm zërin, se do ishte bërë nami. Ndaj kam frikë se nuk i binden policët, se e njohin. Ata policë janë akoma.

- Mirë, le se e komandoj vetë policinë. Do lidheni me mua. Kujdes me prokurorët ë. Se kanë bërë plan ta ndalin, po erdhi. As mos i lejoni të afrohen fare. Futeni në avion dhe të iki.

- Si urdhëron shef, pa merak, - i tha drejtori. - Ja, do lidhem me atë djalin e Rinasit, dhe t’i them që është njeri i rëndësishëm i doktorit, se ndryshe, po i the i Frangajt, s’e bën ai.

- Po, po ashtu thuaj. E ka dërguar ai burri thuaj.

- Si urdhëron, shef Flamuri. Po kam një kuriozitet. Çfarë ka bërë ky burri që duan ta arrestojnë?

- Asgjë mor burrë s’ka bërë. Ka bërë biznes, ka marrë ca pará dhe aq. Po e bëjnë këta plehrat, se duan të thonë që e ka ndihmuar vajzën e atij burrit. Në fakt, të gjitha bizneset i ka me Lul Bashën. Me atë ka kompanitë, ai e futi te “Rompetroli” që ta falimentonte dhe të krijonte dy kompani të reja që të mos i paguante paratë shtetit. Është mashtrues i paparë. Po ai burri ose nuk e kupton, ose ashtu e do. Nuk di ç’të të them. Di që ky duhet ruajtur, se po filloi të flasë ky, na fut të gjithëve në burg, se ashtu e kemi punën nga fushata e 2005.

- Si urdhëron, shef Flamuri, mos ki merak. Po ky Fevziu e di përse ta pyesë, se mos e ngatërron si i “Top”-it?

- Jo, jo, mos ki merak, se vjen me pyetje me vete ai. Thjesht do ta regjistrojnë dhe do ta redaktojnë me kujdes, se nesër do ta japin. Mos ki merak tani.

- Po unë dëgjova doktorin që do ta çonte në parlament këtë Fazlliçin, - i tha drejtori i policisë.

- Po për atje e nisi, po ngaqë sot s’ka Kuvend, tha më mirë ta çoj te Fevziu, se njësoj është, e shikojnë në televizor deputetët. Do kërkojë Jozefina të lidhet parlamenti direkt me TV “Klan”-in dhe ta dëgjojnë kur të flasë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›